1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Fillimi i fundit të Asadit? Kryeministri Hidshab ndërron frontin

Ministri i Jashtëm gjerman, Westerwelle e sheh largimin e kryeministrit Rijad Hidshab në Jordani si thellim të erozionit të pushtetit të Asadit. Hidshab tha se "krimet e luftës dhe gjenocidi" çuan në vendimin e tij.

Emërimi i Riad tek Bashar al Asad

Emërimi i Riad tek Bashar al Asad

Pas kalimit të kryeministrit sirian, Riad Hidshab në krahun opozitar, ka reaguar ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle. Të Hënën ai u shpreh se " kalimi i Hidshab në anën e opozitës tregon "se sa larg ka shkuar procesi i erozionit" i udhëheqjes së Bashar Al-Asadit. Kryeministri sirian Rijad Hidshab së bashku me familjen e tij është larguar për në Jordani. Lajmi u konfirmua si nga qarqet e qeverisë jordaneze ashtu dhe nga zyra për të drejtat e njeriut e opozitës siriane me qendër në Londër. Zëdhënësi i ish-kryeministrit sirian Hidshab, Mohamed Otri lexoi një deklaratë drejtpërdrejt në televizionin Al Xhazira. Në të ai e cilësoi regjimin e Asadit si "regjim terrorist." Largimi i Hidshabit është organizuar nga Ushtria Siriane e Lirisë, konfirmoi Otri. Me Riad Hidshab largohet deri më tani politikani i nivelit më të lartë në Siri. Vendimin e tij Hidshab e argumentoi me "krimet e luftës dhe gjenocidin" në Siri, njoftoi zëdhënësi Otri. Unë i bashkangjitem opozitës dhe bëhem ushtar i saj, ka thënë ish-kryeministri.

Një përfaqësues i Këshillit Kombëtar Sirian i tha AFP-së se Hidshab Hidshab është larguar së bashku me familjen, dy ministra dhe tre oficerë ushtrie në Jordani. Ndërsa kryetari i Këshillit Kombëtar Siriab, Abdel Baset Sajda deklaroi se kjo tregon "shpërbërjen" e udhëheqjes siriane. "Ky është fillimi i fundit", tha Sajda.

Më parë televizioni shtetëror sirian kishte njoftuar se Hixhab u shkarkua nga posti i tij. Ai e kishte marrë këtë post në qershor. Ndërkohë zëdhënësi i qeverisë bëri të ditur në Damask se Hixhab ka kaluar në opozitë. Zyrtarë turq bëjnë të ditur se një tjetër gjeneral brigade siriane është larguar për në vendin e tyre. Në shoqërinë e tij ishin edhe pesë oficerë të rangut të lartë dhe më shumë se 30 ushtarë. Ndërkohë nga një sulm me bombë në një ndërtesë të televizionit shtetëror në Damask u plagosën disa vetë.

Alepo nën breshëri

Ndërkohë Alepo vazhdon të ndodhet nën breshërinë e ushtrisë. Alepo, metropoli ekonomik i vendit, pret ofensivën e madhe të regjimit, me sa duket beteja vendimtare. Për Asadin do të ishte një goditje e rëndë nëse qyteti me dymilionë e gjysmë banorë do të binte në duart e rebelëve. Këta të fundit në një rast të tillë do të kontrollonin një territor që shtrihet rreth 40 kilometra deri në kufirin me Turqinë, duke marrë kësisoj zonën e sigurisë të shpresuar prej kohësh.

Ende nuk ka nisur kundërsulmi, edhe pse ushtria prej gati dy javësh po përpiqet me armë të rënda si nga Toka dhe nga ajri që ta verë nën kontroll qytetin. Rebelët nga ana e tyre deklarojnë, se kontrollojnë ndërkohë gjysmën e territorit të qytetit. Një zyrtar sirian bën fjalë për 2000 forca, të cilat ndërkohë janë grumbulluar në qytet. Ajo çfarë ka ndodhur deri tani ka qenë vetëm fillimi. Vrulli i vërtetë nis tani. Ish-gjenerali sirian Hisham Jaber pret së shpejti goditjen vendimtare të qeverisë. "Alepo është vija e fundit e frontit të mbrojtjes së qeverisë para Damaskut. Ajo do të bëjë gjithçka të mundshme për t'i dëbuar ose për t'i vrarë kryengritësit. Aktualisht zhvillohen luftime në rrugë, por qeveria mbështetet kryesisht nga helikopterët. Ushtria ende ka fuqi të madhe goditëse. Ajo bombardon kuartieret e rebelëve, për t'i bllokuar ata përpara sulmit vendimtar, që unë e pres brenda pak ditëve."

Rebelët e Ushtrisë së Lirsë Siriane edhe pse të pajisur me armë nga Katari, Arabia Saudite, kanë mbështetjen e shërbimeve sekrete nga Turqia dhe SHBA-ja, janë në disavantazh kundrejt trupave qeveritare. Ish-gjenerali Jaber konstaton një taktikë të ndryshuar: Kryengritësit tani ndjekin metodat e luftës guerrilase godit dhe vrapo, pra me goditje të sakta dhe befasuese, në mënyrë që të mund të tërhiqen shpejt. Nga përshkallëzimi i luftës civile vuajtjet më të mëdha i heq popullsia. Kush mundet largohet nga Alepo. Kush mbetet, i duhet të përballet krahas rrezikut edhe me mungesën e ujit, të energjisë dhe të ushqimeve.

Pelegrinë iranianë të marrë peng

Në Damask është i paqartë vendqendrimi i 48 pelegrinëve iranianë. Ata u rrëmbyen në fundjavë pas një vizite në vendin e shenjtë të shiitëve Sajeda-Zeinab. Sipas deklaratave zyrtare të palës siriane dhe asaj iraniane, ata janë rëmbyer nga terroristë të armatosur. Pengmarrje të tilla ka pasur herë pas here - në të shumtën rasteve viktimat janë liruar. Në rastin aktual televizioni al-Arabiya publikoi një video, ku pengamarrësit paraqiten si gardistë të revolucionit iranian, të maskuar si pelegrinë. Irani i ka kërkuar Turqisë dhe Katarit, të angazhohen për lirimin e pengjeve.

Dy varreza masive të paraqitura nga kryengritësit dhe qeveria flasin për një masakër, për të cilën palët e konfliktit akuzojnë reciprokisht njëra-tjetrën. Të vdekurit janë realë, por rrethanat e vdekjes së tyre mbeten në errësirë, ashtu si shumë gjëra në Siri.