1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Fillimi i fundit - rreth përfundimit të zgjedhjeve parlamentare

Angela Merkel e arriti qëllimin e saj kryesor: krijimin e një koalicioni me FDP. Por suksesi u arrit më shumë falë rezultateve katastrofale të socialdemokratëve. Prandaj Merkel do të jetë vetëm kancelare e përkohshme.

Angela Merkel

Angela Merkel

Fitorja nuk duhet të mashtrojë askënd: Është ky fillimi i fundit të Angela Merkelit në postin e kancelares. Partia e saj (CDU) nuk do t'ia falë për një kohë të gjatë një prej rezultateve më të dobëta që prej themelimit të Republikës Federale të Gjermanisë. Kancelarja do të qeverisë ndoshta edhe dy apo tre vjet, pastaj duhet ta lirojë këtë vend.

Jo vetëm për faktin që krahu i ekonomistëve dhe i konservatorëve mund ta nuhasë pas heshtjeve të deritanishme në luftën e brendëshme për pushtet se çka sjell e nesërmja. Zonja Merkel i ka krijuar vetë komplikimet e ardhshme. Ajo, si një ndër politikanët më socialdemokratë të Unionit, u përcaktua para zgjedhjeve për një koalicion me liberalët. Tani nuk do të mund t'i largojë shpirtërat që i ka thirrur vetë.

Liberalët arritën një rezultat sensacional - më të mirin e tyre në historinë e zgjedhjeve parlamentare gjermane. Tani ata do të kërkojnë që ky rezultat të paguhet mirë dhe nuk do të kënaqen vetëm me rolin e një partie që siguron shumicën në parlament. FDP-ja do të insistojë që të realizohet premtimi i saj për uljen e tatimeve.

Se si mund të arrihet kjo, FDP-ja nuk ishte në gjendje t'ua shpjegojë vetë votuesve as para zgjedhjeve. Dhe shpresat se do të mund t'ua shpjegojë këtë gjë pas zgjedhjeve janë të vogla. Megjithatë suksesi i liberalëve nuk është i befasueshëm: me formulën e thjeshtë për "zbritjen e tatimeve", për dallim prej kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve, liberalët kanë prekur një prej temave që u intereson njerëzve dhe ka ofruar një zgjidhje - apo edhe jo.

Partitë popullore kanë zhvilluar në anën tjetër një fushatë e cila ishte më larg popullit se kurrë më parë në historinë e Republikës: me parulla të thata dhe deklarata të vakëta të kancelares Merkel dhe kandidatit Steinmeier, që madje edhe për gjermanët e uritur për siguri dhe stabilitet nuk ishin të mjaftueshme. Ata nuk duan grindje; në politikë jo se jo. Por me siguri që kërkojnë pak perspektivë, një linjë më të qartë dhe afër realitetit. Në katër vitet e fundit koalicioni i madh, të cilit i duhej të menaxhonte krizën, nuk ua mundësoi këtë as për së afërmi.

Emëruesi i përbashkët i politikës ishte mesatarja, ku nuk kishte vend për projekte të mëdha. Në zbrazëtirën e krijuar nga partitë popullore, janë futur dhe zgjeruar tani të ashtuquajturat parti të vogla. Republika tani është me një sistem pesëpartiak. Ndoshta pikërisht këtu është shansi për ndryshime vendimtare.

Këtu së pari duhet të kontribuojë rënia e pashembullt e socialdemokracisë: baza e SPD-së po përjeton një erozion. Socialdemokracia duhet ta pyesë veten nëse formës së saj të tanishme i ka kaluar koha. Nëse SPD-ja synon rimëkëmbjen, duhet t'i rishikojë raportet me Të Majtën e Lafontenit. Përkufizimet e thjeshta ndaj politikës së majtistëve, kanë sjellë më shumë dëme sesa dobi. Vitet e ardhshme janë për Steinmeierin dhe SPD-në një shans që të rimendojnë projekte të reja shoqërore.

Parë nga ky këndëvështrim socialdemokratët mund të ndjehen të lehtësuar pas kësaj humbjeje katastrofale. Ata kanë dalë nga përgjegjësia dhe mund të riorientohen në qetësi. Atyre nuk u duhet të pëgjigjen për problemet që ka përpara Gjermania. Përgjegjësinë e ka tani Angela Merkel dhe koalicioni i saj me liberalët.

Ajo nuk ka dëshmuar, të paktën gjatë fushatës, se ka për këtë një koncept bindës. Merkeli nuk mund të mbështetet më në koalicionin e madh. Këto zgjedhje mund të jenë fillimi i fundit, jo vetëm për Angela Merkelin.

Autor: Marc Koch
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 28.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JqV0
  • Data 28.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JqV0