1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Fillim jo i mbarë- Procesi i parë në Guantanao me president Obamën

Të martën (10.8.) nisi i pari proces në Guantanamo brenda mandatit qeverisës të Presidentit Obama. Aty do të përgjigjet një ish ushtar fëmijë, i cili në kohën e krimit për të cilin akuzohet ka qenë 15 vjeç.

default

Ajo që u bë e njohur gjatë arrestimit dhe kohës së mbajtjes së tij në burgim, nuk është në një linnjë me standartet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe vë në diskutim transparencën e premtuar nga Obama.

Çfarë nuk la pa premtuar Presidenti Barack Obama, kur bëhej fjalë për kampin e të burgosurve të Guantanamos, këtë njollë turpi në Kubë. Ai donte ta mbyllte kampin brenda një viti pas ardhjes së tij në detyrë, donte të realizonte më shumë transparencë dhe sundim ligji në gjykatat ushtarake. Që nga premtimi për mbylljen e kampit nuk është bërë asgjë, dihet tashmë dhe procesi i nisur kundër Omar Khadr-it është një dëshmi, që pjesa më e madhe e premtimeve të bëra janë duke u kthyer në fjalë boshe. Në fakt Barack Obama është kujdesur, që të burgosurit të kenë disa të drejta më shumë para gjykatave ushtarake se sa në kohën e qeverisë Bush. Por këto tribunale janë shumë larg standarteve ligjore të një demokracie perëndimore.

Për herë të parë prej disa dhjetëra vjeçarësh - disa thonë biles për herë të parë që prej luftës së dytë Botërore – një komb perëndimor dënon për krime lufte një të burgosur, i cili duhet t'i ketë kryer ato, kur ka qenë fëmijë. Kanadezi Omar Khadr ka qenë 15 vjeç, kur u arrestua në Afganistan në vitin 2002 – ai duhet të ketë hedhur një granatë, e cila vrau një ushtar amerikan. Pas të gjithave, që dihen mbi rrethanat e arrestimit dhe burgimit të tij, ata binin ndesh me konventën e Gjenevës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e ushtarëve fëmijë, të cilën e ka nënshkruar edhe SHBA-ja. Kështu marrja për herë të parë në pyetje u bë në një kohë, kur ai ndodhej nën ndikimin e ilaçeve të forta kundër dhimbjeve dhe pas një operacioni mbahej i lidhur në një barrelë. Personi që mori në pyetje Khadr-in, e kërcënoi me përdhunim dhe me vdekje, nqs ai nuk do të fliste. Personi u dënua më vonë në një rast tjetër për keqtrajtim seksual të një të burgosuri. Gjithashtu Omar Kadhr u dënua me privim nga gjumi.

Çfarë vlere ka një rrëfim, i cili është arritur të merret në këtë mënyrë? Para një gjykate normale ai nuk do të rezistone. Por në Guantanamo një gjykatës ushtarak ka vendosur, që pohimet e Khadr-it të përdoren në proces. Dhe kjo megjithëse Präsident Obama me duartrokitjeve kombëtare dhe ndërkombëtare pati urdhëruar, që SHBA nuk do të shfrytëzonin më deklaratat e nxjerra nën ndikimin e torturave. Edhe lajme të tjera nga Guantanamo japin këto ditë shkas për skepticizëm.

Ibrahim Al Kosi, ish truproja dhe kuzhinieri i Osama Bin Laden-it, është dënuar ndërkohë në Guantanamo, kaq dimë. Por sa i lartë është dënimi, mbetet e fshehtë me kërkesë të qeverisë amerikane. Se sa, për këtë ka të dhëna të ndryshme. Ndoshta disa javë, ndoshta disa muaj, ndoshta derisa Al Kosi të lirohet. Transparenca është ndryshe, Mr. President. Tani një gjë dihet, jo vetëm kampi i Guantanamos do të na mbetet edhe për ca kohë. Por edhe kornizat ligjore, që sundojnë atje.

Autor: Sabine Müller

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 11.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OiMU
  • Data 11.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OiMU