1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillim i mbarë, fund i hapur - marrëdhëniet bilaterale gjermano-kosovare në 2008

Anila Shuka30 Dhjetor 2008

Marrëdhëniet gjermano-kosovare gjatë vitit 2008 filluan mirë, por u lënduan nga fundi, pas arrestimit të tre agjentëve të shërbimit të fshehtë gjerman, BND, me akuzën për terrorizëm.

https://p.dw.com/p/GOoy
Frank Valter ShtajnmajerFotografi: picture-alliance/ dpa

„Shqetësimi im më i madh gjatë këtij viti nuk ishte stadi i njohjes së Kosovës, por rreziku që nuk do të arrinim një marrëveshje për Eulex-in“, tha ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank-Valter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier) gjatë një takimi që pati me gazetarët e huaj në mesin e dhjetorit 2008.

Fakti, që zëvendëskancelari gjerman e vë theksin tek misioni i Eulex-it, është i kuptueshëm: Një vit më parë, si kryetar i radhës së BE-së dhe G8-ës, ai kishte qenë më se i impenjuar me çështjen e Kosovës dhe përgatitjen e pavarësisë së saj, si parakusht për instalimin e misionit policor dhe gjyqësor të BE-së.

Unabhängigkeit Kosovo, Feuerwerke über Pristina
Festohet pavarësia në PrishtinëFotografi: AP

Shkurt 2008: Gjermania njeh Kosovën

Pak me vonesë por pavarësia e Kosovës erdhi. Ajo i hapi rrugën marrëdhënieve gjermano-kosovare në nivel shtetesh. Më 20 shkurt 2008 qeveria gjermane, në mbledhjen e parë të saj mbas 17 shkurtit, shpalli njohjen e shtetit kosovar. Po atë ditë një letër e presidentit Horst Këler (Horst Koehler) u nis drejt Prishtinës dhe Zyra Ndërlidhëse e Gjermanisë në Kosovë do të shndërrohej në Ambasadë. Parlamenti gjerman, Bundestag-u, do ta shqyrtonte këtë risi qysh atë ditë.

Edhe pse pavarësia e Kosovës mbështetej nga mbi 90 për qind e deputetëve (vetëm "E Majta" ishte kundër), qeveria e kishte marrë vendimin me "ndjenja të përziera", siç do të thoshte vetë ministri Shtajnmajer në fjalën e tij para parlamentarëve:

Blick auf die Abgeordneten im Deutschen Bundestag
BundestaguFotografi: AP

"Me shqetësim pamë djegjet e flamurit shqiptar në Mitrovicën e Veriut, demonstratat dhe gazin lotsjellës në Beograd. Kosovarët duhet të na kuptojnë edhe për faktin se për ne (evropianët) kufijtë në Evropë nuk duhet të kenë efekt ndarës", tha ai më tej, duke marrë si përgjigje nga deputetët edhe duartrokitjen e parë.

Shtajnmajeri kërkoi mbështetjen e parlamentarëve për Kosovën: "Duhet të përpiqemi së bashku me të gjitha forcat që ta përkrahim Kosovën dhe qytetarët e saj dhe të bëjmë më të mirën, që mundemi. E më e mira është të ndërtojmë nje shtet juridik e te implementojme vlerat demokratike, jo vetem në Kosovë por në të gjithë Ballkanin".

100 milionë euro dhuratë

Premtimi për ndihmë nuk mbeti vetëm në fjalë, por shumë shpejt do të bëhej realitet: Në konferencën e donatorëve të zhvilluar në korrik në Bruksel, Gjermania vë në dispozicon 100 milionë euro, duke zënë kështu vendin e dytë të donatorëve mbas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siç thotë zëdhënësi i ministrisë për zhvillim dhe bashkëpunim, Bethe (Michael Bethe), fushat do të mbeten të njëjta: "furnizimi me energji, përmirësimi i eficiencës energjetike, kanalizimet dhe rrjeti i ujit të pijshëm, reforma administrative, për luftimin e papunësisë, sektori i arsimit fillestar dhe profesional".

08.04.2008 DW-TV Journal Wirtschaft Minireportage Kosovo
Zhvillimi ekonomik - jetik për shtetin e riFotografi: DW-TV

Tre muaj më vonë, në shtator, zhvillohen edhe negociatat e para zyrtare mes dy shteteve. Projekti i parë, që kap shifrën prej 40 milionësh, parasheh ndërtimin e një linje transimisioni elektrik mes Kosovës dhe Tiranës. Shefi i departamentit për Ballkanin në ministrinë e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik, Leo Krojc (Leo Kreuz) i sqaron Deutsche Welles: "Janë 23 milionë Euro dhuratë nga buxheti i shtetit gjerman, plus 17 milionë euro kredi me kushte shumë të leverdishme. Pra pakoja e nënshkruar kap shifrën prej 40 milionë Euro." Pjesa më e madhe është parashikuar të shkojë në financimin e linjës së transmisionit elektrik: Prishtinë-Tiranë.

Plasaritja e parë: Arrestimi i tre agjentëve

Marrëdhëniet ende të brishta gjermano-kosovare deri në tetor duken të shëndetshme: Kur dy diplomatët që do të përfaqësojnë Kosovën në Berlin vijnë në Gjermani, ministria e jashtme ua nxjerr pasaportat diplomatike brenda një dite. Një kohë rekord, thonë specialistët.

Andreas Jackel Kosovo Affäre BND
Arrestimi i agjentëve të BND-s në PrishtinëFotografi: AP

Në nëntor filloi tërmeti i parë, që lëkund bazamentin e sapo ngritur: Tre agjentë të shërbimit të fshehtë gjerman (BND) arrestohen me akuzën për terrorizëm. Çështja shkon deri në parlamentin gjerman. Deputetët nuk e kuptojnë këtë sjellje të një shteti për "të cilin ne kemi derdhur kaq shumë para". Në shtypin gjerman lakohet emri i kryeministrit Hashim Thaçi dhe sipas tyre lidhjet e tij korruptive me krimin e organizuar.

Mbas nëntë ditësh qëndrimi të pajustifikuar në burgjet e Prishtinës tre agjentët lirohen. Shtypi akuzon edhe ministrinë e jashtme gjermane që nuk ushtroi presionin e duhur ndaj qeverisë së Kosovës për të shmangur denoncimin e shërbimit të fsheshtë gjerman. Ministri gjerman i hedh poshtë këto vërejtje: "Ne u përpoqëm me mundësitë që kishim t'i sillnim sa më shpejt në Gjermani tre shtetasit tanë. Jam i kënaqur që kjo ndodhi. Pjesa tjetër nuk ka nevojë për komente, megjithëse duhet thënë se ishte një rast i pazakontë", thotë ai në takimin me Shoqatën e Shtypit të Huaj (VAP) në Berlin.

Kosovo Affäre BND Verdächtige vor Gericht
Tre agjentët gjermanë në PrishtinëFotografi: AP

Një rast i pazakontë, sepse probleme të tilla mes dy shteteve mike zgjidhen heshturazi e jo me denoncim para mediave, ashtu siç ndodhi në Kosovë. Kryeminsitri Thaçi dhe presidenti Sejdiu fajësuan mediat. Qarqet qeveritare nga Berlini mendojnë ndryshe: "Herës tjetër do të mendohemi pak më mirë kur të shpërndajmë ndihmat për Kosovën," - thuhet në zyrën e kancelares Merkel.

Thaçi bën një përpjekje për pajtim dhe dërgon në Berlin zëvëndësministren e jashtme, Vlora Çitakun për të shprehur keqardhjen në mediat gjermane: "Na vjen shumë keq, por nuk mund të ndjehemi fajtorë për diçka që nuk e kemi bërë," thotë ajo në Deutsche Welle dhe në të përditshmen gjermane "Die Welt". Në qarqet qeveritare në Berlin dëgjohet sërish pakënaqësi ndaj shtetit më të ri të Evropës.