1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Filip Riker: Ndarja e Kosovës nuk është opcion

Zëvëndësndihmëssekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Filip Riker deklaroi në Prishtinë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut, tha ai.

Barrikada serbe në veriun e Kosovës

Barrikada serbe në veriun e Kosovës

Zëvëndësndihmëssekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Filip Riker i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tavolinën e bisedimeve me qëllim që të arrijnë marrëveshje për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ai përjashtoi çdo mundësi të ndarjes së Kosovës, apo të një autonomie të veçantë për veriun e Kosovës. Filip Riker, gjatë vizitës në Kosovë zhvilloi biseda me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kabinetin e tij dhe i vetëm mbajti një konferencë të shkurtër për media.

SHBA përshëndet bashkëpunimin KFOR - qeveri kosovare

Riker: “Ndarja nuk është opcion, kjo është shumë e qartë për politikën amerikane. Edhe kolegët tanë, përfshirë edhe ministrin e Jashtëm gjerman e kanë bërë të qartë këtë. Ne e mirëpresim mirëkuptimin ndërmjet KFOR-it dhe qeverisë së Kosovës për të mbajtur nën kontroll gjendjen në veri të Kosovës. Kosova ka të drejtë, sepse është një vend sovran dhe i pavarur për të shtrirë autoritetin në të gjithë vendin dhe kjo ka të bëjë vetëm me rendin dhe ligjin."

Trupa të NATO-s mbështesin KFOR-in për qetësimin e gjendjes në veri

Trupa të NATO-s mbështesin KFOR-in për qetësimin e gjendjes në veri

Zëvëndës-ndihmës-sekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë Filip Riker, përjashtoi mundësinë që të ketë bisedime për veriun në kuptimin që ky rajon të ketë një autonomi të veçantë. Ai tha se për këtë pjesë, fokusi duhet të jetë vetëm vendosja e rendit dhe ligjit.

Të vazhdojë dialogu Serbi-Kosovë

Riker: “Duhet të fokusohemi në shtrirjen e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Kosovës. Duhet të vazhdohet me planin e Marti Ahtisarit dhe të ndërmerren hapat e nevojshëm me këtë plan. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i qartë dhe duhet të lëmë anash temat për pjesë të territorit. Ne shohim tek vendet e tjera në rajon që kufijtë janë vendosur dhe kufijtë nuk duhet të ndryshojnë”.

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Filip Riker, tha se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojë me dialogun e filluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në fillim të shtatorit, duke ftuar palët që të fokusohen në përmirësimin e jetës së qytetarëve për të gjitha komunitetet.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi