FIFA: Kosova mund të luajë ndeshje miqësore në futboll, por me kushte | Ballkani | DW | 14.01.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

FIFA: Kosova mund të luajë ndeshje miqësore në futboll, por me kushte

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) i ka lejuar Kosovës që të luajë ndeshje miqësore. Por kombëtarja dhe ekipet e Kosovës duhet të respektojë edhe disa kushte që nuk i kanë vendet e tjera.

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) vendosi që kombëtarja e Kosovës dhe ekipet e saj në ndeshjet miqësore të mos kenë mundësinë e paraqitjes me simbolet e shtetit: flamurin, himnin dhe që të mos ketë të drejtë të organizojë lojëra miqësore me shtetet e ish Jugosllavisë. Kjo do të thotë se ndeshjet miqësore të kombëtares dhe ekipeve kosovare, nuk do të mund të zhvillohen me Kroacinë (siç është përfolur së fundi), Maqedoninë, Malin e Zi apo Slloveninë (Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës).

Në foto, Sepp Blatter

Në foto, Sepp Blatter

Komisioni për Çështje Emergjente, i kryesuar nga kryetari i FIFA-s, Sepp Blatter e ka marrë këtë vendim pas konsultimeve me përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe të Serbisë, të cilat janë mbajtur të premten e kaluar.

"Ky vendim paraqet mbështetje për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe konfirmon edhe një herë fuqinë shumë të madhe të sportit tonë për të afruar njerëzit mes vete", citohet Blatter të ketë deklaruar gjatë këtij takimi.

Reagimet kryesisht pozitive

Sipas këtij vendimi, kombëtarja e Kosovës mund të organizojë ndeshje me më shumë se 200 anëtare të tjera (përveç shteteve të ish Jugosllavisë) të FIFA. Në fanellat e kombëtares mund të shkruajë vetëm "Kosova" dhe do të jetë edhe fusnota, për të cilët është rënë dakord edhe gjatë bisedimeve në Bruksel.

Federata Serbe e Futbollit, dhe Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) e kanë penguar deri tani Blaterin dhe FIFA-n që Kosova të paraqitet në arenën ndërkombëtare. Ndeshjet miqësore të Kosovës duhet të paraqiten 3 javë para mbajtjes së tyre. Ndërkohë që burimet në Beograd thonë se FIFA e ka për obligim që për këto ndeshje ta informojë edhe Federatën Serbe të Futbollit (FSS).

Në kumtesën e FIFA thuhet se "çdo shkelje e marrëveshjes do të thotë tërheqje automatike e marrëveshjes dhe anulim i mundësisë për mbajtjen e ndeshjeve miqësore".

FIFA-Logo

Autoritetet kosovare të futbollit e kanë quajtur këtë vendim si një hap shumë të rëndësishëm në fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës si shtet i pavarur. Ato shpresojnë se kombëtarja e Kosovës shpejt do të ketë mundësinë të luajë edhe me simbolet e shtetit. Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi e ka përshëndetur këtë vendim dhe i ka uruar "të gjithë opinionit sportiv në përparimet e bëra". "Jam i bindur se së shpejti Federata e Futbollit e Kosovës do të jetë antëtare me të drejta të barabarta në FIFA dhe UEFA, sikur edhe të gjitha anëtaret e tjera", shkruan Thaçi në Facebook, të cilin kohët e fundit e ka përdorur shpesh për të shprehur mendimet e tija zyrtare.

Kryeministri i Kosovës theksoi se Qeveria dhe ai do t'i ndihmojnë ekipet kosovare dhe futbollin e vendit me të gjitha mundësitë. Këtë vendim e ka përshëndetur edhe minsitri i Sportit dhe Rinisë, Memli Krasniqi. "Fituesi më i madh sot është futbolli kosovar, i cili do të ketë mundësinë e paraqitjes në skenën ndërkombëtare", theksoi Krasniqi. Reagimet e para të qytetarëve kanë qenë kryesisht pozitive, por ka pasur edhe vërejtje për shkak që Kosova nuk mund të përdorë simbolet e shtetit të saj.