1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fetarë fanatikë në fshehtësi

12 Mars 2012

Terrorizmi i djathtë po largon vëmendjen nga rreziqet e ekstremizmit me motive fetare. Skena e salafistëve radikalë bie në sy më shumë se të gjitha.

https://p.dw.com/p/14IzF
Screenshot youtube Abu Usama al-Gharib
Screenshot youtube Abu Usama al-GharibFotografi: youtube.de

"Ne duhet të kuptojmë se islami është një fe e veprimit, fe e veprave(…). Secili prej nesh duhet ta dijë se synimi është parajsa. Mos të humbasim kohë, le të shkojmë atje." Kështu thotë një mesazh i një të konvertuari radikal dhe të dënuar, i cili mendohet të kthehet sërish në Gjermani. Kjo thirrje i drejtohet skenës salafiste në Gjermani, një pakice myslimane që orientohet në një model të etërve themelues myslimanë. Idhtarët e salafizmit nuk i pranojnë ndryshimet historike të fesë myslimane. Salafistët janë aktualisht grupimi që prezantohet më shumë në Gjermani dhe është aktiv kryesisht në landin e Nordrajn Vestfalisë, krahas Ulmit, Frankfurtit dhe Berlinit. Spektri përfshin të parrezikshmit, idhtarë të orientuar vetëm tek besimi deri tek salafistët që favorizojnë dhunën. 

Tokë pjellore për kriminalizim

Salafizmi politik vlerësohet si tokë pjellore për proceset e radikalizimit, që çojnë të rinjtë në qorrsokaqe kriminele. Zhvillimet aktuale bëjnë të qartë se ekstremizmi me motive fetare vazhdon të përbëjë rrezik si dhe më parë. "Ne jemi të shqetësuar se salafistë që njihen në skenën mbirajonale vijnë në landin e Nordrajn Vestfalisë. Por më këtë fakt nuk mund të nënkuptosh kualifikimin e rrezikut," thotë Mathilde Koller, e cila drejton Zyrën për mbrojtjen e kushtetuës në këtë land. Të rinjtë janë grupi ku drejtohen më shumë salafistët, edhe sepse të rinjtë janë shumë të ndjeshëm ndaj mesazheve që japin zgjidhje të thjeshta për jetën.

Mathilde Koller, drejton Zyrën për mbrojtjen e kushtetuës në Nordrajn Vestfali
Mathilde Koller, drejton Zyrën për mbrojtjen e kushtetuës në Nordrajn VestfaliFotografi: Ministerium für Inneres und Kommunales NRW

Pionierë të "xhihadit në internet" vetëm në Frankfurt

Arsye për shqetësim jep vendosja e austriakut Mohammed Mahmoud në Gjermani në fund të vitit 2011. Fillimisht ai jetonte në Berlin, pastaj mori përsipër një xhami të diskutueshme në Solingen. Tani 26 vjeçari që e quan veten "Abu Usama al-Gharib“, është lajmëruar në zonën e Franfkurtit. Që prej lirimit nga burgu në Austri, ai është duke mbajtur seminare islami në gjithë Gjermaninë, dhe bën reklam në internet për mësimet salafiste. Islamisti më i njohur austriak, vlerësohet si pionier i "xhihadit në internet" që duhet të ketë qenë përgjegjës edhe për prodhimin e videove kërcënuese. Njëkohësisht ish rapp-isti "Deso Dogg“ është zhvendosur nga Berlini në Bon. Ai është larguar nga muzika dhe i është kthyer predikimeve të pikëpamjeve salafiste duke e quajtur veten "Abu Talha“.
Shoqata islamiste me qendër në Mönchengladbach e quajtur "Ftesë në parajsë“ është shpërbërë– Por kjo nuk do të thotë se rreziku ka kaluar: "Sa kohë që njerëz më synime të tilla shfaqen nëpër qytete dhe tërheqin vëmendjen me aksionet publike, duhet bërë kujdes," thotë deputeti i landit Nordrajn Vestfalisë Hans Willi Körfges (SPD) .  

Islamisti nga Boni, Bekkay Harrach në video kërcënuese në youtube, 2009
Islamisti nga Boni, Bekkay Harrach në video kërcënuese në youtube, 2009Fotografi: picture-alliance/ dpa

Aleancat qytetare mbrohen nga islamizmi

Zhvendosja e vendbanimit të duos së predikuesve shihet si akt i përqëndrimit të skenës gjermanofolëse të salafistëve në landin e Nordrajn Vestfalisë. Megjithatë skena është shumë dinamike, kështë që qendrat mund të zhvendosen shpejt. Mbrojtje të sukseshme arriti të kishte një aleancë qytetare në Solingen. Refuzimi i aktiviteteve të austriakut "Abu Usama al-Gharib“ në hapësirën e xhamisë "Millatu-Ibrahim" ka mundësi që të ketë sjellë ndryshimin e vendbanimit në Franfkurt. Megjithëse Zyra për mbrojtjen e kushtetutës nuk shikon rreziqe të mëdha, mendon se shqetësimi ekziston me të drejtë se të rinjtë mund të presin me brohoritje predikues të tillë.

Autor: Ulrike Hummel

Redaktoi: Aida Cama