1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Festa e futbollit - Organizatorët nxjerrin bilanc pozotiv të Euro 2008

Arnulf Boettcher29 Qershor 2008

Me finalen mes Gjermanisë dhe Spanjës u mbyll Kampionati Evropian i Futbollit në Vjenë. Eshtë ky pikërisht çasti që organizatorët të nxjerrin bilancin. Ky kampionat ishte një festë e paqtë e tifozëve me futboll të mirë.

https://p.dw.com/p/ET2G
Artist rruge në Vjenë në ditën e finales së Euro 2008Fotografi: AP

Futbolli EURO 08 tashmë i përket së shkuarës, dhe Heinz Palme, koordinatori i qeverisë austriake flet me superlativa: „Ky është padyshim Kampionati më i mirë Evropian në histori. Ndonëse këtë e dëgjojmë shpesh herë të thuhet prej organizatorëve, Kampioanti i sivjetëm Evropian sërish shënoi një hap përpara. Kjo ishte një festë e mrekullueshme e ngjashme me atë të Kmapionatit Botëror 2008 në Gjermani."


Heinz Palme si një ndër përgjegjësit kryesorë të organizatorëve vlerëson vetveten, por edhe thekson një sërë argumentash për këtë bilanc pozitiv pas tri javësh futboll: „Siguria ishte në nivelin e duhur, organizimi i trafikut ishte gjithashtu në nivelin e duhur, ndërsa moti qe me luhatje. Ka pasur momente të bukura, por edhe të vështira. Megjithatë në përgjithësi u realizuan e madje edhe u tejkaluan pozitivisht ato që parashikonim.“


Përpara kampionatit ekzistonte frika si në Austri edhe në Zvicër për trazira nga huliganët, por sipas Günther Marek, Koordinator i Sigurisë nga Ministria e Brendëshme në Vjenë edhe në këtë drejtim bilanci është pozitiv: „Krahasuar me numrin e madh të tifozëve, që kemi në Austri, incidentet dhe kallëzimet në polici kanë qenë shumë të pakta. “


Përveç disa incidenteve të vogla, kryesisht për shkak të konsumimit të lartë të alkoolit, situata ishte e qetë. Në fakt në hapje të kampionatit në Klagenfurt pati probleme me tifozë gjermane problematikë, të cilët provokuan me parrulla ekstremiste të djathta, siç nënvizon edhe Günther Marek:

„Në Klagenfurt vërtetë nuk pati vetëm potencial paqësor, por edhe ata që u munduan të shkaktojnë trazira ne shumë shpejt i vumë nën kontroll.“

Pavarësisht këtij rasti, Marek vlerëson qëndrimin pozitiv të tifozëve gjermanë.


Anja Richter nga Komiteti Koordinues i kampionatit në Vjenë, nxjerr në pah një moment emocional të këtij kampionati, që sipas saj do të mbetet në kujtesë: „Çasti kur turqit festonin bashkë me vjenezët dhe vjenezët duartrokisnin e u hidheshin në qafë turqve. Ndërkohë që turqit brohorisnin për Austrinë. “


Vend për kritikë megjithatë pati, siç ishte p.sh. marketingu strikt nga ana e UEFA-s, që në zonat e tifozëve lejonte vetëm produkte të përcaktuara prej saj. Popullsia e vendeve organizatore iu shmang zonave të tifozëve. Sa i përket atmosferës për këtë ishin përgjegjës miqtë dhe të ardhurit. Heinz Palme thekson dy arësye: „Kjo reduktohet për shkak të madhësisë relative të dy vendeve organizatore. Nga ana tjetër asnjëri nga ekipet e vendeve organizatore nuk arriti të dalë në çerekfinale. Kjo vetëkuptohet që e ndrydh disi euforinë. “


Megjithatë Günther Marek nxjerr një bilanc pozitiv të Kampionatit Evropian të Futbollit 2008: „Ishte vërtetë një festë e bukur. Kjo vlen për të gjithë edhe për grupin e spanjollëve, prej nga patëm imazhe të larmishme me Suedinë, Portugalinë dhe Italinë, ekipe këto që në fund ishin pak të dëshpëruar. Por në të vërtetë unë mund të raporotj vetëm pozitivisht për këtë kampionat.“