1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Fermerët e mëdhenj në Gjermani mund të humbasin subvencione nga BE

Më pak para nga Brukseli për fshatarët në Gjermani. Komisioni i BE do të reduktojë tek fermerët e mëdhenj dhe do të investojë në projektet për ambjentin.

default

Ujitja e një fushe

Fshatarët e Gjermanisë do të kenë më pak subvencione agrare nga Brukseli. Komisari i BE-së për çështjet agrare, Dacian Ciolos, pas vitit 2013 synon t'ua shpërndajë në mënyrë më të drejtë subvencionet direkte vendeve anëtare. Nga kjo mund të përfitonin fshatarët e Evropës Lindore.

Belgien EU Rumänien Landwirtschaftkomissar Dacian Ciolos

Dacian Cioloş, Komisari i BE-së për çështje agrare

Ndërsa fermerëve të mëdhenj gjermanë do t'u binte të merrnin më pak. Propozimet e tij për reformën e përgjithshme të politikës agrare janë pritur me skepticizëm nga qeveria gjermane dhe shoqata e buqjve gjermanë. Ndërsa nga shoqatat mjedisore ato janë mirëpritur.

Sidomos Gjermania dhe Franca kanë deklaruar se do të bëjnë rezistencë. Momentalisht fshatarët gjermanë marrin 300 euro për një hektar sipërfaqe të mbjellë, ndërsa kolegët e tyre në Lituani psh 100 euro. Tani Brukseli rekomandon aplikimin e një norme unike, që për Gjermaninë do të thotë shkurtim i parave me një të tretën. Komisari me prejardhje nga Rumania tha: «Një ndarje më e drejtë nuk do të thotë, që të gjithë bujqit spanjollë, francezë dhe gjermanë do të marrin më pak ndihma dhe të gjithë polakët, bullgarët, apo letonët më shumë." Paratë do të rindahen ndërmjet shteteve, por edhe rajoneve dhe sektorëve.

Ciolos për bashkërendimin e subvencioneve me masat për ruajtjen e mjedisit

Për reformën, që do të vlejë për periudhën nga viti 2014 deri 2020, do të ketë në dispozicion shumë para. Arkat për financimin e sektorit bujqësor me afro 56 miliardë euro janë fondi më i madh në buxhetin e BE. Bujqit gjermanë kanë marrë vitin e kaluar 6,9 miliardë euro. Planet e Ciolos janë baza për bisedimet me shtetet anëtare dhe me parlamentin evropian.

Flash-Galerie Naturschutzanalyse von BUND und NABU

Fermë biologjike në Ifenthal, në Zvicër

Propozimin përfundimtar Komisioni do ta paraqesë në mesin e vitit 2011

Synimin e tij Ciolos e përshkroi me fjalët: «Politika e përbashkët agrare duhet të jetë më ekologjike, më e barabartë dhe efikase.» Komisioni i BE do të vendosë kufij maksimalë për ndërmarrje të mëdha bujqësore për të bërë më mirë shpërndarjen ndërmjet biznesit të madh dhe të vogël. Bujqit do të marrin nga BE vetëm një lloj sigurimi bazë, ndërsa subvencionet e tjera duhet të ndërlidhen me kriteret e ambjentit. Këtu bëjnë pjesë përmirësimi i kushteve të mbajtjes së kafshëve, mosmbjellja për një periudhë të caktuar dhe ndryshimi i bimës së mbjellë. "Shpesh kjo kërkon pak arsye dhe jo investime të mëdha", tha komisari.

Ministrja gjermane e Bujqësisë dhe shoqata e bujqve kritikojnë propozimet

Deutschland Kabinett Ilse Aigner CSU Landwirtschaftsministerin

Ministrja e Bujqësisë, Ilse Aigner

Ministrja gjermane e Bujqësisë Ilse Aigner (CSU) bëri të ditur se do të kundërshtojë kufirin maksimal për fermerët e mëdhenj. Ajo tha se nuk mund ta mbështesë një gjë të tillë. Menaxhimin në bazë të standarteve të larta duhet ta bëjnë të gjithë fermerët, qofshin të mëdhenj, apo të vegjël. Aigner porositi që të mos i bëhen shumë lëshime shteteve të Evropës Lindore. «Ne jemi të gatshëm, të pranojmë në një masë të caktuar një përafrim, por refuzojmë çdo përpjekje për të krijuar uniformitet." Ministrja ishte kritike ndaj propozimit, që subvencionet direkte të lidheshin me respektimin e normave për mbrojtjen e mjedisit. «Natyra nuk përfiton, nëqoftëse në fund lulëzon vetëm burokracia".

Edhe shoqata e fshatarëve gjermanë kritikoi planet, për të ulur subvencionet agrare. "Kompensimet janë krejtësisht të justifikuara" tha Presidenti i shoqatës së fshatarëve, Gerd Sonnleitner në ZDF. Varësia më e madhe e subvencioneve direkte nga kontributet në favor të mjedisit, sjell më shumë burokraci, vlerëson shoqata. Grupi parlmantar i unionit i refuzoi plotësisht planet. Propozimi sjell më shumë burokraci dhe më pak subvencione.

Lëvdata nga shoqatat e mbrojtjes së mjedisit

Shoqata për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës në Gjermani (BUND) foli për një hap të guximshëm dhe të rëndësishëm për mbrojtjen e ambjentit dhe të kafshëve. Shoqata mbrojtjes së natyrës NABU i bëri thirrje Aigner-it që të heqë dorë nga bllokada. Organizata për mbrojtjen e mjedisit Greenpeace paralajmëroi: «Reforma mund të kthehet në reformëz për shkak të rezistencës së shteteve anëtare."

Autor: dpa/Angjelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 19.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QD7s
  • Data 19.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QD7s