1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ferati: Serbët të përcaktojnë vet se si do të duken strukturat e tyre komunale

Qeveria e Kosovës po vazhdon përgatitjet për krijimin e 5+1 komunave të reja me shumicë serbe në bazë të planit të Ahtisarit. Për procesin e krijimit të komunave të reja, flet ministri i pushtetit lokal, Sadri Ferati.

default

Sadri Ferati me Hannelore Klamm, gjatë një vizite në Gjermani (arkiv)


Në krye të procesit për krijimin e 5+1 komunave të reja në Kosovë ndodhet ministria e Pushtetit Lokal. Të enjten (30.04.) është mbyllur konkursi që është hapur për pjesëmarrësit në gjashtë Ekipet Përgatitore për krijimin e kë tyre komunave. Zoti Ferati sa kishte interesim për të marrë pjesë në këto ekipe?


Ferati : "Sipas informacioneve që ne kemi, deri në ditën kur ka qenë afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve, ne jemi të kënaqur me numrin fillestar. Por do të presim edhe ca ditë, siç parashikon ligji, për aplikacionet që do të vijnë me postë. Ne jemi të kënaqur me numrin fillestar, por jo në të gjitha lokalitetet, pasi që në disa prej tyre nuk ka pasur numër të knaqshëm të aplikimeve. Sido që të jetë kjo dëshmon për fillimin e një bashkëpunimi të qytetarëve të komunitetit serb dhe të liderëve lokal. Pasi që t'i shikojmë të gjitha aplikacionet do të mund të japim një konstatim më të saktë por tani për tani ne jemi të kënaqur me numrin e aplikantëtve për ekipet përgatitore".


Po cilat do të jenë detyrat e këtyre ekipeve përgatitore?


Ferati: "Siç parashikohet edhe me termin e punës që është publikuar ndërkohë, detyra primare e tyre do të jetë që të përgatisin këto lokalitete deri në instalimin e strukturave të ardhshme komunale. Pra ato duhet të të bëjnë senzibilizimin, informimin e qytetarëve pastaj në bashkëpunim me komunat amë dhe Komisionin Qendror Zgjedhor duhet të bashkëpunojnë për përpilimin e listave të votuesëve dhe të përkujdesen në mbarëvajtjen e zgjedhjeve me rastin e organizimit të zgjedhjeve lokale këtë vit, sipas mandatit në muajin nëntor. Pastaj në bashkëpunim me qytetarët dhe liderët lokal ata duhet të bëjnë identifikimin e projekteve që do të financohen nga ministria dhe nga donatorët në mënyrë që sa më shpejt të ndikohet drejtpërdrejt në përmirësimin e kualitetit të jetës të qytetarëve në ato lokalitete. Pra të identifikojnë projektet dhe të caktojnë prioritetet e investimeve".


Pra siç e përmendet edhe ju, krijimi i komunave të reja me shumicë serbe lidhet ngushtë me daljen e serbëve në zgjedhjet lokale të vjeshtës. Çka do të ndodhë në rast se serbët sërish vendosin të qëndrojnë larg kutive të votimit?


Ferati: "Po pra është i domosdoshëm edhe bashkëpunimi i vet qytetarëve dhe i liderëve lokalë edhe në fazat përgatitore. Megjithatë vendimtare do të jetë edhe vet dalja në zgjedhje e qytetarëve në mënyrë që sipas parimeve demokratike ata të bartin besimin e tyre tek përfaqësuesit, të cilët më pas do të jenë bartës të proceseve, do të thotë instalimin e strukturave komunale. Ne po bëjmë krejt çka është e mundur që atyre t'iu ndihmojmë në mënyrë që sa më të përgatitur të dalin në zgjedhje. Ne shprehim keqardhjen tonë për ato lokalitete ku ata nuk do të dalin në zgjedhje. Kjo do të jetë edhe një humbje kohe, sepse çdo minutë e humbur, çdo kohë e humbur do të jetë në dëmin e intersave të tyre. Në Kosovë kur flitet për integrimin e komunitetit serb është humbur shumë kohë dhe tani rezultatet janë shumë të vogëla. Pra ne do të shprehim keqardhjen tonë në rast se do të vie deri tek ndonjë vonesë por ajo asesi nuk do të ndodh për shkak të mungesës së angazhimit dhe përkushtimit të institucioneve të Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtar me të cilët ne po bashkëpunojmë. Megjithatë, unë mendoj se çdo ditë e më tepër edhe qytetarët e komunitetit serb po e shohin se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi dhe aktivizimi i tyre në mënyrë që të marrin të drejtat që u granaton kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Dhe fundja do të jenë ata që sipas parimeve demokratike do të mund të qeverisin me ato të drejta në nivel lokal, sikur që ndodh çdokund ku qytetarët përcaktojnë se si do të duket struktura e tyre komunale, se cilët do të jenë akterët që do të mund të instalohen atje dhe do të menaxhojnë në fushë të fuqishme të të drejtave dhe një mundësie shumë të madhe që atyre u jipet me atë rast".


Opozita kosovare ka kritikuar së fundi se në krijimin e komunave të reja me shumicë serbe do të jetë i përfshirë drejtpërdrejt edhe Beogradi zyrtar. Sa janë të vërteta këto pohime?


Ferati: "Meqenëse Republika e Kosovës është një shtet i ri i cili ka trashëguar fatkeqësisht shumë probleme nga e kaluara, kryesisht nga një menaxhim i keq, ne edhe në më parë kemi bërë thirrje të vazhdueshme për mbështetje. Ne do të kemi punë dhe kërkohen angazhime të fuqishme andaj ndihmesa e të gjitha shteteve fqinje e edhe faktorit ndërkombëtar është shumë e mirëserardhur, e në këtë kuadër edhe e Beogradit. Nëse ai me një qëndrim më konstruktiv dhe me një qëndrim do të kishte reflektuar interesimin e tij për të drejtat dhe kualitetin e jetës e pjestarëve të komunitetit serb në Kosovë është i mirëseradhur. Nëse kjo ndihmë dhe qëndrimet më të moderuara dhe qëndrimet që shkojnë në interes të integrimit të qytetarëve serb në shoqërinë kosovare si qytetarë të barabartë, siç garantohet edhe me kushtetutë, atëherë edhe ajo do të jetë e mirëseardhur dhe ne do të jemi të gatshëm të dialogojmë për këtë interes dhe në këto objetiva. Jemi të bindur se kështu më së miri mund të ndihmohen qytetarët e komunitetit serb dhe pastaj si dy shtete fqinje të ndërtojmë perspektivën evroatlatnike, jo vetëm si dy shtete por si rajon në tërësi".

Autor: Esat Ahmeti

Redaktor: Bahri Cani

  • Data 03.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hiw2
  • Data 03.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hiw2