1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ferati: Ministria e pushtetit lokal e gatshme për zbatimin e planit të Ahtisarit

Ministrinë e pushtetit lokal në Kosovë në të ardhmen e presin detyra të mëdha që lidhen ngushtë me procesin e decentralizimit të paraparë edhe në planin e Marti Ahtisarit

Pamje nga Prishtina

Pamje nga Prishtina

Në planin e Marti Ahtisarit decentralizimi përshkruhet si një sistem që ka për qëllim të avancojë qeverisjen e mirë, transparencën dhe efikasitetin e shërbimeve publike. Ministri i ri i pushtetit lokal në Kosovë, Sadri Ferati në një intervistë ekskluzive dhënë programit tonë thekson se ministria që ai do të drejtoj në katër vitet e ardhshme është e gatshme të punoj për jetësimin e këtij plani:


'Plani i Ahtisarit, aktualisht është vetëm një projekt por me një dëshirë që pas një vendimi politik ai të bëhet edhe një fakt ngase është në interesin e qytetarëve të Kosovës. Ne jemi të gatshëm dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet që i njëjti të ndihmohet nga ana e jonë. Po ashtu ne kemi informacione që komunat janë të gatshme dhe ne jemi të bindur që kjo do të mund të implementohet nëpër komunat e Kosovës'.


Duke njohur shqetësimet e komunitetit serb në Kosovë, plani i Ahtisarit, i ofron këtij komuniteti një shkallë të lartë të kontrollimit të çështjeve të veta. Zoti Ferati nënvizon se do të bashkëpunoj ngushtë me lokalitetet me shumicë serbe në mënyrë që bartja e kompetencave nga niveli qendror në atë lokal të vlej edhe për ato:


'Duke marrë parasysh se motivi i decentralizimit dhe i fuqizimit të komunave dhe i bartjes së pushtetit nga niveli qendror në atë lokal është në interesin e qytetarëve por edhe dëshmi e strukturave lokale për qeverisje të mirë, ne mendojmë se ka motiv të plotë edhe nëpër lokalitetet me shumicë serbe, aty ku është e ndërtuar struktura administrativo-politike që të bashkëpunojnë me nivelet qendrore. Ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë të njëjtit që plani i Ahtisarit ose projekti i qeverisjes lokale i bartjes së më shumë kompetencave nga niveli qendror në atë lokal të vlej edhe për lokalitetet ku banon popullata serbe dhe unë pres një bashkëpunim dhe një gatishmëri edhe të pushteteve lokale për të avansuar qeverisjen lokale. Unë besoj që nuk do të ketë dallime mes komunave serbe dhe shqiptare, shqiptare dhe serbe në implementimin e të gjitha vendimeve të qeverisë'.


Sipas planit të Ahtisarit duhet të krijohen gjashtë komuna të reja serbe apo komuna me kompetenca shtesë në Kosovë. Komuna e tanishme e Mitrovicës do të ndahet në dy komuna, në Mitrovicën Veriore dhe Mitrovicën Jugore, të cilat do të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë mes veti të ndihmuara nga një këshill i përbashkët. Zoti Ferati si njohës i mirë i rrethanave në Mitrovicë mendon se kjo është edhe zgjidhja më optimale për këtë qytet:


'Personalisht mendoj se zgjidhja më optimale që ka pasur mundësi të gjindet në raport me gjendjen momentale në Mitrocicë është përfshirë në planin e Ahtisarit. Pra kjo është një zgjidhje optimale dhe duke marrë parasysh që kjo parashihet në planin e Ahtisarit vendimet do të jenë të kësaj natyre adekuate që Mitrovica do të fitoj statusin e qytetit e pastaj organizimi intern brenda qytetit në disa njësi administrativo-politike, pra në komuna, në këtë drejtim ka për qëllim ta tejkaloj gjendjen momentale', nënvizon ministri i pushtetit lokal në Kosovë, politikani i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati.