1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fenomeni Merkel

Anja Fähnle / Eliana Xhani25 Shtator 2013

Ajo është tejet e kursyer me emocionet, fjalimet e saj nuk janë ngazëllyese. Por gjermanët kanë megjithatë një ndjenjë të mirë me Kancelaren e tyre dhe dëshërojnë shumë vazhdimësinë.

https://p.dw.com/p/19o8E
Kancelarja gjermane Angela Merkel
Fotografi: Reuters

"Angela Merkel është inteligjente dhe punëtore“, thotë biografja e Merkelit, Jacqueline Boysen. Ajo është pakorruptueshme dhe kjo i jep shumë popullaritet. Por ka edhe diçka tjetër që gjermanët vlerësojnë tek ajo: në një studim të Institutit Rheingold në Köln psikologët kanë studiuar pak para zgjedhjeve parlamentare ndjenjat e gjermanëve dhe kanë pyetur se çfarë dëshërojnë qytetarët gjermanë më shumë. Dhe pas krizës financiare dhe të euros ata dëshërojnë më shumë se çdo gjë vazhdimësi, orientim dhe qetësi. „Kjo është pikërisht ajo çka besojnë se gjejnë tek Angela Merkel“, thotë Thomas Kirschmeier nga Instituti Rheingold. Për ta Angela Merkel është një shkëmb i fortë në mes të stuhisë.

Për Merkel përparësi ka gjithnjë çështja dhe jo egoja e saj personale, thotë ekspertja Boysen në intervistë me DW: „Njerëzit e besojnë që ajo nuk dëshëron të mbetet në pushtet për hir të pushtetit.“ I besojnë kur në fillim të një legjislature thotë fjalinë: Unë dua t'i shërbej vendit.

Mandat të tretë - gjermanët ndihen mirë me Kancelaren e tyre
Mandat të tretë - gjermanët ndihen mirë me Kancelaren e tyreFotografi: Reuters

Merkel si reflektim i imazhit të gjermanëve?

Në zgjedhjet e sivjteshme për Bundestagun, qytetarët gjermanë i dhanë Unionit Kristiandemokrat/Kristiansocial (CDU/CSU) me në krye Angela Merkelin, gati 8 për qind më shumë se në zgjedhjet e kaluara. A ka të bëjë kjo ndoshta me faktin që gjermanët e shohin Angela Merkelin si reflektim të imazhit të tyre?

"Kështu shihet jashtë Gjermanisë“, thotë biografja e Merkelit, „pasi Kancelarja mishëron virtyte si përpikmëria dhe pragmatizmi.“ Veç kësaj ajo konsiderohet e besueshme. Shumë qytetarë gjermanë vlerësojnë mjaft edhe mënyrën e qetë të Merkelit në marrjen e vendimeve, thotë Kirschmeier në intervistë më DW.

Kritika: Merkel i lë problemet të gjejnë vetë zgjidhje

Por kritikët e akuzojnë pikërisht për këtë Merkelin. Drejtuesi i punës së grupit parlamentar të socialdemokratëve gjermanë (SPD) Thomas Oppermann, e akuzon p.sh. Merkelin se ajo i shmanget zgjidhjes së problemeve dhe edhe në skandalin e përgjimeve në lidhje me programin 'Prism' ngarkoi fillimisht ministrin e Brendshëm Hans-Peter Friedrich të merrej me çështjen dhe vetëm disa javë më votë shprehu qendrimin e saj. Një tjetër kritikë: kancelarja është shumë pak vizionere dhe nuk shpjegon kurrë se ku çojnë vendimet e saj.

Por pikërisht kjo e dallon mënyrën e veprimit të Kancelares, gjykon biografja e Merkelit, Boysen:“Ajo është plotësisht e zhveshur nga ideologjia dhe nuk është e lidhur me tradita të vjetra të cilat ia përcakton programi i partisë.“ Dhe këtë liri ajo e ka shfrytëzuar për të modernizuar partinë e saj: me futjen e ndihmës për prindërit, heqjen e shërbimit të detyruar ushtarak, daljen nga energjia bërthamore.

Poster elektoral për zgjedhjet parlamentare 2013
Fotografi: Reuters

Këtë besim të thellë tek Kancelarja nuk arritën ta trondisin kritikët nga partitë e tjera politike si SPD dhe ekologjistët, madje as me vërejtje të mprehta. Ish kryetarja e ekologjistëve gjermanë Claudia Roth e kishte akuzuar p.sh. Merkelin se po bënte një fushatë elektorale me valium dhe vakuum, për t'iu shmangur sa të ishte e mundur temave polemike. Por qytetarët mendonin ndryshe. Sipas studimit ata ndjehen mirë me Angela Merkelin në krye të qeverisë.

"Mami Merkel“ do t'i vërë punë në vijë

Jo pa arsye ajo shihet nga si nëna e kombit. „Angela Merkel ka tipare të nënës. Ajo i mban ku më shumë e ku më pak duart e saj mbrojtëse mbi Gjermaninë“, thotë Kirschmeier. E megjithëse Angela Merkel nuk ka asnjë fëmijë, asaj i është vënë epiteti „mami“, nga vetë partia e saj. Ky epitet fillimisht nuk thuhej aspak me dashamirëse. Kundërshtarë brenda partisë donin t'i vishnin asaj karakterista të një klloçke duke aluduar me të kaluarën e saj në lindje të Gjermanisë. Por ndërkohë epiteti „Mami“ ka ngjyrim pozitiv “pasi me sa duket zgjedhësit kanë besim tek Angela Merkel, ajo kujdeset“, thotë ekspertja Boysen.

Tani si Kancelare në detyrë Angela Merkel kujdeset për punët e përditshme të postit dhe është në kërkim të partnerëve të mundshëm për koalicion. Biografja e Merkelit nuk e sheh të mundshëm një koalicion me ekologjistët, por shton: „Angela Merkel ia ka dalë mbanë gjithë këto vite të na habisë."

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17112957,00.html