1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

1914 - Lufta e I Botërore

Fenomeni i ri i trukimit të ndeshjeve në Shqipëri

UEFA bashkë me ekspertët shqiptarë po heton për të paktën tre ndeshje të superligës së Shqipërisë, që dyshohet se janë trukuar për qëllime fitimi. Trukimi, ose fiksimi i rezultatit të ndeshjes janë dukuri të reja.

default

Pamje simbolike Një skuadër shqiptare futbolli gjatë trajnimit

Dyshimet e forta për trukimin e ndeshjeve të futbollit në ndeshjet e këtij sezoni të superligës shqiptare nuk janë më një problem i brendshëm. Zyrtarisht UEFA ka vënë në shënjestër të paktën tre ndeshje që mendohet se kanë patur fiksim rezultati për qëllime fitimi. Ata që ndjehen më të prekur nga ky fenomen janë fansat e futbollit që çdo fundjavë mbushin shkallët e stadiumeve në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të vendit.

Evani, një 21 vjeçar thotë se është i zhgënjyer nga rezultatet false në fushën e blertë, ndaj për dy muaj nuk ka shkelur në stadium. “Më vjen keq që trukohen ndeshjet, sepse nuk ka më lojë të bukur në stadiumet tona. Me lojë mediokre dhe rezultat të trukuar nuk të vjen të shkosh më në stadium. Pasi çdo gjë dihet se si do të shkojë. Si në film kur gjithshka ecën sipas skenarit...”

Tre ndeshje janë nën hetim për trukim rezultati

Kurse Arjani, student në juridik, fajëson Federatën e Futbollit që nuk ndërhyn në këto situata dramatike për kampionatin shqiptar. “Ajo nuk ndërhyn që të ndërmarë masa për të ndaluar trukimet, siç mund të jenë gjobitje ndaj klubeve, ose përjashtim të tyre nga kategoria superiore, të luajë ekipi një kategori më poshtë, ose ta nisë kampionatin e ri më disa pikë më pak.”

Mr. Lirim Zalla,drejtor i marrëdhënieve me publikun ne Federatën Shqiptare të Futbollit

Lirim Zalla, drejtor i marrëdhënieve me publikun ne Federatën Shqiptare të Futbollit

Lirim Zalla, drejtor i marrëdhënieve me publikun ne Federatën Shqiptare të Futbollit, FSHF, thotë se në lidhje me trukimin e rezultateve të ndeshjeve në Superligën e Shqipërisë deri më tani ka vetëm dyshime. Janë sipas tij tre ndeshje për të cilat supozohet se ka elementë të fiksimit të rezultatit dhe se gjithçka ka ndodhur në to po merret në shqyrtim të hollësishëm.

Për këtë ka dhe një bashkëpunim me UEFA-n për të zbardhur të vërtetën, thotë Zalla për DW, duke shpjeguar ndihmën konkrete që ajo jep. “UEFA ka inspektorët e vet, të cilët grumbullojnë informacionin e duhur dhe arrijnë në konkluzione. Informacioni vjen nga shumë drejtime. Është i brendshëm, por dhe ndërkombëtar, kjo pasi në trukim parashikohet të luhet me kompanitë e huaja të basteve. Për këtë ata janë të lidhur që të mbledhin fakte që të çojnë në zbardhjen e këtij fenomeni. Natyrisht për të arritur në vërtetimin e këtyre dyshimeve duhet kohë, hetimi zgjat, sepse nuk është e lehtë që psh sot të dyshohet për një ndeshje të trukuar dhe nesër të kemi përfundimin. Kështu që ne jemi në fazën e bashkërendimit të punës me UEFA-n dhe në rast se do të vërtetohet qoftë edhe një pikë e vogël për fiksimin e ndeshjes, atëherë FSHF, në bazë të rregullores e statutit që ka është e gatshme për të dhënë dënime ekstreme për individë apo skuadër”.

Tolerim apo trukimi rezultati?

Endi Tufa, komentator sportiv në Televizionin kombëtar Top Channel shikon se zhurma ose ngritja e zërit për dyshime trukimesh është një gjë pozitive në opinionin sportiv, pasi bëhet frenuese për tentativa të tjera të mundshme. Ai thotë se në superligën shqiptare më shumë se sa trukimi ekziston fenomeni i tolerimit të rezultateve. Psh një skuadër në javët e fundit të kampionatit lejon për ekipin kundërshtar një rezultat që ta favorizojë që të mos bjerë nga kategoria, ose që të ketë një vend më të mirë në renditje.

Mr. Endi Tufa, sports editor at Top Channel TV, speaking for DW. Author: Arben Muka /DW Correspondent in Albania Time: 27.04.2011 Place: Tirana / ALBANIA

Endi Tufa komentator Top Channel TV

Trukimi i ndeshjeve ndodh aty ku ka interesa të kompanive të basteve, pra në kampionate dhe evente të rëndësishme, të cilat dhe “listohen” nga kompanitë e basteve, thotë Endi Tufa për DW. “Duke qënë se kemi një nivel të ulët të kampionatit shqiptar, një nivel të ulët besueshmërie, kompanitë e basteve, për fatin tonë të mirë, të paktën nuk kanë ndërhyrë në ato nivele si në rastet e kampionateve të vendeve të tjera. Ndaj për këtë unë them se ka më shumë tolerimi rezultati, se sa trukim apo fiksim rezultati”.

Megjithatë Tufa mbron idenë që për rastet e dyshuara si trukim duhet të futet aplikimi i asaj që konsiderohet si “prova televizive”, që ajo të bëhet pjesë e raportimeve që bëjnë vëzhguesit e ekspertët mbi një ndeshje të dyshuar. Lirim Zalla, drejtor i marrëdhënieve me publikun ne Federatën Shqiptare të Futbollit, mendon se legjislacioni shqiptar është i plotë, për të parandaluar ose goditur këtë fenomen të shëmtuar që dëmton bukurinë dhe imazhin e sportit më popullor në botë. Por ai shton se mund të ketë edhe ndonjë përmirësim ligjor. “Është një fenomen i ri në fushat shqiptare, e për këtë sektori juridik pranë FSHF-së po e shqyrton formatin ligjor aktual për të parë mundësi të ndërhyrjes me qëllim përmirësimin e tij”, thotë Zalla për DW.


Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi