1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Fenomen gjermanolindor? Urrejtja kundër të huajve

Protestat armiqësore kundër të huajve në Bautzen und Klausnitz preokupojnë politikën dhe shoqërinë gjermane. Pse në Lindje të Gjermanisë, sidomos në Saksoni janë shtuar aktet ekstremiste kundër të huajve?

Duartrokitjet për djegien e një strehimoreje azili janë në të vërtetë pika kulmore e një zhvillimi afatgjatë, të fiksuar në statistika të trishta. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Gjermani, gjysma e akteve të dhunës me sfond racist janë kryer në landet gjermano-lindore. Një rritje 40% krahasuar me vitin e kaluar. Sulmet kundër të huajve, demonstrata të dhunshme, vandalizmi gjenden kryesisht në Lindje, thonë edhe të dhënat e organizatave Pro Asyl dhe fondacionit "Amadeu Antonio Stiftung".

Që pas sulmit kundër një strehimoreje në Hoyersverda (në qarkun sakson të Bautzenit) në vitin 1991, e më tej në këto 25 vite politologët dhe sociologët studiojnë shkaqet e rritjes së dhunës esktremiste të djathtë, që pasqyrohet me fenomenin „Pegida“, me partitë ekstremiste NPD dhe AfD. Konkluzioni i tyre: Nuk ka një përgjigje përfundimtare, por një bashkëveprim të shumë shkaqeve. Më shpesh përmenden arsyet:

Frika nga humbja dhe e panjohura

Pas rënies së Murit të Berlinit jeta e njerëzve në Lindjen gjermane, ish-Republika Demokratike Gjermane, ndryshoi radikalisht. Sistemi i ri ekonomik solli me vete papunësi të lartë, që nuk njihej në ekonominë se planifikuar ocialiste. Sociologu David Begrich thotë se më shumë se gjithçka njerëzit i ka tronditur fakti „që biografitë dhe përvoja profesionale papritur humbasin vlerën brenda një dite, dhe gjithçka duhet mësuar nga e para, e tani sërish ata duhet të mësohen me ndryshime të tjera.” Fjala është për fluksin e refugjatëve. Subjektivisht sundon ndjenja se ata mund të humbasin gjithçka sërish. Ndjenja e frikës dhe pasiguria, ndjesia e të qenit i përjashtuar nga zhvillimet sundon në përgjithësi, thotë Hans Vorländer, Profesor i Shkencave Politike në Universitetin Teknik të Drezdenit.

Mijëra vetë nga rajonet e Saksonisë dhe Pomeranisë largohen. Kjo sjell me vete probleme të tjera sociale dhe ekonomike që konkludojnë në mungesën e perspektivës. Tom Mannewitz, studiues i ekstremizmit në Universitetin Teknik të Chemnitcit thotë se „humbësit subjektivë të transformacionit kërkojnë një grup tjetër për ta kompensuar këtë ndjesi“. Pakënaqësia me veten projektohet tek të huajt, kryesisht tek të huajt me një fe tjetër të panjohur, islamin.

Pak kontakte me të huajt

„Shoqëria gjermanolindore po i zbulon tani – 25 vite pas bashkimit të Gjermanisë fenomene si diversiteti. Më parë ajo ka qenë një shoqëri homogjene”, thotë eksperti David Begrich. Faktikisht numri i të huajve në të gjithë popullatën e Gjermanisë Lindore pas Luftës së Dytë Botërore përbënte 2-4% të popullsisë. Ka pasur “punëtorë me kontratë” në RDGJ, por këta ishin njerëz që vinin nga vendet “vëllezër socialiste” si Vietnami, Hungaria, Kuba, Mozambiku.” Regjimi i atëhershëm i fuste ata në strehimore të posaçme. Deri në vitin 1988 madje grave iu ndalohej të kishin fëmijë, “getoizimi i atëhershëm i njerëzve të ardhur nga jashtë bëri që të mungonin kontaktet me popullsinë”, thotë eksperti Tom Mannewitz.

Diktaturë jo përvojë demokracie

Sigurimi i atëhershëm i RDGJ-së, Stasi, raportonte për kryqet naziste. Sipas sociologut Matthias Quent, ekstremistët e djathtë ishin që në atë kohë shumë të dhunshëm. Por aktivitetet e këtyre grupeve nuk përmendeshin dhe autorët ndëshkoheshin rëndë. E njëjta mënyrë se si regjimi vepronte me popullsinë. Tom Mannewitz: „Kjo do të thotë që kemi pasur shumë pak përvoja me konkurrencën politike, me ballafaqimin politik në kuptimin e lirisë së mendimit dhe pluralizmit të interesave.“ Pasoja për disa pjesë të popullsisë: Refuzim total i klasës politike dhe akte të dhunshme në vend të diskutimit serioz.

Rechtsradikale Gewalt gegen Ausländer in Rostock-Lichtenhagen 1992

Dhuna radikale e djathtë kundër të huajve në vitin 1992. Dhunë në Rostock

Strukturat inkurajuese në Lindje

Në Saksoni partia ekstremiste e djathtë, NPD ,ia doli nga viti 2004 deri në 2014 të ishte pjesë e parlamentit të landit. Në 2006 pasoi futja e kësaj partie në parlamentin e Meklenburg-Pomeranisë, pjesë e parlamentit ende edhe sot. Sipas politologëve këto janë kuptuar si sinjale inkurajuese. Botëkuptimet e djathta u futën në sallonet politike të parlamentit. Sipas ekspertit David Begrich, „kush beson se kjo nuk lë gjurmë në kulturën politike të një vendi, ai nuk sheh se çfarë pasojash afatgjata kanë zhvillimet politike“.

Për t'u dalë kundër këtyre zhvillimeve sociologët dhe politologët kanë zhvilluar koncepte të ndryshme, por jo të gjitha kanë dhënë fryte. David Begrich thotë se „ajo që mësojmë është që të përfshijmë edhe ata që japin kontribut për demokracinë, ata që ndihmojnë në integrimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve.“ Më shumë mirënjohje për ata që kontribuojnë për demokracinë.