1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Feja islame armike e shoqërisë?

Në disa vende evropiane populistët e djathtë nxisin frikën nga imigrantët myslimanë. Ata i shesin ideologjitë e tyre si të domosdoshme për mbrojtjen e vlerave evropiane, të cilat, sipas tyre, rrezikohen nga myslimanët.

default

Në Gjermani dhe vende të tjera evropiane po nxitet një frymë e re e një populizmi të djathtë anti-islamik. Përfaqësuesit e këtyre rrymave - si për shembull në Suedi apo Holandë - arrijnë madje të ndikojnë në krijimin e qeverive duke marrë përsipër fuksione të rëndësishme politike. Kështu për shembull populisti i djathtë hollandez Geert Wilders, i cili erdhi në Berlin për të kërkuar mbështetës të rinj të ideologjisë së tij: „Identiteti kombëtar i Gjermanisë, demokracia dhe prosperiteti i saj ekonomik rrezikohen nga idelogjia politike e fesë islame."

Populisti i djathtë holandez Geert Wilders në Berlin

Populisti i djathtë holandez Geert Wilders në Berlin

Jo vetëm njerëzit që morrën pjesë në miting ishin dakord me fjalët e Wilders-it. Në një sondazh që u zhvillua ditët e fundit rezultoi se 55 për qind e gjermanëve mendojnë se imigrimi i myslimanëve në Gjermani "i kushton sektorit social dhe ekonomik të vendit shumë më tepër sesa përfitimiqë sjell." Sidomos në landet lindore të Gjermanisë, rreth 70 për qind të popullsisë janë të këtij mendimi.

Frika nga myslimanët komplet e pabazuar

Por profesori Werner Schiffauer, etnolog dhe publicist pranë Universitetit të Evropës, nuk gjen dot një arsye logjike për këtë qëndrim. Sipas tij në shoqërinë gjermane po zhvillohet fenomeni i një forme mendimi neoliberal, sipas të cilit secili është vetë përgjegjës për atë që ndodh. Por kjo formë mendimi nxit racizmin, ndonëse në mënyrë më të fshehur, tek njerëzit, mendon ai: "…kështu krijohen grupe që krahasohen brenda njëri-tjetrit në bazë të arritjeve që dëshmojnë dhe më pas vlerësohen në mënyrë të përgjithshme."

Politikanëve u mungon shpesh kurajoja për të marrë vendimet e duhura dhe kështu gërshëra mes asaj që duan të shpjegojnë politikanët kur flasin për dialogun ndërfetar dhe realitetit zmadhohet nga dita në ditë. Nga ky problem nuk preket vetëm Gjermania por edhe disa shtete të tjera evropiane. Ky fenomon filloi me 11 shtatorin, shpjegon profesori Schiffauer, por u forcua dukshëm kur Bashkimi Evropian pësoi një krizë të thellë identiteti: BE-ja u dyfishua brenda një periudhe shumë të shkurtër dhe debatet mbi kushtetutën evropiane dëshmuan se njerëzit nuk e dinin më për çfarë qëndron Evropa e bashkuar: „Në këto momente është më lehtë të përkufizosh diçka apo dikë nga i cili distancohesh, pra të krijosh apo të gjesh një imazh klasik armiku. Dhe kështu myslimanët shndërrohen në gjithçka që qëndron kundër vlerave tona: pra ata kthehen në homofobë, antisemitë, të padrejtë me gratë, që s'janë të sqaruar nga ana politike dhe që nuk janë në gjendje të jetojnë në një sistem demokratik."

Pro Moslem Demo New York

Paragjykime sidomos në lande gjermane ku nuk jetojnë myslimanë

Por që në fakt asnjë nga këto paragjykime s'ka të bëjë me një distancim të arsyeshëm nga feja islame, dëshmohet sidomos nëpërmjet qëndrimit të popullsisë gjermane në lindje të vendit. Sepse aty pothuajse nuk jetojnë fare myslimanë dhe kështu nuk ekzistojnë përvoja personale bashkëjetese: "Të njëjtin fenomen kishim me ndalimin e ndërtimit të xhamisë në Zvicër. Atje qytetet në të cilat jetojnë myslimanë protestuan kundër vendimit për ta ndaluar ndërtimin e xhamisë, ndërkohë që në qytetet ku nuk jetojnë myslimanë, u votua për ndalimin e ndërtimit të xhamisë."

Autorë: Peter Philipp/ Sonila Sand

Redaktoi: Elert Ajazaj

DW.COM