1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

FAZ: Po u mbyll kufiri - Maqedonia para një problemi

Si e rrezikon kriza e refugjatëve stabilitetin e Ballkanit? Institucionet atje janë të dobëta. Maqedonia është e paqartë se në ç'drejtim lëviz e mbyllja e kufirit nga Kroacia e Sllovenia e rrezikon, gjykohet në FAZ.

Rreziku i luftërave në Ballkan për shkak të krizës së refugjatëve është i papërfillshëm. Kryeministri kroat Zoran Milanoviç ka të drejtë me këtë përgjigje, që i dha kancelares Merkel, shkruan në numrin e sotëm gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung. Por edhe pa e dramatizuar gjendjen pa nevojë, është e kuptueshme se vala e refugjatëve sjell me vete rreziqe për stabilitetin e Evropës Juglindore, të cilat do të shtoheshin, po t'i jepej fund politikës "së lejimit të kalimit", vlerëson gazeta.

Vendet tranzit janë para sfidave të mëdha, qoftë edhe vetëm po të mendosh organizimin e kalimit të refugjatëve Në fakt me përjashtim të Sllovenisë ato janë vende, që gjatë rrugës nga diktatura socialiste për në demokraci ecin me vështirësi në moçalin e pasojave të luftës, korrupsionit dhe varfërisë. Ndërsa anëtarja e BE-së, Kroacia po stabilizohet dhe në Serbi duket se të paktën drejtimi është përcaktuar, për Maqedoninë është e paqartë se në ç'drejtim lëviz, veçon FAZ. 

Prej muajsh qeveria dhe opozita janë ngatërruar në një luftë të ashpër për pushtet, saqë zgjidhja është e mundur vetëm me ndërhyrjen e BE. Por kompromiset e arritura me mundim me ndihmën e BE-së për një qeveri kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme vihen vazhdimisht në pikëpyetje, sapo largohen negociatorët e Brukselit. Kjo sepse  institucionet shtetërore janë të dobëta dhe gërryhen vazhdimisht nga brenda nga konflikti i vazhdueshëm. Dobësia e tyre lejon të ndodhin incidente, thekson FAZ dhe përmend incidentin e majit në Kumanovë duke theksuar se në atë kohë Kumanova ishte një stacion i rëndësishëm i lëvizjes së refugjatëve, megjithëse në pjesën tjetër të Evropës pakkush e dinte këtë.

Në Maqedoni atëherë vlenin ligje shumë të rrepta ndaj refugjatëve. Ata nuk lejoheshin të përdornin mjete të transportit publik, çdo shofer makine apo autobuzi, që i merrte me vete, rrezikonte të dënohej si trafikant. Kështu njerëzit, që vinin në Maqedoni nga Greqia përmes kufirit të gjelbër, e kalonin në këmbë të gjithë vendin. Kjo dukej si program mbështetës për korrupsionin dhe kriminalitetin. Policia i shihte fare mirë këta njerëz, që ndodheshin ilegalisht në vend, por shumë i mbyllnin sytë në këmbim të një ryshfeti. Refugjatët krejtësisht të pambrojtur ishin të rrezikuar nga bandat, që i sulmonin, i grabisnin dhe madje i mbanin peng, derisa merrnin haraçin.

Këtyre aktivitete kriminale, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung, iu pre rruga nga "politika e lejimit të kalimit", që u sanksionua në ligj në mes të qershorit, kur refugjatët u lejuan të përdornin trenat dhe kur iu desh 72 orë kohë për të kaluar nëpër Maqedoni. Nga ana tjetër kjo  shkaktoi rritjen e numrit të refugjatëve gjatë verës.

Kryeministri kroat thotë se, nëse Gjermania mbyll kufirin, vendi i tij do të bëjë edhe më shpejt të njëjtën gjë. Po të ndodhte kjo, Maqedonia do të ndodhej para një problemi, vlerëson FAZ dhe ajo që ndodh në Maqedoni ka pasoja direkte në zonat në kufi në Kosovë dhe Serbi, ku ashtu si në veri të Maqedonisë jetojnë shqiptarë. Evropës mund t'i krijohej kështu shpejt një problem i madh. Edhe për këtë arsye BE duhet të kujdeset shpejt për kufirin e saj të jashtëm në Greqi, përfundon Frankfurter Allgemeine Zeitung.