1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fatmir Limaj i pafajshëm

Deputeti i kuvendit të Kosovës dhe tre bashkluftëtarët e tij, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi, u shpallen të pafajshëm.

Fatmir Limaj

Fatmir Limaj

Fatmir Limaj dhe tre bashkluftëtarët e tij: Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi, u shpallen të pafajshëm për rastin "Klecka". Vendimin e shpalli sot trupi gjykues i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë që përbëhej nga dy gjykatës të misionit të Bashkimit Evropian, EULEX dhe një gjykatës vendor.

Kleçkë

Për Kleçkën nuk ka dëshmi

Prokuroria e misionit EULEX kishte akuzuar Fatmir Limajn dhe nëntë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës së vitit 1999. Gjashtë të akuzuarit e tjerë, bashkëluftëtar të deputetit Limaj, u shpallen të pafajshëm nga të gjitha pikat e aktakuzës më 30 mars të këtij viti. Në të njëjtën ditë trupi gjykues kishte hedhur poshtë edhe dëshminë e Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari "X", mbi të cilin ishte bazuar një pjesë e mirë e provave të prokurorisë. Dsshmitari X është gjetur më parë i vdekur në Gjermani.

Limaj: përfundimisht i pafajshëm

Deputeti Fatmir Limaj, pas vendimit të sotëm e merkurë 02.05.2012, të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë deklaroi: "Besoj se përfundimisht për të gjithë ata të cilët kanë pasur fatkeqësisht dilema deri më tash edhe pas 12 vjetëve, dita e sotme dhe ky vendim tregon edhe një herë qartë që lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë dhe e pastër."

Fatmir Limaj në Hagë

Fatmir Limaj është shpallur i pafajshëm edhe në Hagë

Prokurori special ka refuzuar  më parë kërkesën për akuzimin e Limajt sipas përgjegjësisë komanduese. Prokuroria ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda 15 ditësh. Fatmir Limaj ka qenë i akuzuar edhe në Tribunalin e Hagës për krime lufte. Edhe kjo Gjykatë e ka shpallur të pafajshëm.

Reagimet në Prishtinë dhe Beograd

Reagimet e para në Prishtinë ndaj këtij vendimi janë pozitive. Vlerësohet se në këtë mënyrë hiqet një njollë jo vetëm nga të akuzuarit por edhe nga lufta e UÇK-së. Ndërkohë që Gjakata për Krime Lufte në Beograd, në një kumtesë të lëshuar sot, e quan këtë vendim si "të turpshëm dhe të padrejtë, në radhë të parë ndaj viktimave të cilat kërkojnë drejtësi". Kjo Gjykatë pohon se duhet shtruar pyetjen se kush i ka bërë krimet ndaj serbëve dhe a do të zbardhen ndonjë herë autorët e këtyre krimeve?

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Bahri Cani