1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Farsë zgjedhore në Bjellorusi

Zgjedhjet parlamentare në Bjellorusi ishin një farsë e pashoqe. Në Evropë askush nuk askënd nuk e gënjen më mendja për regjimin e Lukashenkos.

Aleksander Lukashenko

Aleksander Lukashenko

Lajmi se në Bjellorusi janë zhvilluar zgjedhje parlamentare nuk është i saktë, sepse zgjedhje të vërteta nuk pati. Pati vetëm një farsë: jo regjistrim të lirë dhe të ndershëm të kandidatëve, jo qasje të lirë dhe të ndershme në medie për të gjitha forcat politike, jo mbikëqyrje të pavarur të zgjedhjeve dhe numërim të votave, dhe përveç kësaj pati represion kundër kritikuesve të regjimit dhe atyre të cilët mendojnë potencialisht ndryshe. E tëra kjo nuk është e papritur, pasi presidenti Aleksandër Lukashenko e qeveris prej 18 vjetësh me këtë stil autoritar ish-republikën sovjetike. Mirëpo, ndërkohë shtrohet pyetja: Kë kërkon të zbavisë ende me këtë tragjedi Lukashenkoja?

Zgjedhësit dhe opozita të parëndësishëm

Ingo Mannteufel

Ingo Mannteufel

Populli bjellorus e ka të qartë prej kohësh se nuk ka pushtet politik. Më keq akoma: Pasi protestat kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të dhjetorit 2010 patën çuar në represione brutale kundër opozitarëve, në vend po vijnë rrotull frikëra. Apati politike dhe tërheqja në sferën private janë një pasojë mjaft e përhapur. Pra, në qoftë se Lukashenkoja mund të tërheqë vëmendjen për diçka, atëherë vetëm ngaqë secili ka frikë prej ndëshkimit po qe se nuk shkon në votime.

Me siguri që Lukashenkoja nuk i organizon këto zgjedhje as për opozitën bjelloruse (sepse që ai e përçmon atë dhe nuk do që t'i japë shans, këtë ai e ka bërë gjithashtu të qartë disa herë).

Zgjedhje për Evropën?

Deri tani duhet të niseshe nga supozimi se presidenti Lukashenko i organizonte zgjedhjet për publikun evropian (si e keqja që duhet pranuar për gjoja politikën e tij të paqëndrueshme midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Sepse, ç'është e vërteta, për të mashtruar ndonjë evropian naiv vitet e kaluara me anë të gjoja liberalizimit dhe evropianizimit të regjimit të tij, për aq ishin të dobishme këto zgjedhje në dukje.

Madje para katër vjetësh kjo ia arriti qëllimit: Vërtet zgjedhjet parlamentare të 2008-s ishin në thelb po aq pak të lira dhe të ndershme sa ato të këtij viti, mirëpo shumë politikanë evropianë donin të besonin asokohe ende nga naiviteti ose për arsye gjeopolitike se ndryshimi politik ishte i mundur në Bjellorusi. Më e vona në fund të 2010-s, me represionet pas zgjedhjeve presidenciale, ishte e qartë për shumicën dërrmuese në Evropë që me Lukashenkon nuk do të kishte demokratizim në Bjellorusi. Disa institucioneve në Gjermani iu desh edhe ca kohë që ta kuptonin këtë, por ndërkohë ky gjykim në lidhje me regjimin e Lukashenkos duhet të jetë e njohur për të gjithë. Prandaj Lukashenkoja mund ta heqë nga programi i tij shfaqjen e farsës zgjedhore, sepse në Evropë askush nuk ka më iluzione për regjimin e tij autoritar deri në palcë.

Përkrahësi më entuziast i farsës zgjedhore

Me siguri, përkrahësit më entuziastë të farsës zgjedhore do të jenë në Rusi, sepse nga perspektiva e Moskës është më se e dobishme që zgjedhjet bjelloruse qenë edhe më shumë jo të lira dhe jodemokratike sesa "zgjedhjet" e kontrolluara nga qeveria në Rusi. Në dialogun me Evropën si dhe kundrejt qytetarëve rusë, duke mbajtur parasysh Bjellorusinë Kremlini mund të tërheqë vëmendjen për faktin që me Rusinë nuk duket edhe aq keq puna. Së paku presidenti Putin me siguri do të gëzohet përsëri kur ditët e ardhshme Lukashenkoja të quhet sërish "diktatori i fundit në Evropë".

Prej vitesh është e saktë thënia e goditur se çelësi për Bjellorusinë është në Moskë, por evropianët duhet të ndahen nga iluzioni se Kremlini dëshiron të ndryshojë gjë në situatën në Bjellorusi. Jo se Lukashenkoja është i pëlqyer në Kremlin (madje për presidentin Putin thuhet se ka antipati të madhe për Lukashenkon). Jo, shkon me politikën ruse që të ketë midis vetes dhe Evropës një vend të tillë të qeverisur në mënyrë autoritare dhe pa perspektivë evropiane. Dhe për këtë arsye Lukashenkoja mund të bëjë çfarë do.