1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fantazmat e së shkuarës ndezin sherrin në Maqedoni

Pas shfuqizimit të disa neneve të ligjit të lustracionit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca maqedonase inicion miratimin e një ligji të ri në parlament. Opozita maqedonase mbetet skeptike.

Parlamenti maqedonas

Parlamenti maqedonas

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë shfuqizoi 12 nene të kontestuara të ligjit të lustracionit. Me këtë vendim, lustrimi nuk do të vazhdojë për ish-funksionarët, gazetarët, klerikët fetarë, shoqatat joqeveritare dhe avokatët. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e disa neneve të ligjit për lustrim për partinë e koalicionit qeveritaer VMRO-DPMNE është skandaloz. Sipas Ilija Dimovskit me këtë vendim bëhet zvarritja e procesit të lustrimit. “Për VMRO-DPMNE-n nuk është habi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sepse aty janë të instaluar gjykatës të opozitës” shprehet Dimovski. 

Por nga LSDM-ja opozitare vlerësimet janë pozitive. Me shfuqizimin e neneve kontestuese të ligjit për lustrim bëhet e qartë se në Maqedoni nuk duhet dhe nuk mund të bëhet lustrim me imponim. “Ne jemi për lustrim ligjor dhe kushtetues, ne jemi për lustrim që do të pastrojë të kaluarën duke mos dëmtuar të drejtat e dikujt në të ardhmen”, shprehet Ana Pavllova-Daneva nga LSDM.

Gjykata Kushtetuese në Maqedoni

Gjykata Kushtetuese në Maqedoni

Nisma e re e mazhorancës

Pas kontestimeve të neneve të ligjit për lustrim, mazhoranca parlamentare ka përpiluar ligj të ri për lustrim. Për dallim nga ligji i kaluar, parashihet që procesi i lustrimit të përfshijë periudhën nga viti 1944 deri në vitin 2006. “Në të do të inkorporohen sugjerimet e më shumë se 150 ekspertqve nga kjo sferë nga Ballkani Perëndimor”, shprehet Silvana Boneva nga VMRO-DPMNE. Ligji i ri për lustrim mundëson që çdo qytetarë të ketë të drejtë të iniciojë procedurën për lustrimin e ndonjë bartësi të ndonjë funksioni publik. “Qytetari duhet të jetë posedues i dokumentit origjinal që vërteton informatën dhe atë informatë ai e ka obligim ligjor ta dorëzojë tek komisioni për lustrim dhe për këtë ai nuk ka përgjegjësi penale”, thotë deputeti Talat Xhaferi nga BDI.

Dyshimet e opozitës

Megjithatë partitë politike opozitare e kundërshtojnë propozimin për ligjin e ri per lustrim. Për opozitën propozimi është një dëshmi se mazhoranca nuk respekton institucionet. “Ne jemi për lustrimin e secilit që merr pjesë në formimin e opinionit publik. Ne jemi për lustrimin e secilit individ i cili bën moralin e ndonjë shoqërie ”, shprehet Zijadin Sela nga PDSH.

Deputeti Stojan Andov shpreh dyshimet se dispozita që parasheh lustrimin e biznismenëve kufizohet deri në vitin 2006. “Ky kufi i përcaktuar shton dyshimin se tentohet të amnistohen ato grupe biznesmenësh të rinj, të cilët kapitalin e tyre e kanë krijuar pas vitit 2006, kur në pushtet erdhi qeveria e kryeministrit Gruevski”, shprehet Andov. Ndërsa analistët politikë vlerësojnë se është më se e nevojshme që për miratimin e ligjit të ri për lustrim të ketë konsensus të përgjithshëm parlamentar.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi