1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Falja e politikanëve - Thellim apo zgjidhje e krizës?

Fatos Musliu12 Prill 2016

Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov firmos faljen e politikanëve në proces gjyqësor, me qëllim t’i japë fund krizës politike në Maqedoni. Reagimet e para nuk janë aprovuese: Akuzat ndaj politikanëve ishin të rënda.

https://p.dw.com/p/1IU8G
Mazedonien Gjorge Ivanov Präsident
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

“Kriza është interes dhe ide e tjetërkujt. Dikush dëshiron të arrijë qëllimet e tij duke vënë kundër njëri-tjetrit forcat politike dhe përkrahësit e tyre. Ajo që ndodhi në të kaluarën rezultoi me një kompromentim të paparë politik, me politikë të shkatërrimit dhe qërim hesapesh mes kundërshtarëve. Aq shumë luftuan mes tyre, sa punët dolën jashtë kontrollit dhe hynë në sferën personale. U hapën aq shumë vepra penale, sa tani, si njëra ashtu edhe pala tjetër janë të gatshëm të përdorin çfarëdolloj mjeti vetëm që të mos humbasin në zgjedhjet e ardhshme, sepse nuk e dinë se deri ku është e gatshme të shkojë pala tjetër me thellimin e revanshizmit, urrejtjes dhe ksenofobisë”, deklaroi presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Vendimi për faljen e politikanëve i firmosur nga kreu i shtetit hyn në fuqi menjëherë. Ivanov ka theksuar se vendimin e ka marrë vetë dhe se për këtë nuk i ka njoftuar politikanët, për arsye se ndoshta ndonjëri prej tyre ndihet i pafajshëm dhe këtë dëshiron ta tregojë përmes procedurës gjyqësore. Ivanov theksoi se është i përgatitur që t`i pranojë të gjitha kritikat, të cilat pas këtij vendimi do t'i adresohen atij, por është i bindur se ka marrë një vendim të drejtë. Kryetari i shtetit Gjorge Ivanov ka shpallur falje për të gjithë të akuzuarit dhe të dyshuarit në rastet “Puç” dhe “Mitmarrje” dhe në të gjitha rastet e tjera të iniciuara nga Prokuroria Publike Speciale.

Mazedonien Zoran Zaev Oppositionsführer vor der Staatsanwaltschaft in Skopje
Shumë politikanë ishin të akuzuar ndër ta edhe kreu i opozitës, Zoran Zaev: Në foto para prokurorisë në ShkupFotografi: DW/K. Blazevska

Prokuroria Speciale nuk e komenton vendimin pa e parë

Prokuroria Speciale Publike (PSP) pret që ta ketë në duar të saj vendimin e kryetarit të shtetit, Gjorgje Ivanov për amnistimin e politikanëve, ndaj të cilëve janë duke u bërë procedura gjyqësore. Vetëm pas kësaj, ajo do të dalë me qëndrim konkret. Zëdhënësja e PSP-së, Lençe Ristoska, ka thënë se ata nuk dëshirojnë që gjërat të nxiren nga konteksti, prandaj nuk japin ndonjë deklarim apo koment rreth vendimit të kryetarit Ivanov. “Kur do ta marrim vendimin do të dalim me qëndrim”, ka thënë Ristovska.

Reagimet e para për vendimin e Presidentit

Falja publike nga ana e presidentit të shtetit, Gjorgje Ivanov ka shkaktuar tronditje të madhe në Maqedoni. Vendimi i Presidentit për faljen e veprave penale të politikanëve e bënë të pavlefshme punën e Prokurorisë speciale, kjo të thotë që prej sot prokuroria speciale nuk duhet të ekzistojë, thotë profesori universitar Afrim Osmani. Ai ndjehet i shokuar nga vendimi i Presidentit, që amniston të gjithë personat dhe politikanët të cilët kanë bërë krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të zgjedhjeve. “Më tragjikja është se amnistohet edhe ish-ministri i brendshëm, Ljube Boshkovski, i cili në vitin 2001 në Luboten të Shkupit kreu masakrën e paparë ndaj shqiptarëve të pafajshëm të këti fshati”.

Profesor Osmani thekson, se nëse falen politikanët, të cilët kanë bërë vepra penale, atëherë pse mos të falen shqiptarët e burgosur të rastit “Sopoti” dhe “Monstra”. Ndërsa profesorja e së drejtës kushtetuese në Maqedoni, Mirjana Najçevska thotë se sipas kësaj i bie që të gjithë kriminelët në vend të amnistohen, pra kush gjendet në burgjet e vendit duhet të lirohet menjëherë, pasi presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov vendosi që të amnistojë Sasho Mijallkovin, Gordana Jankullovskën, Mile Janakievskin, Lube Boshkovskin dhe Zoran Zaevin, të cilët ishin të akuzuar për vepra të rënda penale. Sipas profesoreshës Najçevska, pas vendimit të presidentit Ivanov për falje të politikanëve të dyshuar për krim, Maqedonia tani gjendet para një krize edhe më të thellë politike.