1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Falenderime dhe disa paralajmërime - Kancelarja Merkel flet para Kongresit amerikan

Për herë të parë një kryetare e një qeverie gjermane foli para dy dhomave të Kongresit Amerikan. Angela Merkel shfrytëzoi rastin të falenderojë amerikanët në prag të 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.

Kancelarja Merkel gjatë fjalimit para Kongresit amerikan, 3.11.2009.

Kancelarja Merkel gjatë fjalimit para Kongresit amerikan, 3.11.2009.

Deputetët e mbledhur të Kongresit ishin të entuziazmuar. Përpara ata kishin një histori të personifikuar suksesi të Republikës Federale, në të cilën SHBA-ja ka luajtur një rol vendimtar: një fizikante gjermane, e para grua e zgjedhur kryetare qeverie një Gjermaninë e bashkuar dhe e konfirmuar së fundi në këtë post.

Gërshetimi i fatit personal me atë të Gjermanisë

Në fjalimin e saj Angela Merkel gërshetoi disa herë fatin e saj personal me atë të vendit të saj. Ajo kujtoi përgjegjësinë e Gjermanisë për tmerret e Luftës së Dytë Botërore, por edhe bllokadën e Berlinit dhe ndërtimin e Murit. Ajo tregoi çfarë do të thotë për një gjermano lindore që të jetojë pas mureve dhe telave me gjemba. Ajo mori shumë duartrokitje, kur falenderoi SHBA-në për ndihmën që ka dhënë për pjesën e lirë të Gjermanisë, çka shpuri në fund tek ribashkimi: "Unë e di, ne gjermanët e dimë, se sa shumë i kemi borxh miqve tanë amerikanë. Kurrë nuk do ta harrojmë këtë, unë personalisht nuk do ta harroj kurrë."

Merkel dhe Obama gjatë takimin në Shtëpinë e Bardhë, 3.11.2009.

Merkel dhe Obama gjatë takimin në Shtëpinë e Bardhë, 3.11.2009.

Për SHBA-në nuk ka partner më të mirë se Evropa

Merkel, e cila u takua më parë më presidentin Barack Obama nënvizoi lidhjen e ngushtë të Gjermanisë, Evropës dhe SHBA-së, e cila bazohet jo vetëm tek interesat e përbashkëta, por edhe tek sistemi i përbashkët i vleravve: "Në të vërtetë Amerika dhe Evropa nuk kanë gjithnjë të njëjtin mendim. Njëri e mban tjetrin për të ngadaltë dhe frikacak ose anasjelltas për kokëfortë dhe imponues. Megjithatë unë jam shumë e bindur se për Amerikën nuk ka partner më të mirë se Amerika. Dhe se për Amerikën nuk ka partner më të mirë se Evropa."

Gjermania përkrah zgjidhjen me dy shtete në Lindjen e Afërt

Merkel foli në fjalimin e saj edhe për tema të tjera. Ajo bëri të ditur angazhimin Gjerman në Afganistan dhe deklaroi se Gjermania do të marrë atje përgjegjësi. Ajo theksoi rëndësinë e G- 20 për krijimin e një kuadri rregullator për rendin global të tregjeve financiare dhe kërkoi një politikë të qëndrueshme ndërkombëtare. Kancelarja konfirmoi të drejtën e Izraelit për ekzistencë dhe deklaroi se do të përkrahë procesin e paqes në Lindjen e Mesme me synimin e zgjidhjes me dy shtete. Lidhur me grindjet atomike me Iranin ajo tha fjalë të qarta: "Në dorën e presidentit iranian, që mohon Holokaustin, kërcënon Izraelin dhe i heq të drejtën e ekzistencës nuk duhet të ndodhet një bombë atomike."

Për marrëveshjen e klimës kërkohet angazhimi i SHBA-së dhe Evropës

Në fjalimin e saj kancelarja Merkel i kushtoi vëmendje luftës kundër ndryshimit të klimës. Nuk duhet humbur kohë, tha ajo, në takimin e nivelit të lartë të klimës në Kopenhagë duhet të arrihet një marrëveshje. Ngrohja globale nuk duhet të kapërcejë dy gradë celcius. Këtu është i nevojshëm angazhimi i Evropës dhe Amerikës: "Nëse ne në Evropë dhe Amerikë jemi të gatshëm për angazhime të detyrueshme, atëherë do të jemi në gjendje të bindim edhe Kinën dhe Indinë."

Dhe deputetët u çuan të duatrokisnin sërish siç bënë shpesh gjatë fjalimit të saj. Por për temën e fundit, kancelares konservatore iu desh të mjaftohej vetëm me aprovimin e demokratëve. Republikanët, frenuesit kryesorë në Kongres të marrëveshjes për një ligj për klimën, qëndruan ulur në mënyrë demostrative.

Autor: Christina Bergmann /Aida Cama

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM