1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Falenderim për partnerin në aleancë - Westerwelle dhe Clinton demonstrojnë unitet në Uashington

Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle udhëtoi të mërkurën (29.9.) për në SHBA. Me homologen e tij Clinton diskutoi për të ardhmen e NATO-s, procesin në Lindjen e Afërt dhe rëndësinë strategjike të Turqisë.

default

Takim në Uashington: Westerwelle, Clinton

Gëzohem shumë, që jam në Uashington pak para aktiviteteve festive me rastin e 20 vjetorit të ribashkimit gjerman, tha Westerwelle në anglisht. Gjermania ia di shumë për faleminderit qeverisë amerikane dhe njerëzve në SHBA. Pa SHBA-në ribashkimi nuk do të kishte qenë i mundur. Ministri i Jashtëm gjerman i kishte sjellë madje copë muri si dhuratë homologes së tij amerikane. Hillary Clinton foli për bashkimin e Gjermanisë si shembull i veçantë:

"Gjermania i tregoi botës se muret mund të rrëzohen, se komunitetet mund të bashkohen, se paqja afatgjatë është e mundur edhe pas një kohe të gjatë ndarjeje dhe mërie. Dhe bashkëpunimi është rruga më e mirë, për të arritur paqe, përparim dhe mirëqënie."

Të dy ministrat theksuan marrëdhëniet e mira dypalëshe

Lidhur me njoftimet e fundit, sipas të cilave rrjeti terrorist El Kaida ka planifikuar atentate në Gjermani, Britani të Madhe dhe Francë, dy politikanët nuk u prononcuan. Ministrat deklaruan vetëm se ka shkëmbim të vazhdueshëm informacionesh.

Temë bisedimesh e të dy ministrave ishin ndër të tjera procesi i paqes në Lindjen e Afërt dhe situata në Afganistan. Lidhur me të ardhmen e Afganistanit Westerwelle deklaroi se të dy vendet kanë një objektiv të përbashkët:

"... që kalimi i përgjegjësisë tek afganët të jetë i suksesshëm, në mënyrë që në vitin 2014 përgjegjësia për sigurinë të mund t'i kalojë plotësisht qeverisë afgane."

Westerwelle bei Clinton in USA

Westerwelle u bëri apel palëve në konflikt në Lindjen e Afërt të vazhdojnë bisedimet

Orë shumë vendimtare për paqen në Lindjen e Afërt

Lidhur me negociatat për paqe në Lindjen e Afërt Westerwelle deklaroi:

"Këto janë orë shumë vendimtare. Dhe ne i bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të mos e humbasin këtë shans."

Tani është e rëndësishme të vazhdohen bisedimet. Edhe BE-ja do të përfshihet në negociata. Ministrja e Jashtme e BE-së Catherine Ashton do të takohet me presidentin e palestinezëve Mahmud Abbas, kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së në rajon George Mitchell.

Westerwelle dhe Clinton diskutuan në Uashington edhe konceptin e ri strategjik të NATO-s, i cili pritet të miratohet në nëntor në një takim të nivelit të lartë në Lisbonë. Dokumentin e paraqitur për këtë qëllim Westerwelle e cilësoi "një bazë të mirë për konsultime të mëtejshme".

Westerwelle: Në interesin tonë që Turqia të jetë e orientuar drejt Evropës

Lidhur me anëtarësimin e Turqisë në BE, ministri i Jashtëm gjerman tha se marrëdhëniet me të kanë edhe një dimension strategjik:

"Turqia nuk është vetëm një aleat në NATO, ajo luan edhe një rol të rëndësishëm në rajon. Ne duam një bashkëpunim të ngushtë dhe është në interesin tonë që Turqia të jetë e orientuar drejt Evropës dhe Perëndimit."

Westerwelle do të udhëtojë përsëri për në SHBA pas dy javësh, kur në Nju Jork të merret vendimi mbi aplikimin e Gjermanisë për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Për dy vendet e rezervuara për shtetet perëndimore konkurojnë edhe Portugalia dhe Kanadaja.

Autor: Christina Bergmann/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 30.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PQSX
  • Data 30.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PQSX