1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Falaski-Vlora: Shpresoj që Shqipëria të ketë fat dhe të lulëzojë

Në 90 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë mbesa e Ismail Qemalit foli për (stër) gjyshin e saj dhe për Shqipërinë. Intervisa e saj për DW pubikohet për herë të parë me rastin e 100 vjetorit të Shqipërisë.

Shqipëria në 100 vjetorin e saj të pavarësisë

Shqipëria në 100 vjetorin e saj të pavarësisë

Shkrimtarja dhe studjuesja shqiptare Nermin Falaski Vlora lindi në Tiranë më 18 prill të vitit 1921 dhe ndërroi jetë në vitin 2004. Ajo kreu studimet e larta për shkencat juridike në universitetin e Sienes në Itali, dhe është e njohur për gjuhësinë e krahasuar. Si njohëse e disa gjuhëve të huaja dhe studjuese erudite, ajo numëron mbi 35 vëllime poetike, romane, studime, etj. Me rëndësi për kulturën shqiptare është studimi “Lashtësia e gjuhës shqipe", sipas dokumenteve epigrafike nga Egjeu deri në Atlantik.

DW: Zonja Falaski, sot po kremtohet 90 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, ju si (stër) mbesa e patriotit dhe plakut të Vlorës, Ismail Qemali, a mund tö na e përshkruani portretin e tij sot pas kaq dekadash? Si do ta përfytyronim atë në aspektin privat, si njeri, çfarë dini ju për atë?


N. Falaski-Vlora: Imail Qemalin unë do ta kisha parafytyruar ashtu siç ma kishte përshkruar gjyshja: Të mençur dhe të pashëm, të urtë dhe shumë punëtor. Ajo e donte shumë babain e vet dhe ajo i ngjante shumë. Dhe kushërira ime, që ishte piktore, Vera Blloshmi, e ka pikturuar Ismail Qemalin duke kopjuar fotografitë bardh e zi të asaj kohe, por duke i dhënë ngjyrat, që kishte gjyshja. Gjyshja më ka treguar për atë, që ishte njeri i urtë, një njeri gjithmonë me këshilla të mira, pra të gjitha këshillat, që i merrte nga i ati, na i jepte neve. Ne atëherë edhe nuk i besonim, por tani jam e bindur se më ka dhënë vërtet këshilla të mira, këshilla jete. Ismail Qemali sigurisht që ka qenë patriot dhe kjo dihet tashmë. Ai pati dhënë gjithë pasurinë e tij duke punuar shumë për ta formuar shtetin shqiptar, derisa vdiq në mënyrë shumë misterioze. Nuk dihet ende se vërtet u helmua, apo i erdhi koha.

DW: A jeni krenarë për atë, që ka bërë gjyshi juaj?

N. Falaski-Vlora: Sigurisht që jam. Pasi tani shteti shqiptar është formuar dhe shpresojmë të ketë fat dhe të lulëzojë në të ardhmen, sepse ky vend ka pasuri të mëdha, pasuri arkeologjike dhe pasuri të tjera, ka çdo gjë në Shqipëri vetëm se duhen vlerësuar këto pasuri. Edhe ne shqiptarët, që jetojmë jashtë, po punojmë për t'i njohur këto pasuri. Ne kemi krijuar Akademinë kulturore Iliria, duke filluar me studimet arkeologjike. Ka shumë njerëz intelektualë, që e duan Shqipërinë, edhe italianë. Shpresojmë që gjithë së bashku ta vëmë këtë vend në një përmasë europiane, sepse ky vend ka vuajtur shumë.

DW: Zonja Falaski, edhe pas përmbysjes së komunizmit, në Shqipëri bie në sy një urrjejtje e madhe mes krerëve të politikës, nuk kanë unitet edhe kur është fjala për çështje të mëdha të vendit. Si e shpjegoni ju këtë?

N. Falaski-Vlora: Mendoj se kjo ndodh për shkak se Shqipëria ka qenë e mbyllur për një periudhë të gjatë prej 50 vjetësh, gjysëm shekulli, që do të thotë njerëzit e lindur në atë periudhë janë ushqyer me një mentalitet të tillë, krejt ndryshe nga mentaliteti ynë, që ishim në Europë. Prandaj mendoj se njerëzit janë ende në periudhë krize, ndoshta dalëngadalë edhe njerëzit në Shqipëri, politikanët, do të mësohen të mos grinden me njëri-tjetrin. Zakonisht politikanët në të gjitha vendet grinden, por në Shqipëri pak më shumë për arsye se kanë mbetur të mbyllur për një kohë shumë të gjatë. Por jam e bindur që gjërat do të ndryshojnë për të mirë, sepse shqiptari është shumë i zgjuar, ka një gjuhë të rëndësishme dhe siç e kam thënë edhe në intervista të tjera, historia e vendit është e rëndësishme, por ajo shpesh po rrëshqet disa herë majtas dhe disa herë djathtas, apo disa herë përpara dhe disa herë prapa. E rëndësishme është të ruhet gjuha, sepse kur ruan gjuhën, ke shpëtuar vendin. Ne shqiptarët, që jetojmë jashtë, kemi bërë shumë, kur Shqipëria ishte e mbyllur.

DW: Ju vetë jeni larguar nga Shqipëria në 1943, në një kohë kur Shqipëria ishte përfshirë nga lufta? Përse e bëtë këtë?

N. Falaski-Vlora: Unë u largova nga Shqipëria, kur kisha mbaruar shkollën. Kjo shkollë na pati përgatitur mjaft mirë dhe unë i jam mirënjëhëse mësuesve të asaj shkolle dhe gjithë këtë, që kam arritur sot, e kam falë profesorëve të mi dhe po ashtu falë familjes, nënës sime dhe gjyshes sime.
Unë atëherë isha njohur me një oficer italian Renzo, me të cilin u martova dhe kam një djalë. Kur pamë që Shqipëria po merrte drejtim komunist, vendosëm me tim shoq të largoheshim për në Itali. Ka qenë një udhëtim i tmerrshëm, rreth 15 orë, nëpër det me një lundër druri, duke kaluar orë të tëra me stuhi e dallgë. Ishim në dorë të zotit dhe fati na ndihmoi të arrinim në Bari. Unë u largova nga vendi im me tetë gjuhë të huaja dhe atëherë mendoja se pas tre muajsh do të ktheheshim. Por nuk ndodhi kështu për fat të keq. U deshën 46 vjet, që unë të rikthehem përsëri në Shqipëri. Falë shkollës unë e përballova me sukses edhe qëndrimin në Itali. Por unë e dua Shqipërinë shumë, megjithë të metat, jam e lidhur shumë dhe më vjen keq për ato, që shoh dhe që ndodhin në këtë vend.

DW: Duke pasur parasysh këtë fakt, pra kthimin tuaj pas kaq vitesh, a ndjeni urrejtje për sistemin dhe krerët e politikës komuniste në Shqipëri, pasi ju keni vuajtur të qënit larg njerëzve tuaj më të afërt?

N. Falaski-Vlora: Jo, nuk kam urrjetje, sepse gjyshja më ka mësuar gjithmonë, që s'duhet të urresh. Unë i kam pasur si busull këshillat e gjyshes. Kur erdha në Shqipëri, më ftoi Nexhmije Hoxha, e takova dhe nuk i thashë asgjë. Ajo vetë më tha se kishte dëgjuar, se sa kishte vuajtur familja ime. Kur unë nisa të tregoja për familjen, ajo më ndërpreu dhe më tha, mos vazhdo më tej se po më vjen shumë keq.

DW: Po sot si ndjeheni në Shqipërinë e re demokratike?

N. Falaski-Vlora: Sigurisht ndjehem më mirë. Por unë edhe në Itali kam jetuar gjithmonë edhe me shokë shqiptarë por sigurisht që edhe italianët më kanë respektuar shumë. Unë jam krenare që Shqipëria më ka nderuar me dekoratën Naim Frashëri i Klasit të parë, ndërsa shteti italian më ka dekoruar me dy dekorata dhe në Kolumbi kam marrë një dekoratë për studimin “Etruskishtja gjuhë e gjallë”.