1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania - Tregu i punës

Fakte në vend të miteve

Kur mijëra largohen nga shtëpitë e tyre në drejtim të Gjermanisë me përfytyrime të gabuara, atëherë mungon një gjë: informacionet e sigurta. Ato i jep Deutsche Welle në këtë faqe të veçantë, shpjegon Verica Spasovska.

Qindra mijëra njerëz vijnë këtë vit nga Ballkani në Gjermani. Qëllimi i tyre: një jetë më e mirë sesa në atdheun e tyre. Shpresa e tyre: një perspektivë për veten dhe fëmijët e tyre, punë, mundësi më të mira për fëmijët në tregun e punës. Ndryshe nga eksodi i njëzet vjetëve më parë, kur lufta civile në ish Jugosllavi shkaktoi një valë të madhe refugjatësh, sot për fat të mirë nuk ka më dhunë dhe arbitraritet më në rajon. Vendet e Ballkanit janë sot në vitin 2015 më tepër në pragun e Bashkimit Evropian, lufta dhe represioni shtetëror i përkasin së kaluarës. Por në Ballkan mbizotëron në shumë vende papunësia e lartë tek të rinjtë, klientelizmi, stanjacioni ekonomik. Zhgënjimi për ekonominë e dobët, mungesa e perspektivës për të rinjtë, këto janë arsye krejtësisht të kuptueshme, se përse njerëzit e lënë atdheun e tyre. Problemi është megjithatë se shumë nga ata, që aktualisht vijnë nga Ballkani në Gjermani, aplikojnë pa sukses për azil. Azil në Gjermani përfitojnë si rregull vetëm njerëzit, që janë persekutuar politikisht, ose që vijnë nga vendet e luftës civile si Siria.

Kush nuk ka të drejtë të qendrojë, duhet të shkojë

Njerëzit, që vijnë në Gjermani për shkak të gjendjes së keqe ekonomike në vendin e tyre, nuk kanë të drejtë për azil. Ato duhet të largohen përsëri nga Gjermania. Për shumë kjo nuk është e qartë. Dhe shumë besojnë se Gjermania është toka e premtuar, ku çdo gjë është më e mirë se në vendin e tyre. Se aty është fare e lehtë për të gjetur një punë dhe një banesë, se mund të fitohen shpejt para. Megjithë kulturën e mikprites në Gjermani, që çmohet me të drejtë, nuk është aspak kështu! Dhe aspak, kur zgjedh rrugën e azilit. Edhe në Gjermani, e cila, ndryshe nga shumë vende të tjera të BE-së hap zemrat dhe dyert e saj për refugjatët, rruga për një të huaj nuk është e lehtë. Që të mund të ecësh, duhet të zotërosh fillimisht gjuhën gjermane. Pastaj duhet bërë njohja e diplomave. Edhe këtu Gjermania ka rregullat e veta të rrepta.Dhe kush nuk është qytetar i BE-së, në aplikimin e tij për vend pune duhet t'ua lërë rradhën konkurrentëve me kualifikim të njëjtë, por që vijnë nga Gjermania apo vendet e tjera të BE-së.

Rrugët legale për në Gjermani

Gjermania ka integruar me sukses miliona të huaj në dekadat e fundit. Ajo është një vend i hapur dhe ekonomikisht i fuqishëm në zemër të Evropës, që do të pranojë edhe në të ardhmen njerëz nga e gjithë bota. Edhe për njerëzit nga Ballkani ka mënyra krejtësisht ligjore për të ardhur në Gjermani: për trajnim ose për punë. Çfarë kushtesh janë të nevojshme dhe kush mund të qëndrojë përherë në Gjermani, këtyre pyetjeve u përgjigjet Deutsche Welle në këtë fokus tematik. Sqarimet dhe informacionet objektive në lidhje me kushtet reale në Gjermani janë për ne të rëndësishme. "Fakte në vend të miteve" është një udhëzues i dobishëm dhe i arsyeshëm për të gjithë ata, që duan të marrin rrugën për në Gjermani.

DW.COM