1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fajon: BE ka përgjegjësi politike për të përfunduar procesin e liberalizimit të vizave në Ballkanin Perëndimor

Lëvizja e lirë e njerëzve përmirëson lidhjet, kontaktet mes njerëzve. Veçanërisht e rëndësishme është për brezat e rinj.

Tanja Fajon, euro-parlamentare nga Sllovenia

Tanja Fajon, euro-parlamentare nga Sllovenia

DW: Zonja Fajon, në projekt-rezolutën që sapo keni paraqitur në Komisionin e Parlamentit Europian për Liri, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme, propozuat liberalizimin sa më parë të vizave për Shqipërine dhe Bosnjë-Hercegovinën. Në të ju flisni edhe përgjegjesinë politike të BE ndaj përfundimit të këtij procesi. Çfarë kuptoni me këtë?

Tanja Fajon: Bashkimi Evropian ka përgjegjësi politike për të përfunduar procesin e liberalizimit të vizave në Ballkanin Perëndimor. Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi nuk kanë më regjim vizash me BE dhe tani pres që kjo të ndodhë edhe me Shqipërinë dhe Bosnjë – Hercegovinën. Të dyja vendet muajt e fundit kanë shënuar një progres të dukshëm. Presim raportin përfundimtar të ekspertëve që këtë javë ndodhen në Shqipëri, kurse javën e kaluar ishin në B-H. Shpresoj që në shtator, kur ata të kthehen, raporti i tyre do të jetë pozitiv. Ndërkohë kërkesat duhet të plotësohen, e kam fjalën për kërkesat teknike të vendosura nga Komisioni Evropian. Shpresoj që të ecim shpejt deri kur Parlamenti Europian të hapë dritën e gjelbër përfundimtare për Bosnjë – Hercegovinën dhe më pas për Shqipërinë aty nga fundi i këtij viti.

DW: Ju e cilësoni çështje urgjente lëvizjen e lirë pa viza në vendet e BE , edhe për Shqipërinë dhe B-H. Pse?

Tanja Fajon: Është shumë e rëndësishme të sigurojmë lëvizjen e lirë. Ajo ka një ndikim të madh psikologjik tek qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjë – Hercegovinës. Lëvizja e lirë e njerëzve përmirëson lidhjet, kontaktet mes njerëzve. Veçanërisht e rëndësishme është për brezat e rinj. Ështe vërtet një paradoks që për qytetarët e Shqipërisë, Bosnjë – Hercegovinës dhe pjesëve të tjera të ish-Jugosllavise nuk është e mundur që 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, të mos mundin të udhëtojnë pa viza në vendet e BE. Sot përballemi me brezat që u rritën pas rënies së Murit të Berlinit, që nuk mund të kenë lirinë e lëvizjes. E kam fjalën sidomos për ata që nuk kanë mundësi ekonomike, për njerëzit e varfër. Shqipëria ka qenë vendi më i izoluar në të kaluarën e regjimeve komuniste në ish-Evropën Lindore dhe Qëndrore. Sot shohim që politikanët dhe ata që kanë para mund të udhëtojnë në vendet e BE. Prandaj është e rëndësishme për të rrëzuar murin e vizave për brezin e ri dhe ata që nuk janë të pasur. Por dua të theksoj se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe Bosnjë – Hercegovinën duhet ta kenë të qartë se çfarë është liberalizimi i vizave. Qytetarët e këtyre vendeve nuk mund të kërkojnë punësim, leje qëndrimi, nënshtetësi apo azil politik në vendet e BE. Liberalizimi i vizave është vetëm liri e lëvizjes dhe mundësi për një qëndrim pprej 90 ditësh në këto vende. Prandaj është e rëndësishme që qeveria e Tiranës dhe ajo e Bosnjë – Hercegovinës të informojnë qytetarët e tyre se çfarë do të thotë liberalizimi i vizave.

DW: A mund të jepni një afat realist kur kjo do të ndodhë për qytetarët e Shqipërisë?

Tanja Fajon: Mendoj që kur të dyja vendet të kenë plotësuar kërkesat nuk do të kemi nevojë për një kohë shtesë. Natyrisht për BE është e rëndësishme të shikojë tek Shqipëria një vend me demokraci të qëndrueshme pasi Shqipëria ka përjetuar muajt e fundit krizë të madhe politike. Është shumë e rëndësishme që qeveria e Tiranës të përpiqet të plotësojë kriteret teknike dhe të mendojë se çfarë ka përtej liberalizimit të vizave, të jetë e dedikuar ndaj procesit të integrimit europian. Ajo duhet të arrijë një kompromis për zgjidhjen e krizës politike, të sigurojë dialogun politik mes partive dhe një mjedis të stabilizuar politik në vend. Gjithsesi liberalizimi i vizave është një proces teknik, me shumë kërkesa dhe jo një proces politik. Por në fund merret një vendim politik. Prandaj është i rëndësishëm një bashkëpunim i mirë, i ndershëm, rezultate reale në terren, stabilitet politik.

DW: Po për Kosovën, e vetmja pjesë në ish-Jugosllavi që nuk është përfshirë ende në procesin e liberalizimit të vizave? A po projektohet ndonjë nismë në Parlamentin Evropian që edhe qytetarët Kosovës të gëzojnë lëvizjen e lirë, pa viza në vendet e BE?

Tanja Fajon: Kosova mbetet një shqetësim i madh per PE, sidomos kur të përfundojë procesi i liberalizimit të vizave me BE për Shqipërinë dhe Bosnjë- Hercegovinën, pra kur të gjitha vendet fqinje do të gëzojnë lirinë e lëvizjes. Lypset për Kosovën të fokusohemi për të gjetur modalitete sesi ta përfshijmë atë në procesin e liberalizimit të vizave. Unë i kam bërë apel Parlamentit Europian, institucioneve të tij që të përcaktojnë një ecuri të qartë për procesin e liberalizimi të vizave në Kosovë. Është një proces i gjatë, me shumë kërkesa që kërkon strategjinë e vet. Do të jetë shumë e vështirë që qytetarët e Kosovës të mos lëvizin pa viza në vendet e BE-së. Por Kosova nuk duhet të mbetet një njollë e zezë në hartën e Ballkanit Perëndimor. Dëshiroj të siguroj që unë dhe kolegët e mi në Parlamentin Evropian do të bëjmë gjithshka të mundur për të shtyrë përpara këtë proces dhe gjetur zgjidhje për ta përfshirë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Intervistoi: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 14.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OJGd
  • Data 14.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OJGd