1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Faj dhe ndëshkim në Bayreuth

Për shkak të tatuazheve me simbole naziste këngëtari Evgeny Nikitin hoqi dorë brenda një kohe shumë të shkurtër nga roli kryesor në operën "Holandezi fluturues" në festivalin e Bayreuth-it.

Që gjatë provës së përgjithshme për "Holandezin fluturues" në mes të korrikut, në të cilën u lejuan gazetarët, ndihej tensioni në ajër. Për shembull nuk ishin dhënë për regjistrimtë gjitha skenat me pjesëmarrjen e personazhit kryesor. "Si mund të përgatitet një informacion për 'Holandezin fluturues" pa holandezin?", pyesnin ekipet e dëshpëruara televizive. Edhe në intervistat me gazetarë këngetari nuk ishte. Më parë ai kishte dhënë intervista të shumta, duke përfshirë edhe një me gazetarin ZDF-së, Reinhold Jaretzky, artikulli i të cilit "Heavy Metal në Bayreuth: Si bëhet një këngëtar roku, yll i operës", ishte zanafilla e të gjithë kësaj.

Çfarë kanë ditur në Bayreuth?

Evgeny Nikitin

Evgeny Nikitin

"Ti nuk e kontrollon dot, se çfarë ka tjetri nën këmishë", thotë Peter Emmerich, zëdhënës i Festivalit të Bayreuth-it. Ata kishin "angazhuar një zë." As ngjyra e lëkurës dhe kombësia nuk luajnë ndonjë rol. Megjithatë këngëtari tha në intervistë për DW se atij i ishte kërkuar një vit më parë që të fotografonte të gjitha tatuazhet e tij dhe t'ia dërgonte fotografitë festivalit, gjë që ai edhe e kishte bërë. Nikitin kishte menduar fillimisht se ata donin të "integronin artistikisht" në shfaqje stolinë e trupit të tij.

Para dhe pas skenave ka tani spekulime të shumta. Mund të kenë luajtur faktorë të tjerë një rol në largimin e papritur e këngëtarit rus? A ka pasur tensione me ekipin e regjisë? A kanë qenë të pakënaqur në Bayreuth me rezultatin e tij? Apo këngëtari ishte i mbingarkuar dhe nuk ndihej në gjendje të këndonte në premierën më 25 korrik? "Unë kam shumë frikë nga Bayreuth-i", tha Evgeny Nikitin në fillim të qershorit në një intervistë për DW. "Sepse në Bayreuth me siguri që nuk do të kenë mëshirë me mua. Kjo është një provë e vështirë për mua."

"Pamaturia rinore" fatalitet për këngëtarin

Kryqi i thyer, një simbol i ndaluar në Gjermani, është i vizatuar në mënyrë amatoreske si tatuazh i madh sa dora në anën e djathtë të gjoksit të Nikitinit. Mbi të është një tatuazh i ri me ngjyra, por që nuk e mbulon tërësisht motivin e vjetër. Motivet dallohen qartë në një video, që është xhiruar rreth gjashtë vjet më parë. Ajo e tregon këngëtarin të zhveshur deri në mes dhe me kokë tullace, duke luajtur në bateri. Artikulli i fundit i ZDF-së përmban një skenë të shkurtër nga kjo video. Stolia në trup është bërë nga Evgeni Nikitin në rininë e tij të hershme, kur ai kishte shumë dëshirë "të ishte në rrugë" dhe ka "bërë shumë gabime." Efektin e kësaj "pamaturie rinore" këngëtari me sa duket e ka nënvlerësuar.

Kryqi i thyer provokim i adoleshentëve rebelues?

Evgeny Nikitin lindi në vitin 1973 në Murmansk, një qytet përtej rrethit polar arktik, ku në dimër me një temperaturë mesatare prej minus 20 gradë celsius, Dielli nuk del fare. Nikitin tregonte në intervistën dhënë DW, se kur ka qenë adoleshent, vuante gjatë natës polare nga depresione të rënda dhe zbuloi në atë kohë muzikën rock si shpëtim. Kjo ka qenë në vitet nëntëdhjetë pas rrëzimit të perandorisë sovjetike. Shumë të rinj mundoheshin t'i shpëtonin realitetit duke shkuar jashtë shtetit, apo duke rebeluar. Edhe në Rusi, në një vend, ku miti më i madh unifikues i të cilit është "fitorja mbi fashizmin" në "luftën e madhe për atdhe", simbolika naziste është tabu. Pikërisht për këtë arsye për shumë të rinj ajo ishte një mjet i sigurt për të provokuar prindërit në publik.

Festspielsommer - Festspiele Bayreuth

Kështjella e Bayreuth-it, ku zhvillohet Festivali Wagner-it

Babai i Nikitinit, dirigjent, arriti që nëpërmjet lidhjeve të tij t'i siguronte djalit një vend në konservatorin e Shën Petersburgut. Disa herë Nikitin deshi ta ndërpriste studimin, derisa dirigjenti Valery Gergiev zbuloi talentin e tij dhe e mori në teatrin Mariinsky. Tani ai është gati 40 vjeç, këngëtar i suksesshëm dhe baba i dy djemve.

Në mëngjesin pas transmetimit në ZDF Evgeny Nikitin foli me drejtuesit e festivalit. Menjëherë pas kësaj këngëtari anulloi kontratën dhe u largua. Ndjeshmëria në lidhje me simbolet naziste në Kodrën e Gjelbër të Bayreth-it është e madhe. Fundja vazhdohet të luhet në të njëjtën shtëpi, në të cilin Adolf Hitleri kishte një abonim të përhershëm. Në Bayreuth nuk duan që historia të kthehet përsëri. Katharina Wagner ka njoftuar se do të bëjë një "një sqarim të plotë për të kaluarën naziste" dhe hapjen e arkivave të shtëpisë. Në këtë sezon në territorin, ku zhvillohet festivali dhe në sallën e qytetit në Bayreuth mund të vizitohet ekspozita "Zërat e heshtur". Thema është politika anti-semite e pushtimit në festivalin e Bayreuth-it në epokën paranaziste.