1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Fabiola Gianotti - Mjeshtre e studimit të materies

Fizikania italiane Fabiola Gianotti është e para grua në krye të qendrës për studime bërthamore CERN në historinë e tij 60 vjeçare. Që nga viti 2016 ajo do të zevendësojë drejtorin e përgjithshëm, gjermanin Rolf Heuer.

Këshilli i Qendrës Evropiane për Kërkimet Bërthamore CERN emëroi të enjten (11.12) italianen Fabiola Gianotti drejtore të përgjithshme që nga janari 2016. CERN e bëri të ditur vendimin të premten (12.12). Këshilli aprovoi kështu përzgjedhjen e parë të bërë në mbledhjen e tij më 4 nëntor 2014. Famë botërore fizikania fitoi dy vjet e gjysmë më parë, më 4 korrik 2012. E mbushur me krenari dhe gëzim ajo qëndroi para bankave të mbushura plot të sallës së leksioneve në CERN, ku njerëz nga rajone të ndryshme të botës dëgjonin së bashku me shumë interes prezantimin e saj. Ishte një moment i madh në jetën e Fabiola Gianottit dhe sigurisht në historinë e fizikës: shkencëtarja bëri të ditur zbulimin e Higgs Boson, të grimcës elementare, të kërkuar prej kohësh e të supozuar teorikisht, pjesa e fundit që mungonte në mozaikun e modelit standard universal të materies.

Mbretëresha e fizikës

Revista TIME e nderon fizikanen si “runner-up", si një nga katër personat në vendin e dytë të "personi i vitit 2012". Vendin e parë e pati marrë atëherë presidenti i SHBA-së, Barack Obama. Por “Higgs Boson u shpall "grimca e vitit". Fotot e Gianotti-t në revistën TIME duken si fotografi të ndonjë ylli: Me një fustan të kuq elegant, flokët e zeza të krehura pas, këmbët mbi taka të larta pak të kryqëzuara. Italiania elegante qëndron para një sfondi me makineritë e CERN-it në një pozë plot hir, që të kujton gati një balerinë. Fakti që ajo në artikuj të ndryshëm është përmendur si "mbretëresha jonë", ose "mbretëresha e fizikës", ka të bëjë sigurisht në rradhë të parë me kompetencën, por i përshtatet edhe pamjes së saj.

CERN Higgs Teilchen Fabiola Gianotti Peter Higgs

Fabiola Gianotti dhe fizikanti britanik Peter Higgs gjatë konferencës së shtypit më 4 korrik 2012 në Gjenevë

Gianotti ka qenë nga marsi 2009 deri në shkurt 2013 drejtuese e eksperimentit ATLAS në CERN,që kishte të bënte me studimin e Higgs Boson. Kështu që momenti historik i zbulimit qëlloi të ndodhë në këtë periudhë. Ajo drejtonte një ekip ndërkombëtar, që duke përfshirë bashkëpunimet, si për shembull me universitetet, përbëhej nga 3.000 punonjës nga 38 vende. Puna në CERN "nuk ështe vetëm një punë e madhe shkencore, por edhe një aventurë e veçantë njerëzore", tha Gianotti. Që të punosh me kaq shumë njerëz nga e gjithë bota është "pasuruese dhe stimuluese".

Fisikante me humor dhe dobësi për shkronjat e "Comic Sans"

Në paraqitjen e zbulimit të Higgs Boson, fizikania provoi se ka fantazi dhe humor. Kështu ajo zgjodhi për prezantimin e saj shkronjat e librave humoristikë "Comic sans", gjë shumë e pazakontë dhe e guximshme për një prezantim profesional, sidomos për një prezantim shkencor. Menjëherë zgjedhja e shkronjave prej saj shkaktoi diskutime në forumet përkatëse dhe mediat sociale. CERN-i e mori këtë gjë me humor duke shpallur në faqen e internetit të Institutit se do t'i bëhet update më 1 prill 2014: Një analizë kinse paska zbuluar se një përqindje e madhe e suksesit të prezantimit të vitit i kaluar nuk vinte për shkak të përmbajtjes aktuale të zbulimit të grimcës Higgs, por nga zgjedhja e shkronjave.
Prandaj CERN në të ardhmen do t'i kthejë të gjitha kanalet zyrtare të komunikimit në shkrimin e "Comic Sans". Gënjeshtra e prillit përfundonte me njoftimin se përveç kësaj gjithashtu zbulimet shumë të rëndësishme shkencore do të shoqërohen në homepage me duar të vogla që duartrokasin.

Fizikante nga pasioni

Italiania e lindur në Romë më 29 tetor 1960 mbrojti doktoratutën në fizikën eksperimentale të grimcave elementare në 1989 në Universitetin e Milanos. Që nga viti 1994 ajo ka punuar si studiuese në CERN. Ndërkohë ajo është autore ose bashkëautore e më shumë se 500 botimeve shkencore dhe anëtare e shumë komiteteve kërkimore ndërkombëtare.
Kohët e fundit ajo merr pjesë edhe në bordin këshillimor shkencor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon. Që nga gushti 2013 ajo është edhe profesore nderi në universitetin e Edinburgut. Krahas çmimeve të shumta shkencore ajo ka marrë titullin doktor nderi nga katër universitete: Uppsala (Suedi), Lozanë (Zvicër), Montreal (Kanada) dhe Oslo (Norvegji). Viti i ardhshëm do të jetë një periudhë tranzitore, në të cilën Gianotti do të përgatitet për të marrë më 1 janar 2016 për pesë vjet drejtimin nga drejtori i përgjithshëm aktuall Rolf Heuer, gruaja e parë pas 15 drejtorësh të përgjithshëm në historinë 60-vjeçare të CERN-it. Rolf Heuer ka shprehur gëzim të dukshëm për zgjedhjen e bërë nga Këshilli. Ai është i bindur se CERN është "në duar të sigurta" te Gianotti.

CERN Teilchenbeschleuniger

Centrifuga për hulumtimin e grimcave LHC "large hadron collider"

Ruajtësja e CERN-it

Fabiola Gianotti gëzohet që do të drejtojë "një qendër të ekscelencës shkencore". CERN është sipas saj "një burim krenarie dhe frymëzimi për fizikantët në të gjithë botën" dhe një "djep i teknologjisë dhe inovacionit". Po aq e rëndësishme është për të, që qendra kërkimore në Gjenevë të jetë një "shembull i ndritshëm konkret i bashkëpunimit shkencor global dhe i paqes". Ajo do të angazhohet plotësisht për të ruajtur ekscelencën e CERN-it në të gjitha cilësitë e tij", me ndihmën e të gjithëve, duke përfshirë Këshillin dhe punonjësit e CERN-it, si dhe përdoruesit nga e gjithë bota." Fizikantët në CERN studiojnë strukturat themelore të universit që nga fillimi. Duke u nisur nga grimcat më të vogla ato përpiqen të nxjerrin konkluzione për të tërën. Pyetjet themelore fizike të kohës sonë, ata i hulumtojnë me anë të instrumenteve më të mëdha dhe më komplekse kërkimore që njeh bota.

Në një aparat të madh, "large hadron collider" (LHC), ata përplasin me njëra-tjetërn grimcat, që lëvizin gati me shpejtësinë e dritës. Nga copëzat, që krijohen prej kësaj, fizikanët nxjerrin konkluzione se si reagojnë grimcat ndaj njëra-tjetrës dhe për cilësinë e materies dhe ligjeve themelore të natyrës. Pas disa vitesh riparimi dhe modernizimi LHC në pranverën e vitit 2015, do të punojë me energji më të lartë se në vitet e mëparshme. Qëllimi i ardhshëm i studjuesve tani është të gjejnë shpjegim se çfarë është materia e errët dhe energjia e errët.