1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Füle në Tiranë: "Zgjedhjet test kyç për funksionimin e mirë të institucioneve"

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin Štefan Füle gjatë kontakteve me faktorin politik në Tiranë apeloi që procesi i reformave për integrimin evropian "të jetë i qëndrueshëm, përfshirës dhe i udhëhequr nga konsensusi".

epa03220159 European Commissioner for Enlargement and European Neighbourhood Policy, Stefan Fule speaks during a press conference on the 2012 European Neighbourhood Policy Package, at the European Commission headquarters in Brussels, Belgium, 15 May 2012. EPA/JULIEN WARNAND +++(c) dpa - Bildfunk+++

Stefan Fule

Dy ishin temat kryesore për të cilat diskutoi gjatë kontakteve që pati të hënën (04.02.2013) në Tiranë Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Štefan Füle: zgjedhjet parlamentare dhe reformat për integrimin. Në axhendën e kontakteve, e cila nuk u bë publike deri në fund të vizitës, Komisioneri përfshiu dhe diploamtët më të rëndësishëm përendimorë të akredituar në Tiranë, presidentin, kryeministrin dhe shefin e opozitës. Duke mos preferuar që të bëjë asnjë deklaratë për median që e ndoqi hap pas hapi në distancë, Štefan Füle i bëri komentet nëpërmjet një deklarate që jo pa qëllim ishte titulluar: "Konsesusi për Bashkimin Evropian duhet të përkthehet në veprime."

Integrimit në BE i qëndrueshëm, përfshirës dhe me konsensus

Duke folur për aktin e marrjes së statusit të vendit kandidat për integrimin në BE zyrtari i lartë i Brukselit th, se kjo është e arritshme për Shqipërinë dhe se u takon politikanëve shqiptarë ta bëjnë këtë realitet. "I tërë procesi i reformave që kanë të bëjnë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian duhet të jetë i qëndrueshëm, përfshirës dhe i udhëhequr nga konsensusi – në të mirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë."

Sa i takon zgjedhjeve parlamentare më 23 qershor Füle i cilësoi ato si një test kyç për funksionimin e mirë të institucioneve demokratike të vendit. "Ai u bëri thirrje politikanëve të zhvillojnë zgjedhjet e qershorit në përputhje me standardet ndërkombëtare, të përmirësojnë besueshmërinë dhe reputacionin e institucioneve demokratike dhe të forcojnë përgjegjshmërinë e politikanëve kundrejt qytetarëve shqiptarë", thuhej në deklaratën që u shpërnda për mediat në përfundim të vizitës së Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Štefan Füle në Tiranë.

Konkluzionet e analistëve

Komentatori politik Mentor Nazarko shprehet se para se të vinte në Tiranë Komisioneri, një pjesë e medias e paraqiti vizitën që do të kishte fokus të vetëm kërkesën e tij për opozitën për miratimin e tre ligjeve. Kjo ishte për të paraqitur mesazhet e vizitës si të ndryshme nga mesazhet që vendet anëtare apo institucione të tjera i kanë përcjellë Shqipërisë, thotë Nazrko për DW. "Për të krijuar idenë se ndërsa Komisioneri Štefan Füle ka qenë i interesuar vetëm për tre ligjet, ndërsa vendet anëtare kanë një listë të gjerë kushtesh, që lidhen me luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet, polarizimin politik, rritjen e valës nacionaliste në retorikën e qeverisë shqiptare, etj. Me mesazhet e veta publike, Komisioneri tregoi se nuk ekziston një diferencë e tillë. Ai e bëri të qartë se zgjedhjet ishin në fokusin e vizitës së tij dhe se klima parazgjedhore duhet të jetë aq shumë shqetësuese sa e detyroi atë të vinte. Sigurisht miratimi i tre ligjeve do t'i kontribuonte përmirësimit të klimës, por nuk u vu re ndonjë kërkesë llogarie e personalizuar për sa i takon tre ligjeve. Është bërë krejt e qartë se ai nuk erdhi vetëm për tre ligjet, por në përgjithësi për situatën pragzgjedhore në Shqipëri, e cila siç është paralajmëruar, jo vetëm mund të krijojë probleme në Shqipëri, por dhe në rajon."

Për drejtorin e lajmeve në Televizionin News 24. Enton Abilekaj, mbajtja larg e medias gjatë kësaj vizite duke mos u dhënë deklarata para mikrofonëve nuk është rastësore. Ky lajm i keq për median, mund të jetë një lajm i mirë për vendin, thotë Abilekaj për DW. "Ka shumë gjasa që kompromisi të jetë arritur dhe brenda 10 ditëve të ardhshme të ketë nje votim të tre ligjeve, sipas kërkesës së mazhorancës dhe zhbllokim të ngërçit në qarkun e Fierit, sipas kërkesës së opozitës. Përpara se të vinte në Shqipëri, Komisionieri Füle tha se zgjedhjet e lira nuk janë të mjaftueshme për Shqipërine: duhet kultura e kompromisit dhe e bashkepunimit. Pas tre vjet e gjysmë ngçrç, duket se kjo vizitë solli frymën e bashkëpunimit. Shqipëria kështu mendoj se mund të hyjë në zgjedhje me statusin e vendit kandidat për BE. Kjo do t'i ndihmojë zgjedhjet dhe më pas zgjedhjet e lira do ta ndihmojnë vendin të hapë negociatat për anëtarësim."