1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Vullnetarë të dialogut

Fëmijët në „situatë rruge“ – Fëmijë pa fëmijëri në Shqipëri

Varfëria dhe pasiguria sociale në Shqipëri i detyron shumë fëmijë të dalin të shesin, apo të lypin rrugëve. Ofertat për shkollim, apo për aktivitete edukative nga ana e institucioneve shtetërore janë fare të pakta.

Edhe pse sytë e dhjetëvjeçarit A.J. rrezatojnë fëmijërinë, ato nuk mund ta fshehin lodhjen e rraskapitjen. Fytyra e tij e rreshkur nga dielli ka marrë trajtat e pjekurisë. Në duart e vogla të ashpërsuara ai mban një kuti kartoni plot pako cigaresh dhe çamçakëzash. Ndonëse është vapë përvëluese këto ditë vere, ai përpiqet t'ua bëjö joshës mallin e tij kalimatëreve në një nga rrugët më të frekuentuara në zemër të qytetit. Duke blerë një paketë cigare unë mundohem të hyj në bisedë me të. Teksa sheh aparatin fotografik dhe manjetofonin tim, ai stepet dhe nuk do të flasë. Megjithatë pas një farë ngurrimi ai rrëfen paksa nga vetja. Por nuk dëshiron që të publikohen as emri dhe as fotografia e tij.

Familja prej gjashtë anëtarësh ka ardhur para disa vitesh nga Kukësi në kryeqytet. Ëndrra për një jetë më të mirë në Tiranë duket se është shuar shumë shpejt. Prindërit mundohen të fitojnë bukën e gojës përmes punëve të rastit. Shumë shpesh ata kthehen pa asnjë lek në xhep në shtëpi, rrëfen më tej A.J. Tre fëmijët e tjerë të familjes J. më të vegjël se A.J. sorrollaten tërë ditën në mënyrë të pakuptimtë nëpër shtëpi e në rrugët rreth saj diku në periferi të kryeqytetit. Në shkollë nuk shkon asnjëri.

Jo vetëm një rast i veçuar

Fëmijët si A.J. nuk janë të rrallë, përkundrazi shitësit e lypësit e vegjël e karakterizojnë imazhin rrugëve nëpër qytetet shqiptare. Ata janë bartësit e peshës së mjerimit dhe pasigurisë sociale në njërin prej vendeve më të varfëra të Europës. Sipas një studimi të vitit 2011 të Caritas-it 12 përqind e njerëzve në Shqipëri jetojnë në varfëri të madhe. Në këto kushte fëmijët dhe të rinjtë përballen me lënien pas dore dhe mungesën e përgjegjësisë nga ana e të rriturve. Veç kësaj ata shpesh bien edhe pre e dhunës fizike dhe psiqike si nga prindërit edhe nga të huajt. Nga ana e institucioneve shtetërore ka shumë pak oferta për shkollim apo për aktivitete edukative gjatë kohës së lirë. Ndonëse në Shqipëri është i detyrueshëm arsimi bazë, vetëm gati 40 përqind e pesëmbëdhjetëvjeçarëve ndjekin shkollën, numri i atyre ,që nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë, është në rritje, konstatohet në studimin e Caritas-it.

Straßenkinder in Albanien

Qendra ditore e "Save the children" në Tiranë

Se sa fëmijë ndodhen të të ashtuquajturën situatë rruge në Shqipëri, nuk është hulumtuar. Me konceptin në „situatë rruge“ organizata e OKB-së për fëmijët UNICEF përkufizon ata fëmijë, që e kalojnë ditën në rrugë dhe mbrëmjeve kthehen në shtëpi. Fëmijë që nuk kanë shtëpi dhe jetojnë në rrugë, në këtë kategori përfshihen edhe fëmijët, që punojnë në rrugë, sqaron për DW Danjela Shkalla, koordinatore e koalicionit BKTF (Bashkë për Kujdesin Tërësor të Fëmijëve), që përfshin 28 organizata dhe OJQ, të cilat merren me mbrojtjen dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve. Fakt është, sipas Shkallës, që në Shqipëri ka shumë fëmijë në situatë rruge.

Me mbështetjen e UNICEF ndërkohë organizata jofitiprurëse ARSIS në Shqipëri po punon në një studim për krijimin e një sistemi mbarëkombëtar të dhënash lidhur me fëmijët në situatë rruge. Drejtori i ARSIS, Zihni Kore, konfirmon në bisedë me DW se problemi më i madh në vendin e tij është mungesa e një sistemi dhe e mekanizmave përkatëse për mbrojtjen e fëmijëve. Në dy qendra ditore të organizatës ARSIS në Tiranë trajtohen si fëmijët nga familje problematike, ashtu edhe prindërit e tyre. Oferta e ndihmës shtrihet që nga shërbimet higjeno-sanitare e ushqimi deri tek konsulenca priskologjike e masat edukative, thotë Kore. Organizata e tij ofron edhe shërbime ambulante shkollore në zona problematike. Krahas ARSIS janë aktive edhe organizata të tjera si „Save the Children“, „Fshati i fëmijve S.O.S.“ e një sërë OJQ të tjera vendase, që ofrojnë shërbime të ngjashme.

Mungesë përvoje dhe kompetence profesionale

Ndërsa OJQ-të për përkujdesjen ndaj fëmijëve në situatë rruge veprojnë prej disa vitesh, vetëm para dy vjetësh u krijua Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, që ka për detyrë të monitorojë mbrojtjen e fëmijëve në nivel kombëtar dhe të koordinojë politikat qendrore dhe rajonale lidhur me këtë dukuri. Nga 400 njësi për përkujdesjen ndaj fëmijëve, që duhen ngritur sipas ligjit në mbarë vendin, deri tani janë krijuar vetëm 152 syresh, thotë drejtuesja e kësaj agjencie Miranda Pasha. Për aq kohë sa mungojnë të dhënat për një shifër konkrete mbi numrin e përgjithshëm të fëmijëve në situatë rruge në Shqipëri, aktualisht mund të flitet vetëm për numrin e rasteve të trajtuara, thotë Pasha: „Nga viti 2012 deri në prill 2013 janë evidentuar 1300 raste nga punonjësit e njësive për mbrojtjen e fëmijëve.“

Straßenkinder in Albanien

Miranda Pasha, drejtore e agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve

Organiazata „Save the Children“, që është aktive qysh nga viti 1999 operon me disa qendra për trajtimin ditor të fëmijve në Shqipëri. Nertila Topulli, që drejton një nga qendrat në Tiranë thotë, se në qendrën e saj nga viti 2009 janë trajtuar rreth 900 fëmijë. Sipas saj aksesi i punonjësve të këtyre qendrave tek fëmijët e rrugës është i vështirë, sepse ligji parashikon që tagrin për këtë e kanë vetëm punonjësit socialë të njësive shtetërore, statusi i të cilëve mbetet i paqartë.“Nëse një qytetar sheh fëmijë, që janë në rrugë, të vetëm dhe në gjendje shumë të keqe, të pangrënë dhe të zhveshur duke fjetur në rrugë në orët e vona të natës, ai s'mund të bëjë konkretisht asgjë. Në këto kushte mbetemi ende të paqartë, se kush ka përgjegjësinë të ndërhyjë praktikisht në këtë rast.“ Ndaj për një përkujdesje më të mirë të fëmijëve në situatë rruge është urgjentisht e domosdoshme të koordinohen masat e nevojshme mes OJQ-ve dhe njësive shtetërore. Për këtë duhet institucionalizuar një qendër koordinuese, thotë Topulli.

Straßenkinder in Albanien

Nertila Topulli, drejtore e qendrës ditore të "Save the children" në Tiranë

Perspektiva mbetet e paqartë

Në zonën e të pasurve dhe të të bukurve të Tiranës në „Bllok“ duket se asnjëri prej kalimtarëve nuk e vë re dhjetëvjeçarin A.J. dhe askush nuk ka interes të blejë diçka prej tij. Kur ai nuk arrin të shesë gjë, uria e detyron të shkojë në njërën prej qendrave ditore të Tiranës. Ai nuk shkon me dëshirë atje. Por nëse e pyet se çfarë do të ishte më mirë për të, ai ngre supet. A.J. duket si një i pjekur në moshë, kur thotë se, nëse ai nuk çon asnjë lek në shtëpi, familja s'arrin të blejë as bukë. Ai nuk do të flasë më dhe largohet. Kutinë e kartonit me cigare e çamçakëza vazhdon ta mbajë fort në dorë dhe nuk do ta humbasë shpresën, se ndokush do të joshet prej çikërrimave të tij. Ritualin e përditshëm nga ora 9:00 e mëngjesit deri në orën 23:00 të natës ai e vazhdon qysh prej tre vjetësh, dimër e verë.