1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Evropiani në Berlin

Ai vlerësohet si njeriu për raste të vështira. Volfgang Shojble, ministri gjerman i Financave kërkohet të bëhet manaxher krize. Ai duhet të merret me krizën e borxheve në zonën e euros. Në një post të ri të rëndësishëm.

Shojble kërkohet sërish si manaxher

Shojble kërkohet sërish si manaxher

Që prej vjeshtës së vitit 2009. Volfgang Shojble është ministri më i rëndësishëm i ekipit qeveritar të Merkelit. Ai është një njeri i rëndësishëm në koalicionin e kristiandemokratëve dhe liberalëve. Duke qenë numri dy i politikës gjermane, ministri i Financave është i involvuar në politikën ndërkombëtare dhe është prezent në të gjitha konferencat.   

Kurorëzimi politik

Me përpjekjet e deritanishme për shpëtimin e euros, Shojble, jurist nga Jugu i Badenit është kthyer në personalitet drejtues edhe në parketin ndërkombëtar. Në menaxhimin e krizës së borxheve Volfgang Shojble shihet si eminenca gri, si në Berlin ashtu edhe në Bruksel. Shumë nga masat e marra janë nënshkruar nga firma e tij. Rol të rëndësishëm ai ka luajtur për shembull në këshillimet e zhvilluara për paketën e shpëtimit të euros. Në krah të kancelares, ai luftoi për të futur më shumë diciplinë në paketën fiskale.

Volfgang Shojble dhe Angela Merkel

Volfgang Shojble dhe Angela Merkel

Tani, ministri gjerman i Financave do të marrë një rol kyç në zgjidhjen e krizës, do të bëhet shef i grupit të euros. Volfgang Shojble nuk është shumë i ri dhe me gjendje shëndetësore shumë të mirë. Në vjeshtë ai bëhet 70 vjeç.

Puna e re do të ishte kurorëzimi i karrierës së gjatë politike për Volfgang Shojblen. "Dhelpra e vjetër", siç quhet ai nganjëherë ka më shumë se 40 vjet në politikë.

"Kush ia kushton jetën e tij profesionale politikës,  ai dëshiron të zhvillohet. Dhe mundësia e zhvillimit në demokraci quhet pushtet," thotë ai. Sfidat e kohës së sotme me kriza, i japin kënaqësi.

Grupi i eurozonës, Bruksel

Grupi i eurozonës, Bruksel

Biografia si e një thrilleri politik

Biografia politike e Shojbles është si një thriller politik, i mbushur me intriga, goditje të rënda fati dhe skandale. Edhe valixhe të mbushur me pare, pati në të.

Kur Walter Ulbricht urdhëron ndërtimin e Murit të Berlinit, Volfgang Shojble mbaron abiturën (1961) dhe futet në rininë kristiandemokrate. Në vitin 1972, Shojble kandidon për herë të parë si deputet i parlamentit gjerman, Bundestag. Ai fiton në zonën e tij elektorale, Offenburg, në kufi me Francën, zonë që e ka mbajtur deri më sot si deputet.

Dhjetë vjet më vonë, më 1981 fillon bashkëpunimi i tij shumë intensiv me kancelarin, Helmut Kohl. Ai e bën Shojblen ministër të Kancelarisë në vitin 1984. Si shef i qendrës ku ndodhet pushteti, Shojble bëhet i njohur në gjithë Gjermaninë.

Manaxher i bashkimit gjerman

Volfgang Shojble

Volfgang Shojble

Në nëntor 1989, rrëzohet Muri i Berlinit. Shojble drejton bisedimet për paktin e Bashkimit me RDGJ, pakt që arrihet më 3 tetor 1990.

Atentat në Gjermaninë jugore

Vetëm pak ditë më vonë ai bëhet viktimë e një atentati. Shojble shikon vdekjen me sy. Një psikopat qëllon mbi të më 12 tetor 1990 kur ndodhej në restorantin „Bruder“ në Oppenau të Badenit. Shojble plagoset rëndë. Jeta e tij ndryshon në mënyrë dramatike. Atentati e ndaj jetën e tij në dy pjesë, një para dhe një pas atentatit. Që nga ajo ditë ai lëviz me karrocë. Por nuk heq dorë nga lufta. Me diciplinë të hekurt kthehet brenda gjashtë javëve sërish në punë si ministër i Brendshëm.

Marrëdhëniet me Helmut Kohlin

Helmut Kohl dhe Volfgang Shojble, 1998

Helmut Kohl dhe Volfgang Shojble, 1998

Në verën e ardhshme, më 20 qershor 1991, Volfgang Shojble mban një fjalim të rëndësishëm në Bon. Me apelin e tij "Në fakt kemi të bëjmë me të ardhmen e Gjermanisë. Kjo është vendimtarja," ai sundon mbi debatin. Berlin i kthehet në selinë e re të qeverisë në Gjermani. Fjalimi i tij bëri që zgjedhja të binte mbi Berlinin dhe jo Bonin.

Në 1998, Shojble nuk arrin ta pengojë Kohlin të kandidojë sërish për kancelar. Kohli humbet dhe merr me vete edhe Shojblen.

Skandali i CDU-së dhe kthesa në karrierë

Në janar 2000 Shojble pranon të ketë marrë në vitin 1994 donacione mbi 100 mijë marka nga një lobiist armësh.

Merkel ishte promovuar më parë. Del se Shojble nuk kishte treguar gjithë të vërtetën në parlament. Një gabim që nuk ia fal vetes kurrë dhe për të cilin kërkon më vonë falje publike.

Në shkurt të 2000-it, Volfgang Shojble jep dorëheqjen si shef i fraksionit kristiandemokrat- kristiansocial në parlamentin gjerman. Nga miq të dikurshëm Kohl dhe Shojble, bëhen armiq të përbetuar. Në një intervistë dhënë në prill 2000, Shojble flet për një "intrigë me elementë kriminal" dhe "luftë për zhdukjen e personit tim". Këtu ai prishet përfundimisht me Helmut Kohlin.

Marrëdhëniet me Angela Merkelin

Volfgang Shojble për integrimin e myslimanëve në Gjermani

Volfgang Shojble për integrimin e myslimanëve në Gjermani

Në këtë kohë sekretare e përgjithshme e CDU-së është Angela Merkel. Në dhjetor 1999 botohet në gazetën Frankfurter Allgemeinen Zeitung artikulli i famshëm në të cilën ajo këshillon partinë të ndahet nga Helmut Kohl, të "emancipohet" nga ai. Natyrisht Kohl beson se mbas kësaj është kundërshtari i tij Shojble. Megjithëse u habit edhe nga vetë Merkeli. Sot, ai thotë se nuk mendon keq për të.

Shojble dhe Merkel nuk kanë qenë kurrë çift i lumtur. As më 1998, kur ai e bëri atë sekretare të përgjithshme të CDU-së. As më 2000, kur ajo i shpëton dhe bëhet vetë kryetare e CDU-së. As më 2002, kur Shojble nuk mendon se ajo është kandidatja e duhur për kancelare. 

Më vonë, kur forcohet sa duhet, ajo e thërret rivalin Shojble të kthehet në ekipin e saj. Mbas zgjedhjeve të 2005-ës, në Berlin krijohet një koalicion i madh dhe Shojble merr postin e ministrisë së Brendshme. Katër vjet më vonë (tetor 2009), protestanti nga një provincë gjermano-jugore bëhet ministër Financash.

  • Data 15.05.2012
  • Autor Iveta Onfruskova/ Aida Cama
  • Fjalët kyç Shojble, Portret
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/14vFc
  • Data 15.05.2012
  • Autor Iveta Onfruskova/ Aida Cama
  • Fjalët kyç Shojble, Portret
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/14vFc