1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropianët kërkojnë të merret seriozisht sinjali i Zvicrës për ndalimin e minareve

1 Dhjetor 2009

Kundërshtimi i zviceranëve për ndërtimin e minareve ka ngjallur një debat për lirinë e fesë. Jo vetëm në Zvicër, por edhe në Gjermani përfaqësues të politikës, kishës dhe të bashkësisë islame reaguan për referendumin.

https://p.dw.com/p/Kmid
Postera me të cilat u kërkua në Zvicër ndalimi i minareve
Postera me të cilat u kërkua në Zvicër ndalimi i minareveFotografi: AP

Në Zvicër ndalohet ndërtimi i minareve të reja. Për këtë u shpreh të dielën në një referendum popullor një shumicë e qartë e popullatës prej 57,5%. Ky rezultat ishte i papritur për vetë Partinë Popullore Zvicerane (SVP), e cila kishte qenë iniciatorja e referendumit. Parti të tjera popullore si dhe Socialdemokratët dhe të Gjelbrit ishin shprehur pa ndërprerë që ndërtimi i minareve të mos ndalohet.

Ndalimi i minareve - jo mjeti i duhur kundër ekstremizmit

Në reagimet e para Ministrja zvicerane e Drejtësisë, Eveline Widmer Schlumpf, tha se ndalimi i minareve nuk është mjeti i duhur në luftën kundër ekstremizmit. Qeveria e Bernës është e zhgënjyer, por duhet ta respektojë vendimin. Akoma e hapur është për Ministren e Drejtësisë se çfarë pasojash i vijnë Zvicres në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndalimi i Minaresë është në kundërshtim me Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut dhe konventën e OKB-së.

"Mendoj se tani ka shumë rëndësi, që të theksohet se ky nuk është votim kundër fesë islame, kundër njerëzve, që i përkasin kësaj bashkësie fetare, por votim, që drejtohej kundër tendencave fundamentaliste. Siç duket me ndalimin e minaresë donin të jepnin një shenjë kundër këtyre tendencave fundamentaliste. Dhe nuk është mendimi, nuk ka qenë as i iniciatorëve, që të shpreheshin kundër besimit musliman si të tillë."

'Vendimi i zviceranëve të merret seriozisht'

Në Gjermani kryetari i Komisionit parlamentar për Punët të Brendshme, Bosbach bëri thirrje që vendimi i zviceranëve të merret seriozisht. Rezultati i referendumit popullor është shprehje e një frike prej islamizimit të shoqërisë, të përhapur edhe në Gjermani. Ish-kryetari i Komisionit të Parlamentar të Punëve të Brendshme, Sebastian Edati, politikan i partisë socialdemokrate për çështje të politikës së brendshme mendon:

"Ekziston frika prej islamizimit, ekziston islamofobia. Por detyra e politikës nuk është vetëm që të perceptojë faktet, por edhe të dijë të veprojë në lidhje me to. Këtu bën pjesë, që njerëzve në Gjermani t'u thuhet shumë qartë (dhe këtë duhej ta bënin edhe kolegët në Zvicër, që mbajnë përgjegjësi politike), se shumica e njerëzve me besim musliman, që jetojnë te ne në Evropë janë njerëz të moderuar dhe ata në bazë të të drejtave të njeriut natyrisht që kanë të drejtë të ushtrojnë fenë e tyre."

Shok për rreth 400 000 muslimanët e Zvicrës

Për afro 400 000 muslimanët, që jetojnë në Zvicër ky është një shok. Ata e perceptojnë këtë nga njëra anë si kufizim të lirisë së fesë, nga ana tjetër si goditje të përpjekjeve të tyre për integrim në shoqërinë zvicerane. Edhe reagimet nga Gjermania shprehin zhgënjim. Këshilltari i kryetarit të Këshillit Qëndror të Muslimanëve në Gjermani, Dr. Nadim Ilyas u shpreh:

"Ne jemi të shokuar nga ky referendum në Zvicër, pikërisht në një vend, i cili është i njohur për neutralitetin dhe respektin për të drejat e njeriut dhe të drejtat elementare. Kjo na tregon ne, se kur forcat demokratike dhe forcat e moderuara në vendet tona evropiane nuk e përmbushin detyrën dhe obligimin e tyre, fjalën e marrin radikalët."

Autor: Angjelina Verbica/ dpa/ DW

Redaktoi: Auron Dodi