1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130411 Tschernobyl DDR

25 Prill 2011

Qysh në fillim udhëheqja e RDGJ-së u përpoq ta minimizojë katastrofën radioaktive të Çernobilit. Popullsia informohej me rezervë, informacionet nga Perëndimi përgënjeshtroheshin si "fushata cytëse".

https://p.dw.com/p/113I9
Centrali Bërthamor i Çernobilit Më 26 prill 1986 shpërtheu blloku 4 i centralit atomik në afërsi të qytetit Prypjat në Ukrainë
Centrali Bërthamor i Çernobilit Më 26 prill 1986 shpërtheu blloku 4 i centralit atomik në afërsi të qytetit Prypjat në UkrainëFotografi: Merle Hilbk

Eshtë 28 prill, pak para orës 20:00, kur televizioni i RDGJ-së (ish-Republika Demokratike e Gjermanisë) për herë të parë informoi mbi fatkeqësinë e Çernobilit. Lajmi në Televizionin e RDGJ-së: "Siç njofton agjencia TASS, në centralin bërthamor Çernobil në Ukrainë ka ndodhur një havari. Një nga reaktorët bërthamorë është dëmtuar. Janë marrë masat për shmangien e pasojave të havarisë. Të prekurve po u jepet ndihmë."

Lajmi urgjent i agjencisë së lajmeve të Moskës TASS është konfirmimi zyrtar i fjalëve, që në mediat perëndimore qarkullonin prej disa orësh e vetëkuptohet që ato ndiqeshin edhe nga gjermano-lindorët. Edhe në ditët në vazhdim gjermano-lindorët mësojnë shumë më tepër prej televizionit perëndimor e madje edhe prej shtypit sovjetik, se sa nga mediet e vendit të tyre që kontrolloheshin në mënyrë të centralizuar, kujton fizikanti Sebastian Pflugbeil: "Në media fillimisht u dhanë disa shifra, e më pas shifrat as që u zunë më në gojë, por jepeshin vetëm deklaratat e zakonshme qetësuese të ekspertëve të vullnetshëm. Informacionet më interesante ne i kemi marrë atëherë nga gazeta "Pravda". Për herë të parë u bë interesante për ne që të lexonim gazetën "Pravda".

Sebastian Pflugbeil, fizikant, President i Shoqatës për Mbrojtjen nga Rrezatimi
Sebastian Pflugbeil, fizikant, President i Shoqatës për Mbrojtjen nga RrezatimiFotografi: GS

Nën moton "Atomi sovjetik është atom i mirë" shkencëtarët në RDGJ ua kalonin edhe kolegëve të tyre sovjetikë sa i përket minimizimit të katastrofës. Katër ditë pas fatkeqësisë, që siç u bë e ditur më vonë, shkaku ishte i një kombinim fatal i mendjelehtësisë dhe i sistemeve të dobëta të sigurisë, eksperti i njohur i fizikës bërthamore në RDGJ Karl Lanius shpjegonte në radion e RDGJ-së: "Duke u nisur nga masat e sigurisë, që ne i njohim nga përvoja personale në komplekset sovjetike, rezulton që informacionet për sisteme të dobëta sigurie dhe gabim njerëzor në shkallë të gjerë, apo paaftësi janë vetëm një fushatë e shëmtuar cytëse."

Të dhënat e matjeve të bëra nga Enti Shtetëror për Mbrojtjen nga Rezatimi mbaheshin sekret edhe për fizikantin Pflugbeil, i cili për shkak të qëndrimit të tij kritik ndaj energjisë atomike ndodhej nën survejimin e sigurimit të shtetit. "Faktikisht janë bërë matje intensivisht dhe në mënyrë shumë më sistematike se në Republikën Federale të Gjermanisë. Por këto të dhëna nuk bëheshin publike. Qeveria p.sh. ishte në dijeni për tejkalimin me njëmijë përqind të normës së jodit radioaktiv në qumështin në rajonin e Kotbusit, prej nga furnizohej me qumësht në pjesën më të madhe edhe Berlini. Por këto njoftime mbylleshin gjithmonë në mënyrë lakonike: që nuk është e nevojshme të informohet popullsia dhe të merren masa të caktuara."

"Detaje që nuk mund të harrohen" dhe pasojat e mëvonshme

Popullsia në RDGJ u befasua nga oferta e papritur e frutave dhe zarzavateve me bollëk nëpër dyqane, ndërkohë që nga radioja perëndimore mësoje, se ishte ndaluar importi i këtyre prodhimeve nga Lindja. Shumë qytetarë në RDGJ hoqën dorë nga konsumi i frutave e zarzavateve dhe nuk u jepnin qumësht fëmijëve. Nga ana tjetër qytetarët përjetuan se si p.sh. sallata jeshile, që nuk shitej më furnizohej nëpër kuzhinat e shkollave dhe u servirej fëmijëve, thotë Sebastian Pflugbeil. "Natyrisht që kjo ishte një histori e dhimbshme që na indinjoi neve pamasë. Ky është një detaj që nuk mund të harrohet."

Otto Zöllner, i vetmi nga tetë punëtorët që i ka mbijetuar rrezatimit. Më 23.04.2001 ai viziton varrin e ish-drejtuesit të kombinatit të automjeteve Mühlhausen Klaus Neukirch, njëri prej shtatë viktimave. Ekipi i punëtorëve kishte detyrë të lante 100 kamionë, që kishin qenë më parë në Ukrainë dhe ishin prekur nga radioaktiviteti i Çernobilit.
Otto Zöllner, i vetmi nga tetë punëtorët që i ka mbijetuar rrezatimit. Më 23.04.2001 ai viziton varrin e ish-drejtuesit të kombinatit të automjeteve Mühlhausen Klaus Neukirch, njëri prej shtatë viktimave. Ekipi i punëtorëve kishte detyrë të lante 100 kamionë, që kishin qenë më parë në Ukrainë dhe ishin prekur nga radioaktiviteti i Çernobilit.Fotografi: picture-alliance / ZB

Mund të merret me mend, thotë fizikanti Pflugbeil, që politika e minimizimit sistematik të katastrofës së Çernobilit prej udhëheqjes së RDGJ-së ka pasur dhe ka edhe pasoja të vonshme shëndetësore. Por është e vështirë që ato të vërtetohen në raste të veçanta. Revista "Superillu" në mars 2011 shkruan për fatin e tetë punëtorëve, të cilët në vitin 1986 në ndërmarrjen popullore të automjeteve Mühlhausen lanin qindra kamionë të rrezatuar duke mos qenë të pajisur me veshjen mbrojtëse prej rrezatimit. Shtatë anëtarë të ekipit të pastrimit, që përbëhej nga tetë vetë, ndërkohë kanë vdekur nga kanceri përpara se të mbushnin moshën 60 vjeçare.

Lëvizja e mjedisit në RDGJ pas katastrofës së Çernobilit ndjeu konfirmimin e kritikës së saj ndaj ndërtimit dhe vënies në funksionim të centraleve bërthamore. Fizikanti Sebastian Pflugbeil në vitin 1990 me hulumtimet e tij ka kontribuar ndjeshëm, që pak para ribashkimit të Gjermanisë të nxirrej nga funksionimi centrali bërthamor i tipit sovjetik në Grajfsvald.

Autor: Bernd Gräßler / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi