1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa ndalon pesticidet kancerogjene

Christoph Hasselbach19 Janar 2009

Në Bashkimin Evropian do të ndalohen për të parën herë pesticide veçanërisht të rrezikshme. Parlamenti Evropian miratoi dje në konsultimin e fundit një dekret përkatës.

https://p.dw.com/p/Gc7v
Një bujk duke shpërndarë plehra në një fushë në Sieversdorf (Oder-Spree), 2008
Një bujk duke shpërndarë plehra në një fushë në Sieversdorf (Oder-Spree), 2008Fotografi: picture-alliance/ ZB

Një vit e gjysmë zgjati deri sa u morrën vesh për këtë kompromis Komisioni, shtetet anëtare të BE-së dhe Parlamenti. Ai u miratua tani nga një shumicë e madhe e deputetëve. Bëhet fjalë për mbrojtës bimësh, që konsiderohen si kancerogjenë, që mund të ndryshojnë materialin gjenetik ose që mund të dëmtojnë aftësinë e riprodhimit.

Raportuesja Krista Klas e Partisë Popullore Evropiane lavdëron avantazhet për konsumatorët. "Ne kemi tani kushte të njëjta për konsumatorët në mbarë Evropën. Tani ata mund të thonë që frutat dhe perimet janë trajtuar me pesticide në të njëjtën mënyrë si në të gjitha vendet e tjera anëtare."

Megjithatë shtetet anëtare do të kenë njëfarë lirie veprimi në zbatimin e ligjit. Për shembull do të merren parasysh veçori gjeografiko-klimatike. Por ndalimi mbetet ndalim, kjo vlen edhe për produktet e importit, thotë Hiltrud Brajer, bashkë-raportuese e Të Gjelbërve:"Kur vjen një banane nga Kosta-Rika ose një domate nga Maroku, këto nuk lejohet të përmbajnë pesticide, që janë këtu të ndaluara."

Por deri sa dekreti të ketë efekt të plotë do të kalojnë jo më pak sesa dhjetë vjet. Që sot janë të ndaluara 22 lëndë, por çdo lëndë që është me rreth të kuq mbetet në treh deri në përfundim të licencës, dhe këtu është fjala zakonisht për dhjetë vjet. Erna Heniko-Shëpges e Partisë Popullore Evropiane: "Nuk është se këto produkte nga sot nesër nuk gjenden më në treg. Hyrja në fuqi e dekretit zgjat. Një numër i madh produktesh mbeten të lejuara deri në 2018-ën."

Heniko-Shëpges, bën fjalë për lobim intensiv nga ana e prodhuesve dhe e industrisë agrare, që kanë arritur ndër të tjera këto kohë të gjata kalimtare. Por në dallim nga Shoqatat e Bujqve vetë bujqit duhen marrë në mbrojtje. Ndër të tjera Lidhja e Bujqve Gjermanë dhe firmat prodhuese kishin paralajmëruar gjatë negociatave që të mos teproheshin masat. Ata e mohojnë rrezikun e pesticideve në ushqimet normale dhe arsyetojnë se pa përdorimin e plehrave dhe të pesticideve do të rriteshin çmimet e ushqimeve.

(aca)