1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Evropa në rrezik? Debati për euron në Parlamentin Evropian

Bashkimin Evropian mund ta shpërbëjë kriza e huave e eurozonës: prej kësaj paralajmërojnë ndërkohë politikanë të BE-së të rangut të lartë. Kështu ngjau edhe të mërkurën (14.09.) në Parlamentin Evropian në Strasburg.

Skicon një pamje të zymtë të gjendjes: Presidenti i Komisionit Evropian Barroso

Skicon një pamje të zymtë të gjendjes: Presidenti i Komisionit Evropian Barroso

Rrallë ka mbizotëruar në Parlamentin Evropian një atmosferë kaq e zymtë. Shpesh ishte fjala për rrezikun e një katastrofe, për rrënim. Kaq serioze e sheh gjendjen edhe presidenti i Komisionit Evropian José Manuel Barroso: "Gjendemi përpara sfidës më të rëndë të një brezi. Kjo është një luftë për vende pune dhe për mirëqenien e familjeve në të gjitha shtetet tona anëtare. Është një luftë për të ardhmen ekonomike dhe politike të Evropës, për atë që Evropa përfaqëson në botë. Është një luftë për vetë integrimin evropian."

Mungon veprimi i përbashkët

Barroso u ankua për një kakofoni opinionesh në vend të veprimit të përbashkët. Marrëveshjet mbi disiplinën buxhetore, masat e shpëtimit dhe bashkërendimin politik të ndërsjellë duhen zbatuar urgjentisht, tha ai. Kundërshtarëve të ndihmave të mëtejshme për vendet me hua të mëdha Barroso u bëri thirrje: "Të mbështesësh euron nuk është vetëm akt solidariteti kundrejt të tjerëve. Është një akt i intersit vetjak."

Si Barroso edhe kryetari i liberalëve, Guy Verhofstadt, bëri me pasion reklamë për një bashkësi evropiane të vërtetë në vend të një bashkëpunimi thjesht shtetesh kombëtare. Përfytyrimet gjermano-franceze të një qeverie ekonomike evropiane janë për të një rrugë e gabuar. "Parashtrimet, që kanë bërë zonja Merkel dhe zoti Sarkozy para disa javësh, nuk bëjnë punë. Një qeveri kryetarësh shtetesh e qeverish, që takohen dy herë në vit, nuk është qeveri. Për mendimin tim një qeveri takohet dy herë në javë e jo dy herë në vit, siç e propozojnë Merkel dhe Sarkozy."

Ulja e deficiteve jo në kurriz të të varfërve

Për socialistët theksoi Martin Schulz, deficitet shtetërore duhet të ulen në të gjitha vendet, por jo në kurriz të të varfërve dhe të atyre që fitojnë pak: "Në këtë kohë u shkurtohen njerëzve pagat, shkurtohen pensionet, rriten tatimet e konsumit. Në të njëjtën kohë lexoj në gazeta që boni-t e bankierëve në të gjitha shtetet anëtare janë sërish në nivelin e 2008-ës. Ne nuk mund të vendosim disiplinë buxhetore në Evropë, kur njerëzit kanë ndjenjën, që vegjëlia duhet të paguajë pafundësisht dhe të marrë përsipër rreziqet, dhe ata që kanë tamam para, i bëjnë bisht pjesës së tyre, për shembull duke arritur t'i kalojnë paratë në oaze fiskale ende ekzistuese."

Të kesh një ombrellë të mirë: kjo është dëshira e shumë deputetëve në Parlamentin Evropian

Të kesh një ombrellë të mirë: kjo është dëshira e shumë deputetëve në Parlamentin Evropian

Politikani i gjelbër francez Pascal Canfin sheh Zvicrën si një oaz fiskal të tillë. Ai tha, se grekët e pasur kanë depozituar 200 miliardë euro në bankat zvicerane. "200 miliardë euro, këto janë sa produkti i brendshëm bruto vjetor i Greqisë ose sa dy të tretat e huave greke. Nuk mund t'iu bësh thirrje për solidaritet taksapaguesve evropianë kur grekët e pasur nuk tregojnë solidaritet."

Falimentimi i Greqisë vetëm çështje kohe?

Socialdemokrati Martin Schulz kritikoi, që disa po e sjellin falimentimin e Greqisë pikërisht duke u shprehur; me këtë ai e kishte fjalën me sa duket për politikanët liberalë gjermanë. Deputetë të tjerë evropianë folën fare hapur për këtë, për shembull konservatori belg Derk Jan Eppink. "Falimentimi i Greqisë është vetëm çështje kohe, zoti president. Disa duan kapërcimin në një union transferi me obligacione në euro. I kuptoj shqetësimet e Gjermanisë. Gjermanët do të jenë të detyruar të paguajnë. Por çfarë ndodh sikur vetë Gjermania të bierë në vështirësi? Kush i shpëton shpëtimtarët?"

Konservatori Eppink nuk është i vetmi që mendon kështu. Spektri në Parlamentin Evropian shkon nga luftëtarë të zjarrtë për Evropën deri në nacionalistë po aq të zjarrtë. Kësisoj, debati në Strasburg pasqyron gjithë diskutimin shoqëror; jo vetëm mbi rrugët e daljes nga kriza e euros, po edhe mbi pyetjen, se sa larg duhet të shkojë integrimi evropian.

Autor: Christoph Hasselbach  / Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM