1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Evropa në kthetrat e koncernit rus të gazit Gazprom

Gazi natyror luan vitet e fundit një rol të madh në furnizimin me energji. Kjo prirje do të vazhdojë dekadat e ardhshme. Edhe në Gjermani. Gati gjysma e importeve gjermane të gazit vjen ndërkohë nga Rusia.

Rezervuari i gazit i Gazpromit dhe Wingasit Haidach pranë Salzburg-ut në Austri.

Rezervuari i gazit i Gazpromit dhe Wingasit Haidach pranë Salzburg-ut në Austri.

Perandoria e prodhuesit rus të gazit Gazprom është e superlativave: ajo përbëhet nga afro 160.000 kilometra tubacione, rreth 1000 firma bija dhe 400.000 punonjës, që vitin e kaluar arriti një vlerë fitimi rekord me rreth më shumë se 24 miliardë euro. Rreth një e gjashta e gazit të konsumuar në botë vjen nga tubacionet e Gazpromit dhe e bën koncernin eksportuesin më të madh botëror të gazit. Gjermania merr ndërkohë rreth 40 përqind të gazit nga Rusia dhe plani për daljen nga energjia bërthamore do ta rrisë edhe më tej kërkesën për gaz. Deri tani monopolisti rus përfiton nga nxjerrja e gazit nga fushat e nëndheshme deri në shitjen importuesve të mëdhenj gjermanë. Por për të ardhmen monopolisti rus dëshiron të fitojë më shumë deri tek flaka e gazit në banesa. Në Gjermani Gazprom i ka shtrirë rrënjët prej kohësh.

Në fillim të viteve 90-të Gazpromi së bashku me bijën e BASF Wintershall themeloi sipërmarrjen Wingas, e cila dërgon sot afro 20 përqind të gazit tek përdoruesit gjermanë. Në se do të ishte për rusët, kjo nuk duhet të përfundonte këtu. Kohët e fundi flitej se Gazpromi mund të blinte Ruhrgazin, një bijë e gjigandit energjetik E.ON. Ruhrgas furnizon aktualisht afro 50 përqind të tregut të konsumentëve përfundimtarë. Për Gazprom ky do të ishte një biznes i mirë.

"Unë jam shumë i bindur se për shembull shitja e Ruhrgasit Gazpromit është e pamundur për shkak të liberalizimit të tregut të gazit, të vendosur nga BE. Sidomos po të merret parasysh, që Gazprom është një aksionar kryesor i bijës së BASF, Wingas, dhe ka gjithashtu aksione tek furnizuesit e tjerë."

... mendon Konstantin Simonov, Drejtor i National Energy Security Fund në Moskë. Më shumë fuqi nuk do t'i lejonin kartelet evropiane Gazpromit. Përkundrazi: pozita e fortë aktuale e prodhuesit rus duhet dobësuar dhe pikërisht përmes rrjetit të tubacioneve. Për shumë vite në njerën anë të tregut evropian të gazit prodhuesit e mëdhenj kryesisht nga Rusia dhe Norvegjia përballeshin me importuesit e mëdhenj si psh Ruhrgas. Sferën e pushtetit të prodhuesve e sigurojnë në rradhë të parë tubacionet. Sepse ai që nuk ka mundësi, të transportojë gaz, nuk mund të shesë gazin në Evropë. Prandaj në të ardhmen me kërkesën e Komisionit Evropian rrjeti i tubacioneve do të jetë i hapur edhe për prodhuesit, që nuk janë pronarë të tubacioneve. Kontrollet e transportit të gazit do të bëheshin nga autoritetet kombëtare rregullatore.

Përveç ndarjes së rrugëve të transportit nga prodhuesit e energjisë, u krijuan edhe hapësira tregtare për gazin.Tradicionalisht gazi i shitej importuesit direkt nga prodhuesi me kontrata shumëvjeçare, çmimi bazohej te çmimi i naftës. Në të ardhmen gazi do të blihet dhe shitet gjithnjë e më shumë në pika tregtare, ku çmimi lëviz sipas ofertës dhe kërkesës aktuale dhe gazi mund të blihet në periudhë afatshkurtër.

Situatë midis oligopolit dhe tregut të lirë

"Situata, që kemi momentalisht, është një situatë e ndërmjetme në mes një oligopoli dhe një situate më të fortë tregu, ku edhe prodhuesit e tjerë mund të dalin në treg, gjë që nuk kanë mundur ta bëjnë më parë", shpjegon Jonas Grätz, nga Fondacioni Shkenca dhe Politika. Rusia natyrisht mbrohet dhe kërkon nga BE rregulla të veçanta për tubacionin e saj. Krahas kësaj Gazpromi planifikon tubacione në drejtim të lindjes, që një ditë t'ia shesë gazin Kinës dhe vendeve të tjera aziatike në rritje të shpejtë ekonomike. Ky nuk është shkak për t'u shqetësuar për furnizimet në Evropë, mendon Jonas Grätz:

"Tregu europian i gazit vazhdon të jetë më interesanti dhe në fakt ato nuk kanë alernativë tjetër përveçse të furnizojnë Evropën dhe të inverstojnë këtu. Tregu kinez ndoshta pas 20, 30 vjetësh do të bëhet interesat. Por momentalisht nuk është akoma."

Ndërsa tregu i ri nuk është hapur, Gazprom ka në Evropë konkurrentë. Një konsorcium firmash ka vendosur të ndërtojë tubacionin Nabucco, që çon gazin nga Azia Qëndrore në Evropë duke anashkaluar Rusinë. Edhe gaz i lëngshëm natyror, psh nga Katari vjen me cisterna në tregjet evropiane Pas zbulimit të të ashtuquajturit gaz jokonvencional në SHBA edhe amerikanët, traditionalisht importues të gazit, vitin e kaluar kanë mundur të sjellin sasi të vogla gazi në Evropë. Këtë Gjermania duhet të vazhdojë ta shfrytëzojë, për të zvogëluar pushtetin rus në treg, mendon Jonas Grätz.

"Konkretisht kjo do të thoshte: Ne mbështesim më shumë koncernin energjitik gjerman RWE, sepse RWE investon në tubacionin Nabucco, që do të sjellë gaz nga Azia Qëndrore, Iraku dhe vende të tjera të rajonit në Evropë. Ky do të ishte një hap i madh përpara. Apo mund të investohet në një terminal për gaz të lëngshëm natyror. Kështu mund të importohej më shumë gaz nga vendet e tjera në Gjermani. Kjo do të ishte një strategji e përshtatshme, duke patur parasysh faktin, se ne na nevojitet më shumë gaz natyror."

Autor: Insa Vrede/Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi