1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Evropa mbyll edhe një portë tjetër

Pas mbylljes së rrugës për refugjatët në Detin Egje, Evropa synon të mbyllë edhe atë në Detin Mesdhe përmes Libisë. Por kjo nuk e zgjidh problemin, mendon Bernd Riegert.

Nga fillimi i këtij viti deri tani përmes porteve italiane kanë arritur 95.000 azilkërkues dhe emigrantë. Numri i tyre mund mund bëhet lehtë dy herë më i madh. Sepse për trafikantët "sezoni" nuk ka arritur ende kulmin e tij. Ministri i Jashtëm italian, Angelino Alfano, dha tani sinjalin e alarmit: ndihma nga Evropa është e pamjaftueshme, tha ai. Sepse shtetet e tjera të BE-së nuk po marrin mjaftueshëm azilantë nga Italia, dhe BE-ja nuk po kontribuon për financimin e strehimoreve të emigrantëve.

Me të dy argumentet, ministri italian ka për fat të keq të drejtë, prandaj nuk është për t'u habitur që Italia tashmë do të përdorë një mjet që për arsye humanitare konsiderohet i papërshtatshëm: Italia dëshiron që azilkërkuesit ose emigrantë të qëndrojnë në Libi dhe sa më pak syresh të arrijnë në portet italiane. Në këtë strategji bën pjesë edhe pengimi i varkave të shpëtimtarëve privatë, që kanë sjellë me anijet e tyre rreth 40 për qind të të gjithë të ardhurve në Lampedusa ose Sicili.

Italia synon me Libinë një pakt si me Turqinë, i cili bëri që të ndërpritet vala e refugjatëve për në Greqi. Por Libia është në gjendje kaotike dhe nuk është e aftë që të kujdeset për migrantët nga Afrika.

BE-ja duhet të tregohet e ndershme

Ndërprerja e rrymës së refugjatëve që vijnë përmes Detit Mesdhe është jo vetëm qëllim i Italisë por edhe i politikës së BE-së për emigracionin. Shumica e vendeve të BE-së duan që Italia ta ndërmarrë këtë nismë dhe të dërgojë sikurse planifikon anije në ujërat e Libisë për të trembur trafikantët. Po ashtu emigrantët që do të kapen në det, do të dërgohen për në Libi. Shpresa është që pas disa javësh askush nuk do të guxojë më t'i hyjë aventurës me trafikantët.

Zyrtarisht për operacionin e frikësimit të refugjatëve do të jetë Roja Bregdetare e Libisë. Por në Libi ka disakutime të forta, nëse duhet t'u kejohet anojeve të huaja që të depërtojnë në ujërat territoriale të vendit. Kryeministri i vendit thotë po, por ai nuk e ka nën kontroll gjithë vendin dhe bregdetin e tij.

Libia ka vetëm dy anije, pra shumica e anijeve, do të jenë nga Italia. Organizatat për të Drejtat e Njeriut do të protestojnë, po BE-ja do ta bëjë veshin e shurdhër. Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, tha se nëse mbyllet rruga në Detin Mesdhe, do të ulet edhe numri i viktimave. Kjo tingëllon ndoshta cinike, por është megjithatë e vërtetë. Këtë vit kanë humbur jetën 2.300 vetë.

Kështjella Evropë

Po çfarë do të ndodhë me njerëzit që do të mbeten të bllokuar për muaj të tërë në kushte të tmerrshme në Libi. A do të kthehen ata në vendet e tyre? A janë kampet për refugjatët në Libi, që do të organizohen nga OKB-ja dhe financohen nga BE-ja, një zgjidhje e pranueshme? Nëse Italia dhe Libia mbyllin rrugën Mesdhetare, një gjë është e qartë: presioni i emigrantëve nga Afrika për në Evropë nuk do të bjerë. Përkundrazi ai do të rritet vitet e ardhshme. Njerëzit thjesht do të gjejnë mënyra të tjera.

Italia dhe Bashkimi Evropian mbështetet tek frikësimi dhe fortifikimi. Një nga rrugët e fundit për të kërkuar legalisht azil në BE po mbyllet tani. Sepse azil njerëzit mund të kërkojnë vetëm nëse hyjnë në territorin e BE-së. Në kufijtë e jashtëm të BE-së, qoftë në Hungari, Kroaci, Bullgari, Rumani dhe Greqi, kjo është vetëm një mundësi teorike. Kalaja e Evropës po i afrohet me marrëveshjen me Libinë edhe një hap të madh më tej qëllimit të deklaruar - mbylljes së plotë.