1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Evropa Lindore me kurs drejt energjisë bërthamore

Evropa Lindore do të zgjerojë përdorimin e energjisë bërthamore. Rezerva për sigurinë thuajse nuk ekzistojnë - edhe më të vogla janë ato në Paks të Hungarisë. Centrali bërthamor atje është punëdhënës i preferuar.

Paks, një qytet i vogël në Hungarinë qendrore, me pamje të bukur buzë Danubit. 20.000 banorë. Çdo banor e njeh atë. Emri i këtij vendi është sinonim për centralin bërthamor, që ndodhet këtu - centrali i vetëm në vend: katër reaktorë sovjetikë të ujit me presion, me një kapacitet të përgjithshëm prej 2000 megavatësh. Centrali ka nisur nga puna në vitin 1983. Së bashku, këta reaktorë prodhojnë 40 përqind të nevojës që ka Hungaria për energji.

József dhe Monika Bordács jetojnë rehat këtu, së bashku më fëmijët e tyre: një shtëpi me gjashtë dhoma, dhe një sipërfaqe e madhe toke në periferi të zonës. József Bordács ka 16 vjet që punon në këtë central. Ai është kontrollor për mirëmbajtjen e ndërtesave. Gruaja e tij, Monika jep mësim në gjeografi dhe histori në një shkollë të lartë me profil energji dhe energjitikë.

Energji bërthamore? Me gjithë qejf

Ngjashëm si familja Bordács këtu jetojnë dhe mendojnë shumë njerëz në qytezën atomike Paks. Rreth 2500 banorë, rreth një e treta e të gjithë fuqisë punëtore në vend është e punësuar në centralin atomik dhe fiton rreth 1200 euro në muaj - afërsisht sa dyfishi i rrogës mesatare të Hungarisë. Prandaj nuk është çudi pse mbështetja për energjinë bërthamore është kaq e lartë këtu.

Por edhe në pjesët e tjera të vendit, hungarezët kanë qëndrim pozitiv ndaj energjisë bërthamore. Madje edhe klasa politike e armiqësuar në kampe të ndryshme politike në këtë pikë ka të njëjtin mendim: energjia bërthamore duhet të zgjerohet. Hungaria dëshiron t'i modernizojë katër blloqet në Paks si dhe ndërtojë dy blloqe të reja. Me këtë Hungaria është pjesë e tendencës që vihet re në të gjithë rajonin. Që nga vendet balltike, deri në Bullgari, të gjitha vendet mbështesin përdorimin e energjisë bërthamore. Në Lituani dhe në Poloni, njerëzit vërtet që janë më tepër kundër energjisë atomike, por megjithatë të dyja vendet po shqyrtojnë mundësinë e ndërtimit të centraleve atomike. Në Çeki, në Sllovaki, në Rumani dhe në Bullgari ekzistojnë pjesërisht plane konkrete zgjerimi për reaktorë të rinj, shumica e popullit e mbështet këtë.

Pak dyshime për energjinë bërthamore në Evropën Lindore

Pak dyshime për energjinë bërthamore në Evropën Lindore

Shumë çështje të hapura

Jo më larg se fillimi i javës së kaluar (14.10.2013), kryeministrat e vendeve të Vishegradit, Polonia, Çekia, Sllovakia dhe Hungaria përforcuan në një takim të përbashkët qëndrimin e tyre pro energjisë atomike dhe njëkohësisht i kërkuan BE që të mos miratojë direktiva për energjinë atomike. Se çfarë burimesh energjitike shfrytëzon në mënyrë parësore një vend, kjo nuk duhet të vendoset në Bruksel, deklaruan kryetarët e qeverive.

Megjithë mbështetjen e madhe në popull, fare joproblematike këto plane nuk janë. Në Çeki, në Rumani dhe në Bullgari centralet aktuale bërthamore kanë pasur probleme sigurie në të kaluarën. Centrali bërthamor bullgarg Kozlduj konsiderohet më i rrezikshmi në vendet evropianolindore të BE, pas centralit Ignalina në Lituani, që u nxorr nga rrjeti. Edhe në centralin Paks, që konsiderohet i sigurtë, në vitin 2003 pati një aksident serioz. Veç kësaj, thuajse në të gjitha vendet e rajonit nuk është sqaruar çështja e mbeturinave atomike.

Prandaj, ekspertë kritikë të energjisë në vendet evropianolindore e shohin si problematik orientimin në drejtim të energjisë bërthamore. Ekspertë si Ada Amon, kryetare e Klubit energjitik të Budapestit ankohen se "mungon vullneti politik për t'i marrë seriozisht energji të reja atomike". Kjo megjithëse zëdhënësi i qeverisë hungareze, Ferenc Kumin thotë se "energjitë e ripërtëritshme do të zgjerohen në përputhje me detyrimet tonë në BE, duke arritur në 20% deri në vitin 2020."

Në Paks, energjitë e ripërtëritshme nuk do të luajnë ndonjë rol për një periudhë afatgjatë. Argumetin që shumica e gjermanëve nuk duan më energji bërthamore, njerëzit në Paks nuk e kuptojnë. "Kjo energji do të përdoret gjithmonë, është e sigurtë dhe siguron vende pune", të thonë edhe studentët e energjitikës, në shkollën e lartë të Paksit.