1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Evropa, Kina, SHBA: tre shokë?

Kur miqësohen dy vetë, i treti mund të jetë i humburi. Evropa kërkon vendin e saj në botë dhe hedh sytë nga takimi i nivelit të lartë midis Kinës dhe SHBA në Kaliforni. E qetë apo xheloze.

Në takimin e nivelit të lartë midis presidentëve të SHBA dhe të Kinës takohen dy partnerë thuajse të barabartë, por edhe konkurentë. SHBA dhe Kina janë numri një dhe tre ndër fuqitë më të mëdha ekonomike të botës. Vendin e dytë përsa i përket rendimentit ekonomik e zë BE, po të mbledhësh rendimentin ekonomik të 27 vendeve anëtare së bashku. Kina e sheh veten në rrugë për t'u bërë fuqi botërore, në të cilën Pekini dhe Uashingtoni si G2, si grupi i dy të mëdhenjve, të përcaktojnë drejtimin, beson politologu kinez, Yan Xuetong nga Universiteti Tsinghua i Pekinit: "Kjo marrëdhënie bilaterale do të jetë në të ardhmen marrëdhënia më me ndikim e botës. Nuk ka asnjë marrëdhënie tjetër, që mund të jetë më e rëndësishme," u shpreh Yan Xuetong në një forum të "Këshillit Evropian për për Marrëdhëniet me Jashtë" në Londër.

Ish-këshilltari i sigurisë i Presidentit të SHBA, Barack Obama, Thomas Donilon, theksoi në një takim me shtypin në Shtëpinë e Bardhë se përsa i përket politikë së jashtme, SHBA do të përqendrohen në të ardhmen më fort te Azia dhe Kina. A duhet të shqetësohen tani evropianët, se do të braktisen? A do të bëhet për SHBA Paqësori më i rëndësishëm së Atlantiku?

Marrëdhënia e Evropës me Kinën nuk krahasohet

Nuk ka shkak për xhelozi, beson eksperti për politikën e jashtme të FDP në Parlamentin Evropian, Alexander Graf Lambsdorf. Eshtë e vështirë që të thuash se cila marrëdhënie është më e rëndësishme - ajo midis SHBA dhe Kinës apo ajo midis SHBA dhe Evropës. "Marrëdhëniet janë shumë të ndryshme. SHBA dhe Kina janë rivalë gjeostrategjikë në hapësirën e Paqësorit. SHBA kanë një marrëdhënie bilaterale të sigurisë me Japoninë dhe Korenë e Jugut. Kina vetëkuptohet që ka interesa në rajon. Në detin e Kinës Jugore ka disa konflikte. Këtu kemi një marrëdhënie shumë më intensive dhe të ndryshme se sa ajo e evropianëve me Kinën," i tha Lambsdorfi Deutsche Welles.

Nuk ka shkak për xhelozi thotë Alexander Graf Lambsdorf

"Nuk ka shkak për xhelozi" thotë Alexander Graf Lambsdorf

Zyrtarisht, edhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Barroso nuk sheh ndonjë shkak për të parë me xhelozi në drejtim të SHBA dhe Kinës. Në takimin e fundit të nivelit të lartë me udhëheqjen kineze, vitin e kaluar, Barosso foli për ndjenja miqësore: "Marrëdhëniet midis BE dhe SHBA janë një shembull për faktin se si mund të bashkëpunojnë dy partnerë të mëdhenj në një botë multipolare."

Megjithë siguritë që japin politikanët amerikanë dhe ekspertët evropianë, në Evropë ka rezerva lidhur me drejtimin e ri të politikës së SHBA. Gazeta spanjolle "El Pais" u shpreh këtë javë kështu në një koment: "Aleancat midis Amerikës dhe Azisë e ndryshojnë kartën botërore. Udhëtimi në Amerikë i presidentit kinez Xi Jinping është pjesë e përpjekjes, për të ngritur një rrjet marrëdhëniesh tregtare. Paqësori bëhet "Mare nostrum" i shekullit të 21-të. Ai fiton atë rëndësi, që kishte Mesdheu në kohën e romakëve të vjetër". Edhe Amerika Latine orientohet në drejtim të Paqësorit dhe të Azisë, shkroi "El Pais"


Autor: Bernd Riegert/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica