1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Evropa ka nevojë për një Itali me stabilitet

Edhe kjo krizë qeveritare i duhej BE-së. Pak para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, Italia zhytet në kaos me dorëheqjen e detyruar të kryeministrit Letta. Kriza mund të rikthehet, komenton Bernd Riegert.

Kriza qeveritare në Itali ka të bëjë me të gjithë Eurozonën dhe Evropën. Shkarkimi i kryeministrit Enrico Letta nuk është vetëm një folklor politik i Italisë, por një vendim, i cili mund të dëmtojë luftimin e krizës ekonomike në Evropë.

Pas vetëm nëntë muajve në këtë post, ithtari i Evropës Letta duhet të largohet. Ai në mënyrë tragjike dështon përballë ambicjes së rivalit të ri brenda partisë së tij Matteo Renzi. Letta e fitoi luftën politike që zgjati me muaj ndaj konservatorit penetrant dhe obstrukcionist Silvio Berlusconi, i cili në vitin 2013 humbi postin e kryeministrit dhe influencën që kishte, sepse hyri në fuqi dënimi ndaj tij dhe atë e përjashtuan nga senati. Por Enrico Letta nuk pati kohë të mjaftueshme ta shijojë këtë fitore. Në dhjetor të vitit të kaluar ai humbi postin e kryetarit të Partisë Socialdemokrate në garën me Renzin, i cili tani do të marrë ndoshta edhe postin e kryeministrit.

Në rrafshin evropian Enrico Letta vlerësohet për stilin e tij të qetë dhe të arsyeshëm. Ai kontribuoi që në Itali të krijohet një koaolicion i qendrueshëm pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2013, kur rezultati nuk ishte shumë i qartë. Deri në nëntor në koalicion ishte edhe partia e Berlusconit. Letta nuk mundi të bëjë ndonjë reformë të madhe, por Komisioni i BE-së vlerëson se janë bërë disa hapa pozitive drejt zhvillimit ekonomik. Kostot për financimin e borxheve të larta të shtetit italian ishin të përballueshme. Por tani ka humbur ky stabilitet relativ, që në kohë krize do të ishte shumë i rëndësishëm për Italinë. Kjo i bën të pasirgutë tregjet financiare dhe blerësit e mundshëm të obligacioneve shtetërore italiane.

Deutsche Welle Bernd Riegert

Bernd Riegert

Kthimi i krizës së euros?

Kërcënimi nga "Il spread", pra rreziku për obligacionet italiane të borxhit, mund të kthehet. Sërish mund të jetë konkret rreziku për një falimentim të shtetit italian. BE-ja duhet të bëjë ç'është e mundur që ta shmangë rrezikun e një krize në Itali. Sepse gjithçka tjetër do të ishte mjaft e kushtueshme, nëse Italia pas një krize eventualisht të gjatë qeveritare sërish do të zhytej në kaos dhe do të kishte nevojë për ndihma nga fondet evropiane të shpëtimit. Italia është "too big to fail" (tepër e madhe për të rënë). Borxhet e saj janë tepër të larta, aq sa rimëkëmbja financiare e saj mund ta mbingrakonte Eurozonën dhe fondin e shpëtimit, ESM. Matteo Renzi, i cili si kryebashkiak i Firences nuk ka përvojë me qeverinë kombëtare, ka shpallur reforma të ashpra. Socialdemokrati jokonvencional madje ka negociuar edhe me vet kundërshtarin e përbetuar Silvio Berlusconi për reformimin e nevojshëm të kodit elektoral në Itali.

Por Renzit së pari i duhet të organizojë në të dyja dhomat e parlamentit një mazhorancë të aftë për qeverisje. Kjo do të jetë shumë vështirë, sepse partneri i deritanishëm në koalicionin me socialdemokratët, ministri i Brendshëm Angelino Alfano, ka kërkuar zgjedhje të reja. Alfano në nëntor bashkë me disa të besuar u shkëput nga kampi i Berlusconit, kur ky anulloi koalicionin me Lettan.

Lojërave të pushtetit në Itali nuk u dihet fundi

Renzi mund të përpiqet të krijojë pakt me lëvizjen "Pesë yjet" të komedianit Beppe Grillo, e cila ka fituar rreth 30 % të votave në zgjedhjet e kaluara. Deri tani Grillo nuk ka pranuar të bashkëpunojë me asnjërën parti. Linja e tij është protetsta kundër një BE-je, që sipas tij, dominohet nga Gjermania. Presidenti Giorgio Napolitano i ka cilësuar zgjedhjet e reja si plotësisht qesharake në kohën e një krize kaq të thellë ekonomike. Napolitano mund të emrojë edhe një qeveri teknike për një periudhë kalimtare.

Politikanëve italianë tani do t'u duhen javë dhe muaj të tërë për t'u marrë me zgjidhjen e problemeve brenda vetes. Kjo nuk u sjell asgjë të papunëve të shumtë dhe as sipërmarrjeve të vogla, që po luftojnë për mbijetesë. Si një ventil për zemërimin e akumuluar mund të shërbejnë zgjedhjet në maj për Parlamentin Evropian. "Grillinët", ithtarët e lëvizjes euroskeptike të protestës, mund të fitojnë popullaritet të paimagjinueshëm. Kriza politike mund të ashpërsohet duke e bërë faktikisht të pamundur qeverisjen e Italisë. Tani BE-së i mbetet vetëm të shpresojë që të mos ndodhë kështu.

Silvio Berlusconi, konsevatori që i luan fijet në prapaskenë, mund të realizojë suprizën e radhës. Ai donte të kandidonte për Parlamentin Evropian përmes trukeve juridike. Ndoshta tani ai gjen ndonjë mënyrë që ta realizojë këtë në nivelin kombëtar. Për kavalierin Berlusconi kjo krizë është një dhuratë e re politike, ndërsa për Evropën një ankth.