1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa ime: Vendlindja ëndërra e një bote të shenjtë

3 Dhjetor 2017

Te ne është mirë, kurse jashtë plot rreziqe. Përse atëhere ka kaq shumë të rinj që duan të largohen nga vendlindja? Stanislav Strasburger në kërkim të një përgjigjeje.

https://p.dw.com/p/2ofeP
Stanislaw Strasburger
Fotografi: Mathias Bothor

Përveç rrugicave të qytetit tonë dhe zakoneve tona - përveç lidhjeve tona të gjakut - pjesa tjetër e botës është një xhungël e tmerrshme ku vetëm mashtruesit mund të mbijetojnë. Këtë  predikonin gjyshërit e protagonistit të "Kalorësit polak". Por ai gjithmonë donte të largohej. Romancieri spanjoll Antonio Muñoz Molina përshkruan se si Manueli ëndërronte që në fëmijëri të shpëtonte nga vendlindja e tij e vogël, qyteti i Andaluzisë Magina. Ai donte të bëhej qytetar i botës: të fliste gjuhë të huaja dhe të jetonte në qytetet kryesore të botës - Paris, Nju-Jork ose Bruksel.

Zëra formues

Si ri rebel Manueli dëgjonte "The Doors" dhe i pëlqenin sidomos "Riders on the storm" dhe "Break on through". Kështu ai mësoi anglisht, sepse në vitet 60-të në shkollat spanjolle nuk ofrohej mësimi i gjuhëve të huaja. Më vonë Manueli u bë përkthyes dhe ëndërra e tij u bë realitet.

Në një moment, kur ishte në mesin e të tridhjetave të tij, ai dëgjoi përsëri zërin e gjyshit. Dhe papritmas e gjithë jeta iu duk e dështuar. Zëri i gjyshit i thoshte: "Nëse bën edhe një hap më tej, nuk do të kthehesh më prapa, do të bëhesh i huaj përgjithmonë, nuk do të kesh më një vend që të jetë kaq i rëndësishëm për ty që të duash të qëndrosh atje. Sepse çdo qenie njerëzore ka vetëm një gjuhë dhe një shtëpi, ndoshta dhe vetëm një qytet dhe një peizazh ".

Spanien Impression Andalusien
Gjyshi thoshte: çdo qenie njerëzore ka vetëm një gjuhë dhe një shtëpi.Fotografi: Simone Falk

Kush ka të drejtë - Manueli apo gjyshi i tij? A jemi ne njerëzit të dënuar që si të rinj të ëndërrojnë të jetojmë një jetë të re, ndryshe nga kufijtë e ngushtë të vendlindjes sonë mbytëse dhe pastaj dekada më vonë për t'u dhënë të drejtë të moshuarve dhe për t'u kthyer të penduar në shtëpinë e prindërve?

E keqja jashtë

Mua personalisht, prindërit (dhe dy gjyshet) nuk më kanë predikuar në fëmijërinë time që bota e largët është një xhungël mizore. Megjithëse në dekadën e fundit të Perdes së Hekurt kishte shumë arsye për këtë: shumica e familjes sime u vra në Luftën e Dytë Botërore, një konfrontim i mundshëm me kapitalizmin e kalbur që i pranishëm.

Në shtëpi më kanë dhënë një mësim tjetër: e keqja e botës nuk ndalet në qytetin dhe farefisninë tonë.

Aktualisht këtë e tregon edhe fushata në mediat sociale #MeToo. Një numër i madh njerëzish, shumica gra, raportojnë për përvojat e tyre pjesërisht traumatike. Disa i kanë bërë ato jashtë vendit ose me të huaj, por shumë edhe në ambientin e tyre të afërt: si fëmijë në shtëpi dhe midis të afërmve, në jetën e tyre profesionale dhe në mjedisin më të afërt shoqëror. Çdokush që ka qenë i prirur të mendojë, se vetëm të huajt ngacmojnë dhe përdhunojnë, ka nevojë urgjente për një përditësim.

Çfarë më thotë kjo? Bota e përsosur, amtare është një ëndërr. Ajo është një utopi.

Në një nivel personal, ekzistencial, ajo gjithmonë e ka shoqëruar njerëzimin. Për disa, kjo ëndërr mund të jetë sjellëse fati. Për të tjerët, krijon presion. Në një mjedis familjar, kjo ëndërr shpesh shndërrohet në të vërtetë, por shumë shpesh kjo nuk është asgjë më shumë se një gënjeshtër. Në fund të fundit, është një rastësi se ku ndeshesh me të keqen e botës: në qytetin tënd ose në një të huaj.

Gastkolumne von Stanislaw Strasburger
Fotografi: Simone Falk

Transferuar në nivelin politik, gënjeshtra e botës së shenjtë brenda vendit, shpesh shndërrohet në një instrument pushteti. Së bashku me konceptin e kombit dhe të identitetit, kjo gënjeshtër është një nga shpikjet mashtruese të shekullit të 19-të. Pa to, nuk do të ishte e mundur të mobilizoheshin dhe fanatizoheshin miliona njerëz që në shekullin e njëzetë ishin gati të sakrifikonin lumturinë e tyre personale, të linin familjet e tyre dhe të shkonin në luftë për të vrarë njëri-tjetrin. Atdheu në nivelin e politikës është lëndë shpërthyese.

Njerëzit si atdhe

Protagonisti i Muñoz Molinas arriti që t'i kundërvihet fuqisë shkatërruese të utopisë së atdheut në të dyja nivelet. Kujtesa e tij shkon më thellë se zërat e gjyshërve të tij. Ai flet për vuajtjet e të afërmeve të tij, edhe nëse ata vetë heshtin për këtë.

Pas një kërkimi të marrëzishëm, Manueli e gjen vatrën e tij tek ... dashuria. Sikurse thuhet në një prej këngëve të tij të preferuara të "The Doors". Zëri i Jim Morrisonit mbizotëroi: "Kam gjetur një ishull në krahët e tua / një vend në sytë e tu."

Personalisht, unë mendoj si Manueli. Për mua janë njerëzit që përbëjnë shtëpinë dhe vatrën time. Ata mund të jetojnë në vendlindjen time ose larg saj. Unë jam gjithmonë i lumtur kur i takoj ata atje ku jetojnë. E njëjta vlen edhe për mua. Ka mjaft vende gjeografike ku më pëlqen të jem. Vendlindja ime Varshavë është vetëm një prej tyre.

Stanisław Strasburger u lind në Varshavë. Ai jeton në Berlin, Varshavë dhe qytete të ndryshme të Mesdheut. Ai është autor i librave Tregtari i historisë dhe "Pasion.Liban".