1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Evropa ime: Toka e djegur e Iluminizmit

Fenomenet e vjetra si populizmi dhe nacionalizmi kombinohen me të reja si lajmet e rreme. Një terren ky i mirë për të nxitur mosarsyen e verbër, paralajmëron shkrimtari Catalin Dorian Florescu.

Një fantazëm sillet përqark botës perëndimore. Fantazma e epokës postfaktike. Qëkurse Donald Trumpi fitoi me pak përpjekje intelektuale, me gënjeshtra dhe propagandë zgjedhjet presidenciale të SHBA, thuhet se ka nisur kjo epokë e re. Trumpi përcakton në këtë pamje të gjërave, vijën ndarëse. Dikur ekzistonte iluminizmi, tani s'ka më nevojë për iluminizëm. Dikur ishte më e mirë, tani  ... Ne jemi kuriozë.

Në fund të fundit, kush ka nevojë ende për diçka të vjetruar, të ngadalshme, të komplikuar, e që merr shumë kohë si mendja e sqaruar vetiake, kur bëhet edhe më lehtë dhe më shpejt? Falë Twitter-it dhe mediave të tjera (jo)sociale. Në të vërtetë, ka arsye të mjaftueshme për shqetësim. Në qoftë se një person me një narcisizëm që të bën të shurdhër për arsyen e matur, me një fjalor të kufizuar, që njeh vetëm një mbiemër - great -, një njeri që mbështetet kryesisht tek pretendimet dhe jo tek dëshmitë, mund të bëhet president i një demokracie që ka armë bërthamore, atëherë duket se apokalipsi i arsyes nuk është  shumë larg. Por ne nuk duhet të harrojmë se disa prej qëndrimeve të ish-presidentit Bush vështirë se mund të konsiderohen si të arsyeshme dhe prandaj vija ndarëse do të duhet të shtyhej edhe më tej.

Shokët e Trumpit

Trumpi nuk është i vetëm në udhëtimin e tij në parajsën e papjekurisë. Ai ka mjaft shokë të vendosur. Autokrati rus dhe ai turk, Putini dhe Erdogani - për të përmendur vetëm dy - kanë kohë që e nxisin projektin e larjes së trurit të popujve të tyre. Llogaria e tyre duket se po del, sepse ata kanë shifra kolosale miratimi. Edhe pse ka një lloj rezistence qytetarësh që mendojnë në mënyrë kritike - por të frikësuar, ata janë të margjinalizuar.

Njerëzit ëndërrojnë për një dorë të fortë që mund ta puthin. Për një mit të fryrë osmanizimi apo rusizmi që ofron siguri dhe shëron - ose shenjtëron të gjitha plagët. Nëse i hedh kësaj përzierjeje të neveritshëm edhe pak fe - si ortodoksia ruse, apo islamizmi konservator - del një dozë opiumit, e cila errëson mendjen dhe mund të hedhë në gjumë një pjesë të konsiderueshme të popullit.

Në fund të fundit, Putini dhe Erdogani nuk kanë pretenduar kurrë se janë iluministë. Vendet e tyre janë - e shumta - krejtësisht në periferi të zonës së iluminizmit, falë një shtresë të hollë shpirtrash kritikë dhe disidentësh. Por në qoftë se në një nga demokracitë e vjetra, një pjesë e madhe e popullit - por jo shumica, kjo nuk duhet harruar - zgjedh një Trump, atëhere kësaj duhet t'i vëmë veshin.

Hungaria dhe Polonia: dëshirë e madhe për një botë "të shenjtë" dhe etnikisht të pastër

Po të hedhin vështrimin në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku duhet të mendojmë se ka më shumë dije dhe arsim, shohim se Hungaria dhe Polonia - që ishin dy yje referimi në qiellin e evropianolindor gjatë procesit të demokratizimit të viteve nëntëdhjetë, janë bërë sot hije të vetvetes. Të dy këto vende janë bërë viktima të një populizmi agresiv nacionaliste. Në këto  vende ka një dëshirë të zjarrtë nacionaliste dhe radikalizëm të djathtë. Por risia është se kjo dëshirë e madhe për një botë etnikisht të pastër - e shoqëruar me mjaft antisemitizëm, ksenofobi dhe katolicizëm - ka përfshirë jo vetëm naziskinët dhe skinhedët, por shumë të rinj.

Edhe në Rumani po dështon arsyeja. Socialdemokratët që ishin përfshirë nga korropsioni deri në sferat më të larta dhe për këtë i humbën zgjedhjet e kaluara, erdhën tani sërish në pushtet, në kundërshtim me çdo lloj arsyeje.

Unë mendoj se nuk ka pasur kurrë një vijë ndarëse. Një epokë para dhe pas Donald Trumpit. Edhe më parë nuk ka qenë ndryshe. Le të sjellim tri shembuj: ishin vendet me shkollim e dije ato nga të cilat u nisën me këngë dhe buzëqeshje në gojë ushtarët në front, që ishin trallisur nga nacionalizimi sikurse e gjithe pjesa tjetër e popullsisë. Ishin vendet e shkolluara dhe të ditura ato që deri në vitet 1960-1970 mbanin kolonitë e shekullit të kaluar dhe që i lanë shpesh vetëm pasi u derdh shumë gjak. Eshtë kisha katolike ajo që në vendet demokratike dhe të sqaruara stigmatizon dhe diskriminon gratë, të ndarët apo homoseksualët. Unë nuk gjej asnjë iluministe në këtë mes. 

Struktura të të menduarit magjik edhe tek të rriturit

Kurrë nuk ka qenë më mirë ose më keq. Njerëzit janë të prirur drejt mungesës së arsyes, ëndërrave. Ashtu sikurse strukturat e të menduarit magjik të një fëmije vazhdojnë të ekzistojnë edhe tek të rriturit - dhe ne kemi frikë nga errësira, ose kur shkojmë në bodrum fishkëllejmë në heshtje  - ne te bashkëjetojnë edhe arsyeja me mosarsyen.

Në rrethana normale mendja e shkolluar dhe e ditur mund t'i kundërvërë faktet mosarsyes indiferente. Dhe ne ngremë institucione për të siguruar paqen, ne besojmë në fuqinë e dialogut dhe të arsimit, krijojmë postblloqe kundër brutalizimit. Por në rrethana të veçanta shpërthe mungesa e arsyes, si një fytyrë e dytë, një turi i Iluminizmit. Dhe ne të zbulojmë pasionin tonë për të shkatërruar dhe shembur qytetërimin. Ne e përjashtojmë veten nga detyrimi ndaj vlerave humaniste. Ne përplasim dhe shkatërrojmë.

Sot ne përjetojmë një fazë të tillë, në një kontekst të ri kulturor dhe civilizues. Fenomene të lashta - populizmi, nacionalizmi, krizat ekonomike, zemërim ndaj atyre "lart", që cilët nuk kujdesen për ne "poshtë" - kombinohen sot me fenomene të reja si: refugjatët, lajmet e rreme dhe një dije të rrafshuar dhe të fragmentuar prej hapësirës virtuale, transformimin qytetarit të angazhuar në një konsumatorë të shurdhër dhe të bindur, mbiindividualizmin dhe çsolidaritetin, vlerat humaniste që vihen në diskutim. E gjithë kjo është baza që ushqen mosarsyen e verbër dhe të çmendur. Ajo që mbetet është toka e djegur e Iluminizmit.

Shkrimtari Catalin Dorian Florescu, që shkruan në gjermanisht, ka lindur në Rumani dhe jeton në Zvicër prej vitit 1982. Për romanin e tij "Jakob vendos të dashurojë", ai u nderua me Çmimin zviceran për Librin në vitin 2011.