1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Evropa ime: një udhëtim nëpër spitalet e Evropës

Të udhëtosh në BE është bërë më e lehtë. Por kur je sëmurë dhe ndodhesh në Evropë përjeton shumë gjëra të papritura - midis tyre edhe shumë ngjashmëri të çuditshme midis Gjermanisë dhe Greqisë.

Para pak kohësh rrëshkita në një gur dhe dërmova kyçin e këmbës. E kjo më ndodhi jo në Berlin, por në një fshat të vogël grek të quajtur Mani, në Peloponez. Duket se është më e lehtë nganjëherë që të kalosh kufijtë administrativë brenda BE.së se të kalosh kufijtë administrativë dhe rajonalë brenda një vendi. Për të shkuar me ambulancë në spitalin në Kallamatë, u desh një ambulancë e re, që u dërgua posaçërisht për mua, në kufirin rajonal. Dhe më vonë, në aeroportin e Berlinit, Schönefeld, u desh që shokët të më prisnin në mes të natës dhe të më çonin vetë në spital, sepse ambulanca e porositur në Berlin nuk kishte të drejtë të merrte një pacient në Landin e Brandenburgut, ku ndodhet aeroporti i Schönefeldit.

Kriza financiare i bën ta pazëvendësueshëm të afërmit

Po unë doja dhe duhet të shkoja në Berlin. Tri ditë në spitalin grek më bindën që operacionin ta bëj në Gjermani. Megjithë shkollimin e shkëlqyer të mjekëve, për të cilët pata dëgjuar vetëm gjëra të mira, më frikësuan pasojat e krizës financiare greke në sektorin e shëndetësisë. Personeli i paktë merrte përsipër të gjitha detyrat, jo vetëm ato mjekësore, por edhe pastrimin, dhe qe i mbingarkuar përtej kufijve.

Shpesh mungonin mjetet më të thjeshta të ndihmës, si karriget me rrota, patericat, fashot. Kur nuk ecje dot si pacient, të vinin automatikisht një kateter dhe të jepnin antibiotikë, po të mos kishe me vetë të afërm, të cilët të të ndihmonin në banjë. Një ngushëllim qe ushqimi. Dy herë në ditë të jepnin ushqim të ngrohtë shtëpie. Edhe pas operacionit, të afërmit janë të pazëvendësueshëm. Anëtarët e familjes jetonin me të sëmurët e tyre në krevate portative dhe në karrige të parehatshme, i furnizonin ata 24 orë në ditë dhe blinin për ta medikamente dhe gjëra të tjera të nevojshme në qytet. Personeli i mbingarkuar ishte i dekurajuar, pa durim dhe jo shumë miqësor.

Spitalet si sipërmarrje

Kur mbërrita në një spital të Berlinit e ndieva veten sikur të kisha mbërritur në parajsë. Personel miqësor, i gatshëm për ndihmë, me  durim. Kirurgë tepër të specializuar, që vinin dy herë në ditë për vizitë. Infermiere dhe infermierë, të cilët kujdeseshin me përkushtim të theksuar për pacientët e tyre, megjithë mungesat në infermierë të rinj. Dhe kishte fizioterapetë, masazhistë, personel pastrimi dhe ndihme: çdo ditë të jepnin këmisha nate të pastra, çarçafë e këllëfë të pastër, peshqirë, peceta rrobe për t'u larë. Për çdo pacient: një telefon, televizor, karrige me rrota, paterica. Çaj dhe kafe pa ndërprerje. Madje pranë ishte edhe një kafene.

Problemet e para nisën me ushqimin. Vaktet silleshin nga një shërbim Catering. Ai me sa duket nuk ia kishte haberin as rregullave të ushqimit për të sëmurët, as entuziazmit për të gatuar. Ushqimi vetë nuk e mbështeste patjetër procesin e shërimit.

Infermieret të këshillonin që të ankoheshe. Pacientët janë klientë. Dhe klienti është mbret. Spitali është një sipërmarrje që duhet të nxjerrë fitim.

Në rrugë të gabuar

Po ku ta çosh një pacient pas një operacioni të rëndë të këmbës, kur në shtëpi ai nuk kujdeset dot për vete, por nuk i ka mbushur as 75 vjeç? Unë rashë në një boshllëk në sistem dhe u ktheva në një paciente, që refuzonte të largohej nga spitali, për aq kohë sa për të nuk qe gjetur një zgjidhje. Në minutën e fundit pastaj u gjet një zgjidhje. Më çuan në një pavion të përkujdesjes së përkohshme. Spitalet janë të detyruara t'u kushtojnë vëmendje pacientëve. Dhe kur pacienti ngul këmbë, për përjashtime gjenden edhe zgjidhje të veçanta.

Po më duket se askush që punon në mënyrë aktive për shërimin në sektorin e shëndetësisë, qofshin mjekët, infermieret, infermierët dhe personeli tjetër nuk është dakord, që pacientët të trajtohen si klientë dhe që spitalet të shndërrohen në sipërmarrje fitimi. Ndoshta do të ishte e dobishme që të intensifikohet komunikimi, kohezioni dhe solidariteti midis të sëmurëve, persona në nevojë për ndihmë dhe ekipeve të mjekëve. Sepse në fund të fundit, pacienti duhet të ndihet i pranuar me hallet dhe mundimet e tij dhe të mos e humbasë besimin, ajo që ka rëndësi parësore është shërimi i tij. Sepse kudo në BE bëhen përpjekje që të arrihet efikasitet dhe përfitim për shoqërinë. Në shëndetësi dhe në vende të tjera. Por në këtë kuadër, mirëqënia e individit nuk duhet të vijë në radhë të fundit dhe të sakrifikohet për hir të detyrimit për fitim.

Carmen Francesca-Banciu është shkrimtare rumuno-gjermane dhe docente. Ajo jeton si autore në Berlin dhe jep seminare për "Shkrimin kreativ". Nga viti 1996 ajo shkruan edhe në gjuhën gjermane.