1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Evropa ime: "Bota nuk është bardh e zi"

Perceptimi i thjeshtëzuar i botës propagandon skenare të thjeshta si zgjidhje dhe nxit propagandën. Diskursi publik për krizën e refugjatëve i ngjan një "pune pa mend", thotë Ilija Trojanov.

Të menduarit në dikotomi është një parashkallë e idiotësisë. Ai që nuk e kuptuar deri tani, atij e tashmja i ofron shumë material për ta parë. Le të marrim për shembull një temë, e cila ka sjellë kohët e fundit shumë histeri: e ashtuquajtura krizë refugjatësh. Që prej kohësh, realitetit të politikës aktuale gjermane i vihet përballë një fantazi e vendosur. Ai që mund të ketë një vit në udhëtim nëpër botë, për të debati që mbizotëron mund të përmblidhet lehtë: do t'ia dalim mbanë, thotë njëra palë. Po të tjerët? Nuk do t'ia dalim mbanë.

Diskursi publik i ngjan një pune pa mend. Të gjithë pjesëmarrësit janë mbledhur për të marrë pjesë në kërcim së larti, një lartësi e re është përcaktuar dhe tani të pranishmit diskutojnë me zell, nëse kjo lartësi do të arrihet. Dhe grinden me njëri tjetrin për pohimin në dukje absurd, se pengesa në këtë lartësi mund të kalohet, duke i vënë përballë pohimin në dukje absurd, se është e pamundur që kjo lartësi të kalohet, dhe madje mund të çojë në një thyerje qafe.

Thjeshtëzimi mbetet thjeshtëzim

Si pasojë e këtij perceptimi thjeshtëzues të botës, si zgjidhje propagandohen skenare të thjeshta. Mbyllja e kufijve për shembull do të thotë që kufijtë të bëhen të padepërtueshëm. Se a është e arritshme kjo përballë migrimit "ilegal" që ekziston në të gjithë botën, kjo nuk merret fare parasysh. Kthimi i të ikurve do të thotë me të vërtetë që ata t'i largosh nga vendi i tyre. Se si do të organizohet kthimi i qindra-mijëra vetëve, kjo nuk mendohet. Aktualisht, në botë ndodhen në arrati 65 milionë vetë, kurse diskursi këtu paraqitet a duhet ta hapim apo ta mbyllim rubinetin ne.

Ose të marrim fushatën elektorale në SHBA. Refuzimi i kuptueshëm dhe i nevojshëm i të neveritshmit Donald Trump ka bërë që kandidatja Hillary Clinton të shndërrohet sa të hapësh e mbyllësh sytë (teknika më e preferuar e dikotomistëve) në një figurë të ndritur. Raportimi kritik ose demaskimi i makinacioneve të saj tepër të dyshimta politike dhe ekonomike demonizohet, si për shembull pas zbulimeve më të fundit të Wikileaks-it. Julian Assange-n e demaskuan menjëherë si djathtist të maskuar dhe u ndërtua një bosht i ri, shumë origjinal i së keqes: Assange-Trump-Putin.

Këtu mbërrijmë në një fenomen tjetër Jekyll-Hyde. Te Vladimir Putini. Për disa ai është kërcënimi më i madh i paqes botërore, për të tjerët ai është një luftëtar i papërkulur për të mirën e Rusisë së poshtëruar. Ai që bredh me një detektor në peizazhin politik, ai është krejtësisht i fiksuar te suksesi dhe veç tij nuk regjistron asgjë tjetër.

Zbukurimi i historisë

Është si në një lisharës. Kur zë vend në njërën anë, lisharësi zbret poshtë, kur nuk lëviz, shërben vetëm si kundërpeshë për anën tjetër, e cila këmbëngul po me kaq vendosmëri dhe pa lëvizur. Lëvizjet janë lart e poshtë, herë pas here. Për personat e përfshirë ndoshta kjo është kënaqësi, për të tjerët është një gjendje emergjente diskursive.

Edhe në perceptimin historik, mendimi dikotomik çon në rezultate nën optimalen. Ai që hutohet shpesh kur diskuton për historinë e krimeve të komunizmit, e cila nuk është trajtuar thuajse fare, do të konstatojë që me një impuls antifashist, politika staliniste dhe poststaliniste do të vështrohet me sy të butë dhe në pjesën më të madhe do të zbukurohet. Ai që ka qenë kundër Hitlerit, ai duhet të vlerësohet. Dhe ai që kur ka qenë student doli në rrugë me të gjithë bindjen dhe brohoriti me zë të lartë për vrasësin masiv Mao Ce Dun, ai buzëqesh me bujari për hutimin e tij të dikurshëm dhe paralajmëron me zë të lartë për rrezikun e mbizotërimit të elementëve të huaj. Sepse një gjë është e sigurt: dikotomisti nuk mëson kurrë të mendojë.