1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Evropa humbet zgjedhjet - qytetarët tregojnë shumë pak angazhim

Partitë konservatore sërish dolën forca më e madhe në Parlamentin Evropian, por fituesit e vërtetë të zgjedhjeve janë ata që e bojktouan votimin. Politika nuk i ka kryer detyrat e veta, ndërsa problemet janë të shumta.

default

Evropa votoi por as gjysma e votuesve nuk shkoi në qendrat e votimit. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte në nivelin më të ulët të arritur deri tani. Në Evropën Lindore votoi një në pesë qytetarë, rezultat për të ardhur turp. Një angazhim kaq i vogël i qytetarëve për të votuar për institucionin e vetëm që zgjidhet në mënyrë demokratike në Bashkimin Evropian, është tmerrues.

Parlamenti i përbashkët i 27 vendeve është i vetmi i këtij lloji në botë. Por duket se evropianët janë indiferentë ndaj tij. Fajtorë për këtë disfatë nuk janë vetëm zgjedhësit përtacë, por edhe politikanët evropianë. Ende mbizotërojnë fushatat kombëtare zgjedhore në 27 vendet anëtare, ndërkohë që nuk ka gati asnjë fushatë mbarë- evropiane. Kur ndodhen në shtëpinë e tyre, politikanët i shajnë me zell të madh ata atje në Bruksel, ndonëse edhe vetë kanë marrë pjesë në marrjen e shumë vendimeve.

Bernd Riegert

Bernd Riegert

Gjendja më e keqe është në demokracitë e reja të Evropës Lindore. Duket se atje nuk është kuptuar ende se sa i rëndësishëm është Parlamenti i Evropës për shumë fusha të jetës. Trendi i mëparshëm vazhdoi edhe kësaj radhe: gati të gjitha qeveritë u dënuan për shkak të politikës së tyre të brendshme.

Vetë rezultatet shënojnë një kontinuitet. Konservatorët dhe partitë qytetare kanë fituar, kurse socialistët mbetën forca e dytë, pasuar nga liberalët. Kundërshtarët e Evropës dhe radikalët e djathtë kanë fituar kësaj radhe më shumë vota, në disa prej vendeve anëtare. Por, në Parlamentin Evropian ata nuk do të luajnë ndonjë rol të madh, sikur edhe të bashkoheshin të gjithë në një fraksion.

Presidenti i Komisionit të BE, Jose Manuel Barroso mund të jetë i kënaqur. Pjesë e forcave konservatore, ai mund të mbetet edhe pesë vjet të tjera në post, sepse ky post i takon partive që kanë maksimumin e votave në Parlament. Në shtetin më të madh të BE-së, në Gjermani, situata është e ngjashme si në mbarë Evropën. Çështjet e brendshme kombëtare përcaktojnë politikën. Fituesit e zgjedhjeve: konservatorët, majtistët, liberalët dhe ekologjistët i shpallën ato si një test për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që zhvillohen në shtator. Ndërsa humbësit e zgjedhjeve, socialdemokratët, pohojnë se ky nuk është test për zgjedhjet parlamentare në Gjermani. Për shkak të pjesëmarrjes së ulët, me të vërtetë nuk mund të jepen prognoza të sakta për zgjedhjet parlamentare. Por një gjë është e qartë: Evropa është humbësi më i madh i zgjedhjeve, sepse shumë pak zgjedhës janë të interesuar për politikën evropiane.

Autor: Bernd Riegert

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 08.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I5Nv
  • Data 08.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I5Nv