1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa e "dy shpejtësive"

Max Hofmann
9 Shkurt 2017

Kancelarja gjermane e ndryshon kursin dhe kërkon mbështetje për një Evropë të "dy shpejtësive". Synimi: që BE të ruhet në njëfarë forme. Shumë nuk janë të kënaqur me këtë mënyrë veprimi.

https://p.dw.com/p/2XC9x
EU-Gipfel auf Malta | Angela Merkel
Fotografi: Getty Images/L. Neal

Deklarata e fundit e Kancelares gjermane Merkel në takimin e nivelit të lartë në Maltë u shty nga ora 18 për në orën 20. Kështu që në sallë kishin mbetur vetëm pak gazetarë që e dëgjuan live atë që tha Kancelarja gjermane. "Historia e viteve të fundit ka treguar se do të ketë një BE të shpejtësive të ndryshme, që jo të gjithë do të marrin pjesë në të gjitha shkallët e integrimit". Kjo fjali nuk gjeti thuajse fare jehonë në mediet evropiane. Në një kohë që ishte hera e parë që Kancelarja e bëri të sajin këtë koncept në thelb të vjetër.

Në takimin me kryeministren polake Szydlo, Merkeli foli sërish për një Evropë "të dy shpejtësive" dhe polakja, vendi i së cilës e ka kundërshtuar gjithmonë këtë koncept, nuk kundërshtoi. Më e vonta këtu u bë e qartë: kancelarja gjermane ka vendosur të ndjekë një rrugë të mundur për Evropën e tronditur nga kriza. Ajo do ta ndjekë atë me vendosmërinë e saj të qetë. "Kjo duhet marrë seriozisht", i tha një diplomat i BE në Bruksel DW.

"Ju i shihni sfidat"

Në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të BE në Romë, shefat e shteteve dhe të qeverive nuk do të kremtojnë vetëm 60 vjetorin e Komunitetit Evropian, por do të tregojnë edhe një vizion për të ardhmen pas Brexit. Një Evropë e dy shpejtësive do të jetë pjesë e këtij vizioni, kjo është ajo që po përvijohet tani. Meqenëse një konstrukt i tillë lë shumë hapësirë të lirë veprimi, meqenëse shtetet, varësisht nga tema dhe gjendja nacionale mund të bashkohen me një projekt ose jo, shumë vetë nuk ndihen mirë me këtë ide. Ministri i jashtëm i Letonisë është njëri prej tyre. Në bisedë me DW Edgars Rinkevics pranon: "para disa vitesh do ta kisha konsideruar një ide të keqe". Por, thotë politikani me përvojë: "ju i shikoni sfidat."

Është fakt që Evropa ka kohë që ecën me shpejtësi të ndryshme. Eurozona, liria e lëvizjes në kuadër të Marrëveshjes së Shengenit, protokolli social i Maastrihtit, të gjitha këto janë pjesë të një "integrimi në nivele të ndryshme", sepse në to nuk marrin pjesë të gjitha shtetet e BE. Për të ardhmen përfytyrohen disa konstelacione: Eurozona, një bërthamë evropiane me motor gjermano-francez ose grupi i vendeve themeluese të BE.

Ruajtja e BE si projekt

Çështja është nëse BE me konceptin e shpejtësive të ndryshme nuk shet edhe shpirtin e vet. Por në kohën e Brexit, të Trumpit dhe të krizës së migrimit, shumë politikanë ndjekin vetëm parullën: të ruhet në njëfarë mënyre kohezioni i BE, edhe nëse kjo do të thotë lamtumirë nga ideali i Evropës së Bashkuar. Për shkak të shumë krizave, BE e ka humbur "fokusin strategjik", mendon eurodeputetja Tanja Fajon. Socialdemokratja është nga Sllovenia dhe druhet se vendi i saj i vogël në Lindje do të mbetet në fund, me një Evropë të shpejtësive të ndryshme. Sllovenia nuk do të kishte me se t'u kundërvihet politikës së interesave nacionale të shteteve të mëdha ose aleancave në BE.

Por ja që disa shtete si Hungaria, në tema delikate refuzojnë të bashkëpunojnë. Shpërndarja e refugjatëve në BE është njëra prej këtyre temave. "Ne ndodhemi në një situatë të pashembullt", thotë ministri i Jashtëm Rinkevics, bëhet fjalë që BE të ruhet si projekt. Kjo vlen para së gjithash për ekonominë dhe për monedhën e përbashkët. Përpara së gjithçka të ketë marrë tatëpjetën, kancelarja gjermane me siguri përpiqet që të ruajë të paktën skeletin e BE. Ndoshta projekti i përbashkët do të mbushet me mish e muskuj në brinjët që i kanë dalë, në një të ardhme më pak armiqësore ndaj BE. Evropa e "dy shpejtësive" është ndoshta përpjekja e fundit e Angela Merkelit për ta shpëtuar BE.