1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Evropa duhet ta vlerësojë edhe më shumë paqen dhe mirëqenien!

Qytetarët e Evropës duhet të mësojnë t'i çmojnë vlerat e Bashkimit Evropian. Zgjedhjet për Parlamentin Evropian u shoqëruan me mungesë interesimi dhe skeptizicëm, por kjo mund të kushtojë shumë.

Askush nuk duhet të thotë: ka ndodhur ajo, që është dashur të ndodhte. Por ndodhi ajo, që është pritur. Parlamenti i ardhshëm Evropian do të jetë edhe më i përçarë se deri tani. Ekstremistët e majtë dhe të djathtë kanë fituar më shumë pushtet në Parlamentin e Strasburgut. Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje: ka dallime të mëdha. Në disa vende pjesëmarrja ka qenë më e lartë. Por këto vota kanë shkuar kryesisht për partitë e skeptikëve evropianë. Në përgjithësi interesimi i njerëzve për zhvillimet në Bashkimin Evropian edhe më tej është tmerrësisht i ulët. Ndërkohë që partitë vërtetë janë angazhuar për të mobilizuar votuesit. Ato kanë paraqitur për herë të parë para zgjedhjeve edhe kandidatët e tyre për President të Komisionit Evropian, të cilët kanë pasur madje edhe debate të hapura televizive. Fushata ka qenë më e personalizuar, më e gjallë dhe relevante. Por edhe kjo ka ndihmuar shumë pak.

Ekstremistët nuk kanë ndonjë projekt

Qetësues është fakti që Parlamenti megjithë armiqët evropianë në radhët e veta, mbetet funksional. Deputetët e UKIP, Frontit Nacional të Francës, apo Partisë Popullore Daneze, me siguri që do të mbajnë fjalime të zjarrta. Por nuk do të mund të bllokojnë asgjë. Ato janë të përçara dhe të ndryshme edhe mes vete, mbi baza nacionale. Edhe retorika e tyre është e orientuar kryesisht ndaj votuesve në vendet e tyre. Ata duan të jenë zëri i të pakënaqurve. Ndërkohë që sa më shumë që shtohet presioni ndaj partive të qendrës së mesme politike, ato duhet të bashkëpunojnë më ngushtë mes vete. Jo, një kërcënim serioz të ekstremisëve nuk do të ketë, të paktën jo në Parlamentin Evropian.

BE do të thotë më shumë se trangujt e drejtë

Më shqetësuese është apatia e zgjedhëve, më mirë thënë, e atyre që nuk votuan në mbarë Evropën. Për shumicën duket se bashkëpunimi është bërë kaq i vetëkuptueshëm, saqë besojnë se të gjitha problemet do të zgjidhen vetvetiu dhe se të gjitha gjërat do të mbeten si tani: paqja, liria e lëvizjes, studimet dhe puna në vendet e tjera, monedha e përbashkët, tregu i përbashkët. Por këto vlera nuk janë të vetëkuptueshme, sepse prapë mund të humben. Njeriu duhet të angazhohet për këto vlera, gjithnjë. Në fushatë ka pasur një përshtypje, se në BE bëhet fjalë vetëm për poçet elektrike, apo gjatësinë dhe formën e kastravecave.

Kriza e borxheve

Se sa shpejt mund të rrënohet një rregull, për të cilin mendohet se është i paprekshëm, dëshmon edhe kriza ekonomike, e cila ka shpërthyer para disa vitesh. BE-ja kishte rënë përtoke. Kriza ndërkohë është tejkaluar deri diku, por vetëm duke i falënderuar angazhimit të përbashkët, ndihmave dhe disiplinës. Sikur çdo vend të kishte ndjekur rrugën e vet për dalje nga kriza, me siguri që të gjithë do të kishin humbur, edhe ata më të fuqishmit. Kjo nuk ka ndodhur tepër larg, për të mos e kujtuar. Se çfarë rëndësie ka Evropa, më së miri shihet edhe në rastin e Ukrainës: 25 vjet pas përfundimit të kontradiktave mes Perëndimit dhe Lindjes, sërish shfaqen rreziqet e shpërthimit të një konflikti të ri të përhershëm evropian. Për çudi Ukraina nuk ka luajtur praktikisht kurfarë roli në fushatën parazgjedhore. Ndërkohë që pikërisht BE-ja është një shembull i mirë se çfarë rëndësie ka bashkëpunimi dhe barazpesha.

Shikimi nga jashtë

A thua kritikët e integrimeve do të rrezikojnë të gjitha të arriturat? Ata duhet t'i pyesin njerëzit nga mbarë bota se çfarë mendojnë për projektin evropian. Në zgjedhjet e fundit të vitit 2009 në Bruksel ka pasur edhe vëzhgues nga Afrika. Kur u bë e ditur pjesëmarrja në zgjedhje prej vetëm 43 % ai tundi kokën dhe tha: "Në shumë vende afrikane do të ishim shumë të lumtur sikur të kishim mundësinë e zgjedhjeve të lira. Ndërsa ju në Evropë nuk e përdorni këtë të drejtë!" Ky ishte një takim turpërues. Nëse ne në Evropë nuk kemi probleme të tjera, veçse të shqetësohemi me rregullimet e tepërta të gjërave, atëherë ne në Evropë vërtetë i kemi punët mirë. Ndoshta edhe tepër mirë, sa për të kuptuar dhe për të vlerësuar rëndësinë e paqës dhe mirëqenies, e cila po zgjat gati 70 vjet.