1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Evropa diskuton për politikën ndaj refugjatëve

Edhe pas tragjedisë së refugjatëve në Lampedusa, Bashkimit Evropian, pavarësisht kritikave të ashpra nuk do ta ndryshojë rrënjësisht politikën e tij për azilin.

Që nga e enjtja e kaluar (3.10) kur në brigjet e ishullit mesdhetar italian Lampedusa u përmbys një anije me rreth 500 refugjatë afrikanë, nga të cilët rreth 250 u gjetën të vdekur, në BE po diskutohet me forcë për politikën ndaj refugjatëve. Sipas rregullave të BE-së vendi i parë ku hyjnë refugjatët në territorin e Bashkimit Evropian është përgjegjës për strehimin dhe përpunimin e kërkesës së tyre për azil. Vendet jugore të Evropës, si Italia, ankohen se janë të mbingarkuara me refugjatë.

I njëjti sistem edhe në të ardhmen

Megjithatë, sikurse doli nga një takim i ministrave të Brendshëm të BE-së në Luksemburg në këtë sistem nuk do të ketë ndryshime as dhe në të ardhmen. Në Gjermani raporti mes refugjatëve dhe banorëve është rreth 950 azilkërkues për një milionë banorë , kurse në Itali rreth 260 për një milionë banorë, tha ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich, i cili shtoi se "kjo tregon se historitë që Italia është e mbingarkuar me refugjatë, nuk është e drejtë." Ministri i Brendshëm i Suedisë, Tobias Billstrom, bëri thirrje për më shumë përpjekje nga të gjitha shtetet anëtare. Vetëm Gjermania dhe Suedia kanë strehuar deri tani dy të tretat e refugjatëve sirianë të luftës civile në BE.

Cecilia Malmstrom

Cecilia Malmström

Të gjitha shtetet anëtare të BE-së duhet të bëjnë maksimumin e tyre për strehimin e refugjatëve, kërkoi Komisionerja e Çështjeve të Brendshme të BE-së, Cecilia Malmström. "Deri tani ka vetëm gjashtë-shtatë vende që po marrin përsipër tërë përgjegjësinë, kurse ne jemi 28 shtete anëtare."

Operacion i ri i agjencisë kufitare të BE-së Frontex

Suedezja Cecilia Malmström mendon se ndryshime në sistemin ekzistues të azilit aktualisht janë të parealizueshme. Por tha se do t'u propozojë shteteve anëtare një operacion të ri të madh të agjencisë kufitare të BE-së Frontex në Detin Mesdhe nga Qiproja deri në Spanjë për të shpëtuar jetët e njerëzve. Propozimi i Malstrëm u prit me reagime të ndryshme, nga "naiv", sepse zgjidhja janë kontrollet më të forta në brigjet e Libisë dhe të Tunizisë prej rojes bregdetare të këtyre vendeve, deri te "një sinjal i mirë dhe konkret" siç e quajti ministri i Brendshëm italian Angelino Alfano.

Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich kërkoi një bashkëpunim më të fortë me shtetet afrikane për të përmirësuar gjendjen në vendet e origjinës dhe për të luftuar bandat e trafikantëve të qenieve njerëzore.

Refugjatë për shkak të varfërisë nga Rumania dhe Bullgaria

Friedrich EU Inennminister Treffen in Luxembourg 08.10.2013

Hans-Peter Friedrich

Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich (CSU) u shpreh edhe se po shtohet numri i refugjatëve që vijnë për shkak të varfërisë nga Rumania dhe Bullgaria. "Nuk ka kuptim që me lëvizjen e lirë të abuzohet në këtë mënyrë, pra që arsyeja e vetme pse shkon nga një vend tek tjetri është se tek vendi tjetër ndihmat sociale janë më të larta." - tha Friedrich dhe i bëri thirrje BE-së për të marrë masa të ashpra në këtë drejtim. Megjithatë Komisioni i BE-së i konsideron këto shqetësimet të pabaza. Politikani i Partisë së Gjelbër Volker Beck i quajti deklaratat e Friedrich si "fjalë të padurueshme" dhe tha me sa duket ai nuk ka mësuar asgjë nga kriza e fundit e refugjatëve në Lampedusa.