1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Evropa 2015: Një fllad i freskët?

Problemet do të vazhdojnë dhe në vitin 2015: ekonomia, Rusia, kriza e euros. A ka Evropa përgjigje për sfidat e reja?

"Do të ketë një fllad të freskët, por jo stuhi", tha Jean-Claude Juncker i pyetur nga DW në lidhje me ndryshimet në vitin 2015. Komisioni Evropian dëshiron t'i japë një shtysë të re të BE-së sidomos për krijimin e vendeve të punës dhe për programin e investimeve në vlerë 315 miliardë euro. "Megjithatë, rikuperimi i financave publike do të mbetet i rëndësishëm," tha Junker duke kufizuar pritjet e ekzagjeruara në vendet në krizë ekonomike si Italia dhe Franca. Parashikimet ekonomike të Komisionit Evropian flasin për një rritje modeste prej 1,1 për qind në vendet e eurozonës. Zhvillimi në shtetet e ndryshme anëtare do të vazhdojë të jetë shumë i ndryshëm. Gjermania i ka punët mirë, ndërsa shtetet e tjera të mëdha të eurozonës do të kenë rënie. Komisioneri evropian, Jyrki Katainen, tha se: "Situata ekonomike dhe e punësimit nuk po përmirësohen aq shpejtë sa duhet."

Greqia mund të rrëshqasë përsëri

Banka Qendrore Evropiane (BQE) do të luftojë edhe vitin e ardhshëm me pasojat e krizës së borxhit dhe rritjen e vështirë ekonomike. Rreziqet janë të shumta sqaron BQE-ja në analizat e saj të kohëve të fundit. Sidomos inflacioni shumë i ulët shkakton probleme. BQE është e gatshme të hedhë masivisht para në tregje. Se kur duhet të bëhet ky hap kjo është e hapur. Italia këmbëngul, Gjermania frenon dhe preferon si zakonisht një politikë shumë të përmbajtur fiskale.

EU-Gipfel in Brüssel 18.12.2014 Juncker

Kreu i KE-së Juncker kërkon të luftojë papunësinë në BE

Kriza e euros, që shumë vetë në Evropë besuan se u kapërcye mund të kthehet në vitin 2015 në mënyrë masive. Nëse në zgjedhjet e parakohëhme në Greqi do të fitojë partia e majtë "Syriza", besimi i tregjeve financiare do të dëmtohet masivisht dhe në rast se qeveria e re do të heqë dorë nga kursi i kursimeve, Banka Qendrore Evropiane dhe kreditorët e tjerë ndërkombëtare do t'i presin ndihmat dhe Greqia mund të rrëshqasë sërish në kaos financiar.

Britania e Madhe rrugës për të dalë nga BE-ja?

Jo vetëm për shkak të situatës së vështirë ekonomike, edhe për shkak të pakënaqësisë së përgjithshme me Evropën dhe "atyre në Bruksel", forcat centrifugale në BE po shtohen. Kjo prirje u manifestua në zgjedhjet për Dhomën e Ulët në mes të majit. Partia UKIP, e cila fitoi në zgjedhjet evropiane 2014 në Britaninë e Madhe, mund të festojë përsëri triumfe. Kryeministri britanik David Cameron dëshiron ta kufizojë fluksin e qytetarëve nga BE-ja në Britaninë e Madhe për të kufizuar ksenofobinë në rritje në Britaninë e Madhe. Po të dështojë plani i tij, ai mund bëjë thirrje në referendumin e planifikuar për vitin 2017 në lidhje me fatin e britanikëve në BE për të dalë nga BE-ja. Ndoshta madje që në maj do të themi: Goodbye Britain! Kjo do ta zhyste Bashkimin Evropian në një krizë të rëndë. Euroskeptikët në Hungari, Francë, Itali, Suedi dhe Gjermani do të marrin krahë.

Ndërmjetësimi mes Britanisë së Madhe dhe pjesës tjetër të BE-së do të jetë një detyrë madhore për Presidentin e ri të Këshillit të BE-së, ish-kryeministrin polak Donald Tusk.

Sfida në politikën e jashtme: kriza në Ukrainë

Në krye të agjendës evropiane të Presidentit të Këshillit të BE-së, Tusk do të jetë në politikën e jashtme kriza numër 1: Ukraina dhe marrëdhëniet me Rusinë. Si president i BE-së Donald Tusk do të vazhdojë të kqyrë me vigjilencë drejt lindjes dhe Rusisë për të vazhduar dialogun. "Unë dua të sjell perspektivën evropianolindore", tha Tusk kur mori detyrën. Në mars BE-ja do të vendosë për zgjatjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Një test i parë dhe serioz për kohezionin e BE-së. Që tani ka zëra nga Italia apo Hungaria, të cilat vënë në dyshim kuptimin e sanksioneve ekonomike që u vendosën pas aneksimit të Krimesë.

EU-Gipfel in Brüssel 18.12.2014 Tusk

Presidenti i Këshillit të-BE-së, Tusk synon zgjidhjen e krizës së Ukrainës

Hollim i burokracisë

Komisioni i BE-së do të ulë burokracinë në BE gjatë vitit 2015 dhedo të miratojë propozimet përkatëse legjislative në Parlament. Nëse ky plan do të realizohet mbetet të të shihet, sepse parlamentarët po protestojnë tashmë fuqimisht kundër disa projektligjeve dhe sidomos ligjeve që lidhen me zbutjen e ligjeve për mbrojtjen e mjedisit. Politika mjedisore do të luajë një rol qendror në vitin 2015 në Evropë, se në Paris do të organizohet Konferenca për Klimën e Kombeve të Bashkuara. BE-ja është e angazhuar për të vendosur objektiva të detyrueshme për të reduktuar gazet serë.

Vaterloja dhe përfundimi i Luftës së Dytë Botërore

Në maj 2015 do të përkujtohet shtatëdhjetë vjetori i fundit të Luftës së Dytë Botërore. Lufta dhe Paqja në Evropë do të përkujtohen në sfondin e krizës aktuale në kufirin lindor të BE-së. Se çfarë pasojash mund të ketë pushtimi dhe shfarosja e shteteve të tëra këtë do ta tregojë një përvjetor tjetër. Në qershor është 200 vjetori i betejës së Vaterlosë. Pranë kryeqytetit të sotëm të BE-së, në Bruksel, perandori francez i uritur për pushtet, Napoleoni, pësoi humbjen vendimtare. Në festimet përkujtimore pritet të vijnë shumë mysafirë nga e gjithë Evropa. Në vitin 1815 Britania e Madhe, Prusia, Austria dhe Rusia u bënë aleate - kundër agresorit Francë.