1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Evropa 2015: investime dhe tregim i kufijve Rusisë

Viti i ti do ta vërë BE-në para sfidash: ekonomia duhet të stimulohet me miliarda investime publike dhe një kurs më i qartë ndaj Rusisë është më i nevojshëm se kurrë. Brenda BE-së kërcënon zënka me britanikët.

"Do të fryjë një erë e re, por nuk do të kemi stuhi", tha Jean-Claude Juncker i pyetur nga DW për ndryshimet gjatë vitit 2015. Komisioni i BE-së do t'i japë Bashkimit Evropian hov të ri dhe para së gjithash do të përqendrohet në krijimin e vendeve të reja të punës dhe programin e tij të investimeve prej 315 miliardë eurosh. "Megjithatë rimëkëmbja e buxheteve publike do të mbetet e rëndësishme", kufizoi Juncker pritjet e tepruara në vendet në krizë ekonomike si në Itali dhe Francë. Parashikimet ekonomike të Komisionit të BE-së aktualisht nuk e kalojnë një rritje modeste prej 1,1 për qind për shtetet e eurozonës. Zhvillimi në vendet e veçanta anëtare do të vazhdojë të jetë shumë i ndryshëm. Gjermania në karahasim me të tjerët i ka mirë punët, ndërkohë që shtete të tjerë të mëdhenj në eurozonë pritet të jenë në stanjacion. Komisioneri përgjegjës i BE-së Jyrki Katainen, pranon: "Situata ekonomike dhe e punësimit nuk po përmirësohet me shpejtësi të mjaftueshme."

Banka Qendrore Evropiane (ECB) do të luftojë edhe vitin e ardhshëm me pasojat e krizës së borxheve shtetërore dhe rritjen e dobët ekonomike. Rreziqet predominojnë, shkruan ECB në një nga analizat e saj të fundit. Para së gjithash norma shumë e ulët e inflacionit është shqetësuese për ruajtësit e monedhës së përbashkët. ECB është gati që të hedhë masivisht para në treg. Se kur duhet të ndërmerret ky hap është e hapur. Italia insiston për këtë, Gjermania frenon dhe preferon si zakonisht një politikë fiskale shumë të përmbajtur.

Greqia mund të rrëshqasë sërish

Kriza e euros që shumë në Evropë e mendonin të kapërcyer, mund të rikthehej me forcë në 2015. Nëse në zgjedhjet e mundshme të reja në Greqi do të fitonte partia radikale e majtë "Syriza", e cila kryeson në sondazhe, kjo do të trondiste në mënyrë masive besimin e tregjeve. "Grekët e dinë shumë mirë se çfarë pasojash mund të kishte një rezultat i gabuar i zgjedhjeve", paralajmëroi fare hapur shefi i Komisionit të BE-së Jean-Claude Juncker. Banka e investimene "Goldman Sachs" shprehet edhe më qartë në një analizë të sajën: "Nëse një qeveri e Syriza-s do të bënte realitet kërcënimet e saj dhe do të ndërpriste shlyerjen e borxheve duke hyrë në konfrontim me kreditorët e saj ndërkombëtarë, atëherë ECB do të ishte e detyruar të mbante të mbyllura për ditë me radhë bankat në Greqi." Greqia do të binte në një kaos financiar. Vendi i ka borxh FMN-së dhe institucioneve të ndryshme të BE-së gjithsej 250 miliardë euro. Një tragjedi greke do të kishte natyrisht pasoja edhe në vendet e tjera me borxhe të larta. Primet e riskut për Qipron, Italinë, Portugalinë dhe ndoshta edhe Francën do të rriteshin. Dhe kjo nga ana tjetër është helm për buxhetet publike të cilat në fakt duhet të investojnë dhe nuk do të mund ta mbanin peshën e rëndë të interesave.

Britania e Madhe: në rrugën drejt largimit?

Jo vetëm prej gjendjes së vështirë ekonomike, por edhe për shkak të pakënaqësisë së përgjithshme me Evropën dhe "ata në Bruksel", në BE po rriten forca që kërkojnë largim. Tendenca do të manifestohet në zgjedhjen për Dhomën e Ulët në Britani të Madhe në mes të muajit maj. Partia britanike e pavarësisë UKIP, e cila fitoi në Britani në zgjedhjet evropiane 2014, mund të festonte sërish triumf. Kryeministri britanik David Cameron, i shtyrë nga trysnia e rezultateve të UKIP, i ka premtuar zgjedhësve të tij, negociata me BE për më shumë sovranitet për Britaninë e Madhe. Por kancelarja Angela Merkel ka vendosur një kufi: "Liria e lëvizjes së punëmarrësve në BE nuk është e ngociueshme." Cameron kërkon të kufizojë ardhjen e qytetarëve të BE-së në Britaninë e Madhe për t'iu kundërvënë armiqësisë në rritje ndaj të huajve në vend. Nëse plani dështon ai mund të përkrahte edhe vetë një dalje nga Unioni në referendumin e planifikuar për vitin 2017, ku britanikët do të vendosin nëse duan apo jo të qendrojnë në BE. Ndoshta që në majin e ardhshëm do të duhet të thuhet: lamtumirë Britani!

Kjo do ta fuste BE-në në një krizë të rëndë. Skeptikët ndaj Evropës në Hungari, Francë, Itali, Suedi dhe edhe në Gjermani, do të merrnin një hov të ri. Në Francë ku populistja e djathtë Marine Le Pen lufton për daljen e vendit nga BE-ja dhe ushtron trysni ndaj presidentit të dobët socialist François Hollande, situata mund të shkallëzonte. Ndërmjetësimi mes Britanisë së Madhe dhe pjesës tjetër të BE-së do të jetë një detyrë kryesore për Presidentin e Këshillit të BE-së, ish kryeministrin polak Donald Tusk.

Sfida në politikën e jashtme - Ukraina: "Kudjes ekstrem"

Në krye të axhendës evropiane Presidenti Tusk sheh krizën politike numër 1: Ukraina dhe raporti me Rusinë. Si kryetar i shefave të shteteve dhe qeverive Donald Tusk do ta impenjojë BE-në të shohë me vigjilencë në drejtim të Lindjes dhe të përpiqet për dialog me Rusinë. "Unë dua të sjell perspektivën evropiano-lindore", tha Tusk me marrjen e detyrës. Në mars BE do të vendosë për një zgjatje të sanksioneve kundër Rusisë. Ky do të jetë një test i parë dhe serioz për unitetin në Union. Që tani ka zëra nga Italia apo Hungaria që vënë në dyshim kuptimin e sanksioneve ekonomike të vendosura pas aneksimit të Krimesë. Në maj presidenca letoneze e radhës Këshillit të BE-së do të mbajë një samit në Riga me shtetet fqinje lindore Ukrainë, Gjeorgji dhe Moldavi. Ministri i Jashtëm i Letonisë Edgars Rinkevics tha për DW se BE dhe NATO duhet të hartojnë një përgjigje të përshtatshme ndaj sjelljes së Rusisë në Ukrainë. "Na duhet një dialog politik me Rusinë por për shkak të qendrimit të saj agresiv edhe një lloj zbutjeje, një containment." Presidenti rus Putin sipas Rinkevics do të vazhdojë të vërë në provë NATO-në: "Duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm."

Komisioni i BE-së ka marrë zotim të vazhdojë në 2015 kurën e tij të dobësimit burokratik dhe të paraqesë në Parlament më pak projektligje por me më shumë relevancë. Nëse ky zotim mund të mbahet kjo do të shihet pasi parlamentarët e BE-së protestojnë që tani kundër njoftimit për të zbutur apo pezuluar plotësisht projektligje të caktuata në fushën e mjedisit. Politika për mjedisin do të luajë një rol qendror në Evropë në fund të vitit. Atëherë Franca do të jetë mikëpritëse e konferencës për klimën të Kombeve të Bashkuara. BE angazhohet që të përcaktohen objektiva obgligues për reduktimin e gazrave që shkaktojnë efektin serrë.

Waterloo dhe fundi i Luftës së Dytë Botërore

Ästhetik der Gewalt II

Edhe për përkujtime do të ketë përsëri mundësi. Në maj mbushen 70 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Lufta dhe paqja në Evropë do të reflektohen edhe një herë në sfondin e krizës aktuale në kufijtë lindorë të BE-së. Se çfarë pasojash mund të kenë në periudhë afatgjatë rrëmbimi i tokës, fushatat pushtuese dhe zhdukja e shteteve të tëra, do ta tregojë një tjetër jubile. Në qershor mbushen 200 vjet nga beteja e Waterloo-s. Në afërsi të kryeqytetin të sotëm evropian Bruksel, perandori francez Napoleon i etur për pushtet, pësoi një disfatë vendimtare. Beteja e Waterloo-së do të inskenohet me mijëra figurantë. Priten vizitorë nga e gjithë Evropa. Në 1815 Britania e Madhe, Prusia, Austria dhe Rusia ishin aleatë kundër agresorit Francë.