1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

„Evropa është një premtim i madh, por edhe një angazhim“

Gjermania është e gatshme t'i japë mbështetje të plotë Serbisë në rrugën evropiane, tha Presidenti i Bundestagut Norbert Lammert para parlamentit serb. Ai theksoi rëndësinë e parlamentit e të drejtat e pakicave.

„Ne jetojmë në një botë që është ndryshuar krejtësisht, në këtë botë Evropa nuk është më qendër e gjithçkaje. Në këtë kontekst qëllimet tona mund t'i arrijmë, nëse ne qëndrojmë të bashkuar, në asnjë mënyrë nëse tentojmë individualisht apo kundër njëri-tjetrit. Ne te gjithë jemi evropianë, duke përfshirë shtetet e BE dhe ato jashtë BE-së" tha Norbert Lammert, Presidenti i Bundestagut gjerman në një fjalim para deputetëve serbë.

Në seancën e veçantë të Kuvendit të Serbisë, Lammerst theksoi, se Gjermania e mbështet Serbinë dhe rajonin ballkanik drejt Bashkimit Evropian:"Ne të gjithë kemi zgjedhur që të marrim pjesë në projektin e madh evropian...Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se Evropa nuk është vetëm një premtim i madh, por edhe një angazhim po aq i madh. Vetëm nëse merret përgjegjësi ne mund të takohemi brenda këtij premtimi të madh. Gjermania është e gatshme të japë kontributin e saj dhe ftojmë të gjithë ata që duan të bashkohen me ne".

Lammert foli për rënien e qytetërimit, gjë të cilën gjermanët e kanë përjetuar një herë në historinë e tyre. Nisur nga ky aspekt ai theksoi rëndësinë e Kuvendit, si organ që kontrollon pushtetin, të drejtat e patjetërsueshme të minoriteteve dhe kriteret që duhet të përmbushen përpara se Serbia t'i bashkohet BE-së.

Fjalimi u bojkotua nga partitë radikale

Ndryshe nga disa raste të mëparshme, kur gjatë fjalimeve të zyrtarëve të huaj kishte ndërhyrje, dje fjalimi kaloi pa incidente. Deputetët e Partisë Radikale Serbe nuk ishin në vendet e tyre, me arsyen se Gjermania ka qenë një ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën dhe ka detyruar Serbinë t'i kthejë shpinën Rusisë.